Incidenti i Vjenës: sepse Tirana prodhon më shumë konflikt sesa mund të konsumojë

egin-ceka-dhe-edi-rama

Seç ka ndodhur para dy ditësh në Vjenë ndërmjet Edi Ramës, kryetar i opozitës dhe Egin Cekës diplomat shqiptar istacionuar atje, nuk dihet saktësisht nga ne që e kemi marrë lajmin me dy krena, përmes përthyerjes së zakonshme politike. Të opozitës ngulmojnë se ka ndodhur një konflikt verbal mes një ‘pyetësi të porositur’ dhe kryetarit të tyre, ndërsa të qeverisë e kanë shpallur incidentin si ditën e moskundit. Çfarëdo të ketë ndodhur në Vjenë, në atë qytet që rri në imagjinatë si një waltz i Shopenit, mbi të cilin shqiptarët derdhin bataretë e zemëratave politike, nuk është për herë të parë. Në vitin 1931, dy emigrantë politikë, Aziz Cami e Ndok Gjeloshi i zunë pritë mbretit Zog ndërsa dilte nga opera. Atentatorët qëlluan 9 herë, sipas shtypit vjenez të kohës, por Zogu shpëtoi. Gazetat austriake, e të tjera perëndimore, shkruan, siç bënë edhe herë të tjera, për dërgatat laramane shqiptare; në Konferencën e Paqes në Paris, për shembull, në vitin 1919 e pse jo edhe 80 vjet më vonë në Rambuje. Ky etyd historik, për të thënë se kemi qenë të ndarë sot e mot dhe kemi ditur, pa përtuar fare, ta nxjerrim këtë hendek mes nesh edhe përtej kufijve.

Te ndarja sigurisht nuk është fuqia jonë, por ceni. Por ndjesia e dasisë që mund të shkaktojë interpretimi i ndarjes s’ka pse të na ndalojë të flasim për të dyja anët e medaljes që e shkaktojnë këtë hendek. Për Edi Ramën, për shembull, karikatura e të cilit nuk është se i bie domosdoshmërish kornizës së Shqipërisë. Ekzagjerimet e tij e tejkalojnë edhe shfrenimin estetik të Konicës ‘Shqipëri të kam dhjerë’, vjegë të cilën pat zgjedhur edhe vetë Rama në përpjekjet e tij intelektualo-politike mes Tiranës e Parisit. Kjo Shqipëri e sfilitur, të cilën Rama mund ta shpëtojë nesër, sikur atdhetë shpëtohen duke hequr saora xhaketën Brioni e duke ua hedhur supeve të dërrmuara, duron megjithatë.

Por edhe për Egin Cekën, diplomatin e ri e të talentuar, sipas burimeve qeveritare, i cili gjithashtu në anën e tij të hendekut e ‘dhjet’ Shqipërinë me mënyrat e tij. Një diplomat është, le të bëjmë një përkufizim, përfaqësues i interesave të Republikës së Shqipërisë dhe qytetarëve të saj në botë, që do të thotë edhe të z. Rama apo të miave. Ai ka, sigurisht, ‘libër të librave’ Kushtetutën e Shqipërisë. Në rrafsh publik ai duhet të jetë laik, siç ia kërkon kjo Kushtetutë. Faqe të ndryshme online e paraqesin z. Ceka si autor të një blogu i cili fillon me fjalët bismilahi rrahmani rrahim dhe vijon me një pakënaqësi të tij ndaj një deklarate të Papës Benedikti XVI. (Po kaq kundërvajtës do të kishte qenë blogu i tij edhe nëse fillonte me Kjoft lëvdue Krishti).

Ashtu si për atentatin e mërgimtarëve politikë ndaj mbretit Zog, edhe për këtë ‘atentat’ të vogël gjithashtu vjenez, të ndodhur 80 vjet më vonë, disa do të jenë me Ndokën e disa me Ahmetin. Por Edi Ramën nuk mund ta gjykojmë për atë që mund të jetë, pra Kryeministër i Shqipërisë, dhe Egin Cekën të mos e gjykojmë për atë që është, diplomat i Republikës së Shqipërisë.

(Sa për etyd historik, Çami e Gjeloshi qëlluan mbi mbretin Zog kur ai po dilte nga opera Palaçot.)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s