Parlamenti, dyqani, lotaria: a e ke emrin në listë?

lista

Një lloj kureshtjeje kombëtare, e cytur sigurisht edhe nga mediat, d.m.th edhe ky blog, pret të shuhet sot diku nga orët e mesditës deri në mesnatë, kur skadon ligjërisht edhe afati ligjor për listat e deputetëve. Më shumë se për fatin politik të Shqipërisë, të dy partive apo dhe të individëve, hobi i listave parlamentare duket se është një lloj i veçantë voyerism-i lokal. Duket si një garë me të panjohurën, një ankth i llojit, cilët nga ata që njoh unë ka kandiduar Berisha e Rama? Është një shtrirje e lokales (lagjes) apo grupit te kombëtarja (parlamenti), një befasi që e ndriçon nga lart zonën tënde të njohjes, kuadratin e trishtë të monotonisë, atë që Henry David Thoreau e përkufizon si jetë e çuar në dëshpërim të qetë.

Për një tjetër paralele amerikane (paralelet sigurisht vetëm perandoritë mund t’i shërbejnë) listat e deputetëve që dalin sot i ngjajnë atij filmit të shumëpritur, të bërë edhe më shumë të tillë nga marketingu guerrilas. Emri i një deputeti do të dalë nga boshi për t’iu ofruar kinemasë së ditës tënde, ashtu siç filmat ende të padalë në multiplekset amerikanë lajmërohen me një zë bombastik e epshor: COMING SOON TO A THEATRE NEAR YOU! Sot nuk do ketë më ‘së afërmi’. Sot, diku nga mesdita deri në mesnatë, në një kinema të lagjes (virtuale) mbërrin një emër që i bashkohet një njeriu dhe një përshtypjeje që ti ke për të.

Por i kemi edhe ca orë pritjeje në listë për LISTAT që mund të na ndihmojnë për të hartuar një listë të atyre ngjarjeve që e kanë kthyer fjalën apo nocionin Listë në njëfarë Totemi (simboli). Dy muaj para zgjedhjeve është transi i Listave të kandidatëve për deputetë. Kjo është Lista Totem I. Ata që dalin të fituar nga këto lista, demokratë a socialistë, në varësi të pozicionit ndaj pushtetit, mazhorancë apo opozitë, bërtasin ose mohojnë ekzistencën e njerëzve që marrin bukë ose ushqime me listë. Kjo kategori e hamendësuar ose e njëmendët përbën Listën Totem II. Një tjetër që është pjesë e fjalorit urban e sheh listën, ashtu si Berisha e Rama, si diçka që ka të bëjë me inkluzivitetin dhe ekskluzivitetin, d.m.th përfshirjen ose përjashtimin. Shpesh dëgjohet: ai nuk të llogarit fare; as nuk të ka në listë. Mund të jetë zënkë komshinjsh apo dashnorësh të tëhuajësuar por është Lista Totem III. Emra që pasojnë njëri-tjetrin, në radhë të gjata ose jo, që mund të jenë në një renditje hierarkike ose jo, përbëjnë gjithashtu lista me të cilat ne përballemi dhe, edhe nëse nuk na përkasin, sërish ua ndjejmë praninë sepse janë bërë njëfarë mjet këmbimi social. Kemi Lista të Përndjekurish që marrin Këstin e Dytë; Lista Legalizimesh; Lista Shpronësimesh; Lista Notash; Lista Fituesish të aksh Lotarie, Shpërblimi, Shkolle, Vendpune, Emigrimi. Këto janë Lista(t) Totem IV.

Listat, sidomos ato të ngritura në totem, janë megjithatë dhe kryesisht beninje; njëfarë lirie te porta, njëfarë shpëtimi që të siguron, ose rankimin profesional, ose bukën e gojës. Por, pse jo edhe voyerism-in. Kështuqë: rrofshin listat. Ne i kemi në listë ato edhe kur ato nuk na kanë.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s