Rëndësia e Arben Malajt si kandidat universal

arben-malaj

Dalja e deputetit Arben Malaj si kandidat i pavarur në zgjedhjet e 23 qershorit, ndër të tjera e ndoshta më shumë segjithçka, është një mesazh shprese politike. Jo vetëm për politiken në raport me interesin publik, por edhe si model i shansit të karrierës politike për të gjithë ata politikanë që, ose kanë futur kokën në rërë si struci, ose kanë kapërcyer ylberin duke u strehuar te ngjyrat dhe muzika elektorale e kampit kundërshtar.

Nuk ka nevojë për një listim emrash, disa prej tyre janë domethënës, disa një ekskursion në nul, e të tjerë thjesht piktoreskë, por ndër ata të lënë jashtë, të përjashtuar, të ngrirë e të tjera si këto, Arben Malaj është i vetmi që ka arritur të ndërtojë një aksion politik dhe personal njëherësh.

Malaj, sikur asgjë tjetër, ka patur guximin që të marrë kreditet e veta e me to të përballet publikisht me të shkuarën, të tashmen e të ardhmen e tij si socialist. Sigurisht, nga një pjesë e të tijve është etiketuar ‘tradhtar’, por asnjëri nuk ka mundur të mbërthejë me fjalë përligjen e kësaj tradhtie. Emocionalisht po, disa socialistë mund të ndihen të tradhtuar nga independenca e z. Malaj nën atë sindromën ‘edhe jetën e japim për të shporrur Berishën’, por konceptualisht dhe praktikisht, deputeti vlonjat nuk ka braktisur betejën me Berishën, ai thjesht është ripozicionuar në raport me lidershipin socialist.

Po pse është vendimi i Malajt për të garuar si i pavarur e për të kërkuar vota socialiste kaq i rëndësishëm? Së pari, duhet kuptuar se veprimi i Arben Malajt nuk i ka implikimet vetëm majtas por edhe djathtas; ai është përtej spektrit siç edhe vetë spektri ka dalë përtej vetes. Mjafton të shikosh, e të shijosh po deshe, laryshinë e harlisur të listave të koalicioneve të të dy krahëve për ta kuptuar këtë.

Malaj, nëse arrin që, nga Vlora, qyteti i pavarësisë të ndërtojë modelin e indipendencës politike prej establishmentit, i jep kësaj zone një pozicion të ri në historinë elektorale shqiptare. Duke nxjerrë një deputet të pavarur, Vlora çliron një xhind nga shishja politike, të drejtën e fërkimit të së cilës duket se e kanë vetëm dy liderët, Berisha e Rama.

Përveçse prodhon një fenomen, një triumf i z. Malaj në Vlorë pengon edhe lindjen e njëfarë skizme gjeo-politike të mishëruar te vendimi i z. Rama për të kandiduar në Vlorë. Sigurisht, jo dhe aq te vendimi se sa tek arsyetimi i tij nga lideri socialist: për të shpallur pavarësinë e 100- vjetorit të dytë shqiptar. Atë që z. Rama kërkon të prodhojë në Vlorë, njëfarë majtizmi in extremis, njëfarë Restaurimi social-komunist, një rimarrje e tezës së Revolucionit të vonuar demokratik të Rexhep Qosjes, apo një ‘marshim partizan’ që fillon në Vlorë dhe triumfalist ngulet në Tiranë, mund të kundërshtohet nga ajo që mund të përfaqësojë z. Malaj si kandidat dhe ofertë e mesme ose e ndërmjetme.

Paradoksalisht, edhe pse deri diku e kërkuar, thirrjet për Pol të Tretë ose Moderacioni të para 1 prillit u shkërmoqën nën trusninë e kalkulimeve politike, dhe Arben Malaj është ndoshta i vetmi kandidat në mes. Kjo, sa për rrethana politike e personale aq edhe gjeografike. Arben Malaj është në njëfarë mënyre kandidati universal i këtyre zgjedhjeve që luhen thep më thep e frëngji më frëngji.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s