Kreshnik Spahiu, i vetëm mes të pabarabartëve

?????????????????????????????????????

Kreshnik Spahiu nuk ka ndryshuar shumë. Pas një takimi blitz me ambasadorin amerikan në Tiranë, Alexander Arvizu, kreu i AK ia ka hequr një pjesë të dinamitit nacionalist ligjërimit të tij, por demagogjia sërish mbeti pjesë e pandarë e aparatit të tij komunikativ. Si të kish kompleksin e Napoleonit, të cilin nuk ndejti pa ia përmendur as kryetari i opozitës Edi Rama, kur e quajti ‘xhuxhmaxhuxh’, ai ka operuar me grandiozen dhe hiperbolën duke u bërë herë pas here qesharak. Aleanca ka 1 milion anëtarë, mburrej ai nëpër mitingje apo studio televizive duke gjetur këtë anëtarësi të shfrenuar edhe si burim të financave të formacionit të tij politik, të cilat edhe sot vazhdojnë të mbeten misterioze.

Përveç numrave ai ofronte edhe një trans nacionalist, i cili konturohej, as më pak e as më shumë se te një bashkim i shqiptarëve në Ballkan. Aty ku shfaqeshin shenjat e një kundërvënieje me ngjyrime etnike, aty ia behte Kreshnik Spahiu. Luftë për varret, për flamurin, për Çamërinë, për Kosovën, për detin. Në një imtim të hapur të Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, por pa pendulin intelektual të Albin Kurtit, ai u bë shpejt një prej portreteve televizive kryesore në vend. Berishës, Ramës, Metës, Topit iu shtua edhe Spahiu. Ky i fundit ama ishte këtu me qëllimin për të spastruar të parët. Për një klasë të re politike.

Dy pëllëmbët e duarve të hapura e të ngërthyera për të formuar flatrat e shqiponjës, u bënë simboli i tij nëpër mitingjet e shpeshta, rekuizita e të cilave duhet të ketë xhelozuar shumë prej partive të vogla e ndoshta edhe të mëdha. Shenjë tjetër dalluese e tij u bënë edhe xhaketa stil ushtarak, të mbërthyera gjer në grykë, në ngjyrë të murrme ose të zezë, sikur të mos e trembte aspak krahasimi me liderët fashistë. Dy lejtnantë të tij ishin, një kolonel në pension dhe një ish-sekretar i rinisë komuniste në fund të viteve 1980. Ai vetë, i shkarkuar me ceremoni si nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë pas konfliktit të hapur me Partinë Demokratike në pushtet, jurist me profesion, që kish bërë edhe një provë në KQZ, por edhe OJQ-të që në Shqipëri sa më të theksuar ta kenë jQ-në, aq më qeveritare janë.

Përballë kësaj tresheje pa alkimi kreshpërohej përherë një dallgë e re pjesëmarrësish në tubime, e cila dukej, më shumë se dëgjonte liderin në tribunë, tundte me më shumë tërbim se sa kërkon dekori i një grumbullimi politik, flamuj kombëtarë. Takimet e AK kishin diçka amorfe në formë dhe përmbajtje; nuk ngjisnin por bërtisnin; në to nuk thuhej asgjë serioze, por emëtoheshin nga kanale televizive megjithatë. Te kjo përsëritje nëpërmjet sinjalit televiziv, më shumë se nëpërmjet mesazhit, Kreshnik Spahiu erdh’ e u bë mainstream. Ai në realitet ishte një efekt televiziv më shumë se një kërkesë e publikut për një vend, të hamendësuar bosh, në spektrin politik.

Kur erdhi prilli, diçka ndodhi në repartin politik, që në fjalët e Edi Ramës priste dëshminë e asaj se AK ishte shqiponjë opozitare apo sorrë. Pasi Spahiu, në emër të Aleancës Kuqezi vendosi dhe shpalli se nuk do t’i bashkohej koalicionit opozitar, kreshniku televiziv u bë liliputi i radhës. Kryetari i opozitës që i kish hedhur shkabës nacionaliste të AK copa nga mishi i tij për muaj të gjatë udhëtimi politik me radhë, e sikterisi si sorrë. Të majtët, në heshtje mund ta kenë neveritur Kreshnikun megjithë mizanskenat e tij, por edhe ai bënte, edhe ai duhej për ‘aleancën e qelbësirave’.

Vendimi për të dalë vetëm në zgjedhje, për të ndenjur në mes i Kreshnik Spahiut, ishte i tillë që binte në kundërshtim me të gjithë e gjithçka, madje edhe me veten (politikisht). Të gjithë kishin vënë bast një koalicion të AK me Partinë Socialiste. Për të kuptuar këtë shmangie, këtë devijim të teorisë së pranuar përgjithësisht, ata në të majtë preferuan një linjë konspirative, sipas së cilës Spahiu ishte një sajesë e pushtetit për të çorientuar popullin opozitar. Anipse kjo i bënte të dukeshin mendjemefshët në sytë e opinionit publik. Pse, ku paskeni qenë dy vjet me radhë kur e mbështetët me logjistikë dhe fabrikuat kohë televizive për të, si nuk e kuptuat se ai punonte për Berishën?

Një përgjigje ndoshta më e saktë duhet kërkuar te natyra e populizmit, duke pranuar se Kreshnik Spahiu, më shumë se politikan është shfaqur si demagog e populist. Kjo sepse horizontalja e ligjërimit të tij zgjatej në të dy krahët me fantazi në vend të alternativave politike: bashkim të shqiptarëve, ndërrim të toponimeve të huaja, zëvendësim të klasës politike, e të tjera. Një rishpikje e atdheut, si të thuash, një tokë të re për shqiptarët, përshtatur sipas kërkesave të veta.

Në fund të fundit, Kreshnik Spahiut nuk mund t’i kërkohej një akt politik në fund të rrugëtimit të tij, kur ai çdo aksion e kish ndërtuar mbi apolitiken, pra mbi demagogjinë dhe populizmin. Siç nuk mund t’i kërkohej që të dilte nga ajo treshe e artë, nga ai trirremësh Spahiu-Pashaj-Bashkurti, maja e të cilit ishte ai, për t’u bërë pjesë e një gravure politike ku ai do të mbetej, për të përdorur sërish fjalët e Ramës, ‘një xhuxhmaxhuxh’.

Ai shkoi kundër të gjithëve, madje edhe kundër vetes, për t’u kënaqur me reflektimin e vet në pasqyrën elektorale. Atij i pëlqen më shumë vetja si shëmbëlltyrë e madhe populiste sesa si fakt i vogël politik. Kjo garë mes pasqyrës dhe qelqit do të vazhdojë deri të nesërmen e 23 qershorit. Atëherë, në të majtë ose në të djathtë mund t’ia kenë nevojën atij dhe AK, ose ‘të pakënaqurit’ me sistemin e ngritur nga dy partitë e mëdha do të jenë rrudhur aq shumë, sa sistemi do ta nxjerrë po nga dritarja.

Në të gjitha rastet ish-nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, prodhim i sistemit që anatemon prej muajsh me radhë, duhet të mbahet mend për koherencën me veten. (Ai e nisi si populist e si i tillë vendosi ta bitiste). Më shumë se brilantinën në flokë, xhaketat me profil ushtarak, duart që bënin një shqiponjë me gishta, apo atë momentin e famshëm, kur me dylbi, si kapedanët e një kohe të shkuar shihte kufijtë detarë të Shqipërisë. Kujtimi i tij nuk do të jetë i përjetshëm megjithatë.

Një përgjigje ndaj “Kreshnik Spahiu, i vetëm mes të pabarabartëve

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s