Pakti Rama-Meta dhe ku gabojnë (qëllimisht?) pragmatistët

pragmatic_word_of_the_year_AP111214066065_fullwidth_620x350

Kur aleanca Rama-Meta u bë publike, u duk se orteku i pakënaqësive do të lëshohej teposhtë pafund për të mbërritur deri te kutitë e votimit më 23 qershor 2013. Te një palë zgjedhje që shumëkush i konsideron historike. Kishte dhe nga ata, cinikë të përhershëm, ose që dinë të jetojnë përtej emocionit, që thanë se edhe kjo çudi, si shumë të tjera, do të zgjaste vetëm tri ditë. Ata që e mbështetën paktin Rama-Meta, dhe që filluan të njihen në media si pragmatistët, në opozitë me të tjerët, moralistët, që e konsideruan në vrik si amorale partneritetin e ri politik mes krerëve të së majtës, e ndërtuan argumentin e tyre te ajo se, politika operon me kode të tjera morale. Sipas tyre, ajo që është morale në fe, familje apo shoqëri, nuk aplikohet edhe në politikë tale quale. U thirr në ndihmë Makiaveli dhe teoria e tij e famshme e qëllimit që justifikon mjetin, pra lëvizjet makiaveliste si të përligjura edhe në rastin dhe kontesktin shqiptar Rama-Meta.

Pavarësisht se apriori ngjan sikur kjo teori makiaveliste mund ta ilustrojë dhe përligjë aleancën e konsideruar si amorale prej shumëve, pragmatistëtharrojnë, ose bëjnë sikur, dy tipare solide që e kundërshtojnë ‘teorinë’ e tyre.

Së pari, një lexim dëshiror i Princit të Makiavelit, pra një shkëputje prej kontekstit ose tjetërsim i thelbit të idesë të tij, sigurisht që mund të aplikohet mbi teori të ngritura shpejt e shpejt, të cilat megjithatë, i bien ndesh konceptit të makiavelizmit sipas vetë Makiavelit. Kështu, kur Makiaveli ia lejon Princit të tij, që për hir të qëllimit të përdorë çfarëdo mjeti, ai nuk ka parasysh interesin e Princit, por të Principatës, që do të thotë të bashkësisë, që do të thotë në këtë rastin tonë postmodern, të asaj që ne quajmë interes publik. Pyetja, atëherë bëhet: a ishte lëvizja e Ramës në drejtim të Metës, por edhe e Metës në drejtim të Ramës, me të mirën publike në sy, apo qe thjesht një bast personal për një përfitim gjithashtu personal? A është pra morale një lëvizje, një qëllim, që për interesin personal përdor mjete që paraqiten si më të mëdha se qëllimi, domethënë interesi publik? Kjo pyetje, sigurisht, mund të marrë përgjigje të ndryshme, por autori i këtyre radhëve është përgjegjës vetëm për përgjigjen e vet.

Së dyti, kur pragmatistët flasin për moral, ata bëjnë një shmangie, ose gabim, cilësore dhe sasiore, njëkohësisht. E konsiderojnë moralin si entitet publik. Në fakt, siç nuk ka fajësim apo përgjegjësi publike, nuk mund të ketë as moral publik. Është si të bësh përgjegjës shqiptarët për regjimin e Enver Hoxhës, për shembull. Ngjashëm, morali ose jo i aleancës Meta-Rama nuk cënohet nga një raport i rigjetur i familjes socialiste të ndarë në dy pjesë, por nga protagonistët e bashkimit dhe moralet e tyre individuale. Publiku nuk reagoi i çmeritur ngase pakti Rama-Meta bënte fitues të majtën, dhe kjo ishte e pamoralshme, por sepse publiku nuk kish arritur ta digjte ende celuloidin e perceptimit të nbetur mes nesh nga videoja Prifti-Meta, dhe as reagimin e Ramës ndaj tij, apo reaksionin zinxhir të ngjarjeve të prodhuara prej tij. Reagimi i fortë publik shkonte në fakt në favor të Ramës së parë, atij që deklaronte se “Ilir Meta po u thotë se ajo që keni parë nuk është ajo që keni parë”. Për të mos harruar se ai amoralitet kish nxjerrë në shesh, nën thirrjet e fortafolësit e z. Rama, mijërat që protestuan dhe të katër ata që u viktimizuan. Përpjekja për të legalizuar një moral publik është e kotë: publik është vetëm opinioni që e ndërton dhe e kërkon; morali mbetet individual.

Shikoni pra, se si lëviz logjika e pragmatistëve sipas volisë, duke u futur edhenë krah të kundërt: kur morali është publik, ai argumentohet si personal, dhe kur është personal argumentohet si publik.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s