Ç’kërkon (dhe s’merr) LSI, nuk është problem i sistemit

kqz

Lëvizja Socialiste për Integrim, gjykuar nga deklaratat e eksponentëve të saj, kërkon që të jetë parti edhe në opozitë, edhe në pushtet. LSI kërkon (nuk dika gjë hiç!) edhe të mirat e pushtetit potencial të nesërm, edhe favoret e pushtetit të sotëm. Më saktë, partia e Metës kërkon ta ketë anëtarin e saj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si parti e dytë e mazhorancës, ndërkohë që, vini re, është partia e dytë e koalicionit opozitar që prej 1 prillit.

Lehtësia me të cilën LSI zemërohet me vendimin e Komisionit të Ligjeve për ‘lirimin’ e komisionerit të saj në këtë institucion, duke respektuar qartë atë që thotë Kodi Zgjedhor, duket se ka të bëjë me frymën, të vetmen frymë që ky formacion politik kërkon të injektojë në politikën shqiptare: diktaturën e relativitetit. Që do të thotë, çdo gjë është relative, çdo standard mund të përdoret në të dyja anët, inkoherenca është koherencë, nuk ka moral në politikë, e mëtime të tjera të llojit parapolitik.

Nasip Naço shpalli dje se ‘Partia Demokratike filloi nga manipulimi i zgjedhjeve’. Çuditërisht, PD i hyri kësaj valleje bash kur LSI nuk është më në koalicion me të; kur z. Naço nuk është më ministër, kur ai me të tijtë po punojnë për kalimin e butë në pushtetin tjetër, anipse për qëllime opozitare përdorin mjete mazhoritare.

Z. Naço dhe partia e tij nuk mund t’ia kërkojnë më ligjit atë që duhet t’ia kërkojnë partnerit politik. Dhe ky partner është Edi Rama dhe Partia Socialiste e Shqipërisë. Kodi e thotë qartë: “Partia e dytë e koalicionit opozitar merr një vend në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”. Aktualisht, këtë vend e mban PBDNJ, por ajo bie si e tillë me ardhjen në koalicion të LSI. Një pakt zotërinjsh si ai që u arrit për koalicionin mes Ramës e Metës, duhet certifikuar edhe për vendin në KQZ. Përndryshe, Shqipëria do të hynte me një rekord të ri në literaturën elektorale botërore ku zgjedhjet i mbikëqyr, i rregullon, i certifikon dhe i ruan opozita. Në një rast të tillë kujt do t’i drejtohen palët; kujt do t’i paraqiten ankimimet për parregullsitë në zgjedhje: opozitës?

Nëse LSI kërkon një republikë utopike ku vendimet i merr pakica, qoftë edhe ajo në autoritetet elektorale, qoftë në Parlament, kemi as më shumë e as më pak, përmbysjen, jo vetëm të rregullit dominues të qeverisjes prej shumicës, por edhe të vetë kuptimit të garës dhe konkurrueshmërisë. Opozitave vetëm në raste ekstreme u bëhen lëshime, por ato janë të përkohshme dhe nuk bëhen rregull. Një rast që e ilustron natyrën e këtyre lëshimeve janë zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, ku makinacionet e qeverisë socialiste të kohës, prirë prej Ilir Metës, sot kryetar i LSI, prodhuan atë që u fut në terminologjinë politike si mega-Dushku, një artific në sistem prej nga ‘mbiu’ një parlament që përfaqësonte një votë të shtrembëruar të shqiptarëve. Opozita e asokohe, prirë nga Berisha, mori si lëshim të kësaj shkeljeje të njohur dhe të pranuar nga ndërkombëtarët, veton për Presidentin e Republikës. Pra, opozita u ndihmua sepse ajo u tkurr me mjete antidemokratike. Asokohe ishim në vitin 2001 dhe ai ishte rasti. Sot jemi në vitin 2013 dhe nuk është ky rasti.

Opozita e sotme është një hermafrodit politik me kokën e Ilir Metës dhe trupin e Edi Ramës, që ka numrat dhe ngjyrat e pushtetit sepse vjen si pjesë e pushtetit katërvjeçar. Ajo nuk ka pse kërkon lëshime dhe as luajalitetin e partnerëve të dikurshëm. Luajalitetin ta kërkojë te partneriteti i ri. Vetëm nëse LSI-në e ka kapur sindroma e të dytit që mendon se është i pari, ekingmaker-it që kërkon të bëhet king. Mund edhe ta ketë kapur, por problemi është i saj; as i opinionit e as i sistemit.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s