Në detin blu; petali i kuq i Gridës dhe ajsbergu i Bashës

pd miting

E kuqja e fortë e fustanit të Grida Dumës u duk e vetmja shenjë proteste në pikturën demokrate të përmbytur në blu të së hënës mbrëma. Ilir Rusmali kish zgjedhur të protestonte për gremisjen që i kish blatuar Zeusi në lisat e kandidatëve për deputetë, duke munguar. Shkëlqente me mungesën e tij, duhet thënë, më shumë se do iluminonte me praninë. Flakërimi i Gridës mbet’ kështu si petali i një trëndafili të kuq në blunë e përgjithshme demokrate. Një pikë në det domethënë.

Të tjera copëza jete në ato dallgë demokrate që përplaseshin te këmbët e Korpusit universitar vijonin me të përhershmen gazmore Jozefina Topalli që bënte rolin e cheerleader-es së parë. Jorida, hirushja e radhës e Partisë Demokratike në një rresht me dama të tjera, rishtare e të kahershme, të radhëve blu; një tabak amortizues, bashkë me Dashamir Shehin, i impaktit potencial të FRD-së së Topit në elektoratin tirons.

Por edhe xhaketat e vjetra, të heshtura në rëndësinë e vet, aktorët e mëdhenj të PD, Bode, Olldashi e të tjerë në krah me një firmëtar të kthyer Eduard Selamin, i cili ndoshta habitet me përmbysjen e madhe në komunikimin politik: dikur ishte një ndër ata të tribunës, tani është gjithmonë poshtë në rreshtin e parë. Gjithçka është përmbysur përveç Doktorit, ka menduar ai.

Berisha ishte si gjithnjë lideri pa script që, megjithatë, e ka në kokë të gjithë skenarin. Entuziazmi dhe siguria e tij në oktavën e fundit, populli i mbledhur, i mjaftueshëm dhe përligjës i populizmit të tij; historia vetë që ka filluar në një shesh në Qytetin Studenti për të kaluar te sheshi ‘Skënderbej’ e për ta përmbyllur trekëndëshin te sheshi ‘Nënë Tereza’. Nuk ka shenjtërim të tijin politik në këtë trini; ai është vërtitur në këtë Bermudë politike si force de nature.

Mizanskenat janë rrotulluar në mitingun e së hënës mbrëma të demokratëve duke sjellë edhe qortimin e shartimit ideologjik. Kastriot Islami e Asllan Dogjani u thirrën për t’u ngjitur në një podium, ngjyra e të cilit para pak muajsh mund t’i zinte si një traget në det të keq. Ky koktejl që deri dje mund të konsiderohej si ground zero (i pagjasë) është sot një reliev politik.

Prej të cilit ngrihet si shkuma mbi valë profili i Lulzim Bashës, kryebashkiakut të Tiranës. Ai u shfaq si një ajsberg politik, çka shihej prej të cilit ishte e kënaqshme për sytë dhe veshëve u jepte ndjesinë e një përplasjeje nënujore me kundërshtarin. Fjalimi, vazhdim i një koncepti të nisur në zgjedhjet lokale ku fabula e kundërshtarit që s’është armik ishte zgjeruar me dy vite kohë si test për oponentin politik që me aktet e tij ‘nuk mund të jetë mik i shqiptarëve.’

Perdja bie dhe akti i secilit mbetet prapa saj. Politika është në skenë, por si në teatër nuk e ke rastin për t’u kapur për dore me trupën e për të dalë para publikut për të kuptuar paskëtaj se e cilit qe loja më e mirë.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s