Thatcher vdiq, thatcherism-i duhet të jetojë… të paktën në Shqipëri

Margaret Thatcher

Margaret Thatcher-i as nuk mundej dhe as nuk shqetësohej për të jetuar përtej ndarjes ideologjike, madje më shumë se kaq ajo krijoi trashëgiminë e një ideologjie që, megjithëse bazohej te konservatorizmi dhe mendimtarët e tij, shkonte dhe më tej se kaq, duke i bërë vend asaj që sot njihet si thatcherism. Më shumë se një model ekonomik, ishte një mënyrë të jetuari. Një antimënyrë në daç; për këtë ndoshta duhet ndihma e një maksime të saj: Problemi me socializmin është se, herët a vonë, parave të të tjerëve u vjen fundi.

Përtej kësaj pyetja është: a mund ta shpjegojë, ose a kemi nevojë përthatcherism në Shqipëri. Thatcherism-i përveçse ideologji në vetvete është, paradoksalisht në dukje, edhe triumf i individit mbi ideologjinë. Në kuptimin që Margaret Thatcher me prejardhjen e saj i kaloi kufijtë dhe përkufizimet e klasës dhe lidhjes absolute të shtresës shoqërore me ideologjinë. Në atë parimin e ngurtë dhe klasik: të pasurit janë të djathtë e të varfrit janë të majtë. Në Shqipëri ka pasur dhe ka një përpjekje dhe tendencë për t’i kompleksuar të djathtët, duke u kujtuar origjinën e tyre klasore ose shtresën. (Aq më keq kur kjo bëhet nga pinjollët e një klase ngjitja e së cilës ka nisur më 1944). Opinionistë të majtë shpesh e përdorin si argument faktin sesi individë të ndryshëm janë jashtë kohe e jashtë kuptimi me prirjet e tyre të djathta, kur prejardhja e tyre është modeste. Duke mos e kuptuar dot përkatësinë ideologjike si prirje kulturore, por vetëm si një fatalitet, askush më shumë se Margaret Thatcher, e bija e një bakalli, (grocer), nuk i përgënjeshtron ata. Të jesh i djathtë, më shumë se përkatësi klasore është të besosh tek individualiteti dhe jo kolektiviteti, të besosh tek oportunitetet e barabarta, por jo barazia në mjerim.

Një atu tjetër e Thacher-it, për të cilën klasa politike shqiptare është në nevojë, mbetet guximi për të qenë jopopuliste. Margaret Thatcher e ka parë disa herë veten të varrosur në anketat e pëlqyeshmërisë së publikut, i ka shpëtuar një atentati që i mori jetën një ministri të saj e disa personave të tjerë, e megjithatë ka vazhduar me politikat e saj. Rezultati: tre mandate personale dhe dy të tjera për Partinë Konservatore, duke i lënë Laburistët 17 vjet larg pushtetit. Shqipërinë, sidomos në këtë fushatë elektorale, nuk e shpjegon asgjë më shumë se populizmi banal. Premtime hiperbolike të pashoqëruara me një fature financiare janë bërë të zakonshme, nga njëri krah në tjetrin, e sidomos majtas.

Thatcher-i jep edhe një leksion për gratë e politikës shqiptare. Disa syresh e pëlqejnë fërkimin e ashpër të epitetit Zonja e hekurt duke e ëndërruar për vete, dhe në nxitim të këtij komplimenti harrojnë se Thatcher-i u etiketua kësisoj nga kundërshtarët (një gazetë ruse), dhe jo nga servilët, por edhe se ajo e meritoi këtë emër me aksionet dhe jo fjalët e saj.

Aksionet e saj, duhet thënë, e merrnin frymën e tyre te këto fjalë të Abraham Lincoln-it:

Nuk mund ta forcosh të dobëtin duke dobësuar të fortin, nuk mund të sjellësh prosperitet duke shkurajuar kursimet, nuk mund të ndihmosh rrogëtarin duke sulmuar rrogëpaguesin.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s