Edi Rama jep shenja…autokracie

Edi shkruan

Për të gjetur të ngjashmen e risisë politike të Edi Ramës duhet të bredhësh në atlasin politik të botës, nga Belgjika në Australi (travel the world and the seven seas indeed). Kreu i Partisë Socialiste, nëse vjen në pushtet pas 23 qershorit, do të aplikojë një horizontale të re në atë që mbahet si horizontalja klasike e ndarjes së pushteteve: ministrat duhet të heqin dorë nga mandati i deputetit. Asnjë nga republikat apo dhe monarkitë europiane nuk e aplikon këtë, përjashto Belgjikën, vend në të cilin Këshilli i Ministrave ka pushtetin ekzekutiv dhe anëtarët e tij emërohen nga Mbreti, duke u zgjedhur zakonisht ndërmjet deputetëve. Por, ata duhet të dorëzojnë mandatin e parlamentarit në këmbim të postit të ministrit.

Në polin tjetër të këtij miksimi të pushtetit dhe ndarjes së tij qëndron Australia, vend ku ministrat duhet të jenë anëtarë të Parlamentit. Ndër qindra demokraci të botës, të udhëhequra nga qeveri nën mbret apo president, kryeministër, kancelar apo Këshill Federal (Zvicra), ministri dhe deputeti nuk ndahen domosdoshmërisht.

Në këtë kuptim, vendi flamando-valon ngjan më shumë me një republikë presidenciale të tipit amerikan dhe shkon kundër logjikës europiane të ndarjes së pushteteve ilustruar nga modeli britanik ose ai që quhet fusion of powers term i cili i mvishet, edhe pse debatueshëm, një prej themeluesve të revistës The Economist, Walter Bagehot. Fusion of powers, ose ndërthurja e pushteteve në shqip, është forma klasike e demokracive parlamentare siç është edhe Shqipëria dhe kontraston me një ndarje strikte të pushteteve, model i republikave presidenciale. Republikat gjysmëpresidenciale si Franca janë diku midis.

Pas këtij shpjegimi teorik, pyetja më kureshtare bëhet: pse e ka zgjedhur kreu i koalicionit opozitar një dalje nga sistemi i pushteteve të ndërthurura për të adaptuar diçka që shkon përtej parlamentarizmit britanik të aplikuar edhe në Shqipëri, dhe i qaset më shumë sistemit federal belg apo atij presidencial amerikan? Nëse i referohemi përgjigjes së parmbrëmshme për gazetarin Blendi Fevziu në “Opinion”, nuk kemi marrë shumë në logjikë të gjërave. E dyshimtë dhe e paplotë madje ishte edhe përgjigja ndaj pyetjes se nga e kishte huazuar këtë model z. Rama. E kanë shumë vende, u përgjigj ai dhe u hodh menjëherë te shembulli i Kosovës, shtetit më të ri në botë, republikë e mbikëqyrur prej disa vitesh, por pa përmendur emra të tjerë ilustrues. Me më pak ose më shumë traditë se Kosova.

Nuk është se ka shumë jetë përtej asaj që deklaron kryetari i opozitës, sa i takon një diskursi që e përligj dizajnin e republikës së re kuazi-presidenciale të z. Rama. Deputetë të Partisë Socialiste të pyetur nga gazetarët e ABC News, ose kanë ofruar një gëkmëk pafuqie, ose kanë shpejtuar hapin, ose kanë dhënë gjysma përgjigjesh, ose kanë shtyrë reporterin që u drejtonte mikrofonin.

Në mungesë të një qëndrimi solid zyrtar mbi benefitet e modelit të ri, dhe pse ai nuk është autokratik, opinionistët janë grumbulluar rreth hipotezës se z. Rama kërkon të kontrollojë në maksimum parlamentin dhe qeverinë duke përjashtuar mundësinë e çdo disidence në qendrat e pushtetit që zakonisht gëlojnë në një parti politike, e shëndetshme apo jo qoftë demokracia e brendshme e saj.

Modeli i ministrave që nuk janë deputetë e siguron kryeministrin potencial se në parlament nuk do të kthehen ministra të shkarkuar, rrjedhimisht hatërngelës. Z. Rama deklarohet për një fitore të qartë e të thellë më 23 qershor, por droja e ministrave të pakënaqur në Kuvend, rebelimi i të cilëve mund t’i hapte probleme, dëshmon se siguria për fitoren mbahet vetëm te fjala. Se pse kësaj ideje i bashkohet dhe z. Meta shpjegohet me precedentin Prifti. Një prift tjetër përgjues është shumë herë më pak i rrezikshëm në rrugë si një politikan pa pushtet, sesa si një deputet, kartoni i të cilit mund të mbajë ose të rrëzojë qeveri.

Nëse këto mund të jenë asgjë më shumë se hipoteza, kryeshenja e një Rame autokrat me tendenca të përqendrimit të pushtetit, mund të gjendet te ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Lideri socialist, në të vetmen herë kur është shfaqur jokundërshtues i parlamentarizmit gjatë  4 viteve të tij të dyta në opozitë, kërkoi, gatoi dhe bekoi sistemin zgjedhor aktual dhe kufizimin e kompetencave të Presidentit të Republikës. E vërtetë që Berisha ka qeverisur këta 5 vjet dhe ka përqendruar pushtet për hatër të PD-së, por e ka bërë këtë në sistemin e Ramës.

Të hysh në zgjedhje me shenjën e autokratit, përballë Berishës, fizionominë politike të të cilit e qorton me të madhe për autokraci, ta përqendrosh pushtetin pa e marrë atë, dëshmon shkurtpamësi politike. Ose thjesht është një tymuese për të humbur gjurmët e mashtrimit para të të pakënaqurve në PS: nëse nuk jeni në lista, do të jeni ministra; nëse jeni në pozicione jofituese, do të ngjiteni kur vendet e para të bëhen qeveri.

2 përgjigje ndaj “Edi Rama jep shenja…autokracie

  1. Ka edhe një shpjegim më “pragmatist” për këto lojra të propozuara nga zt Rama.
    Në këtë mënyrë ka më shumë poste për të kënaqur LSIstët dhe të gjithë biznesmenët e uritur të këtyre 8 viteve të fundit.
    Kokëdhimën e kemi në mënyrë deklarative në vend të dytë a të tretë, nuk do të më surprizonte sikur ministra të vendoste gjithë biznesmenët e tjerë që janë “jashtë”, duke e kthyer qeverinë e ardhshme në një qeveri që shikon dhe punon për bizneset e mëdha…

  2. Pingback: Duke kërkuar Shqipërinë time |·

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s