Ai që lexon heshtjen e Ramës dhe historinë e Berishës

image: Bujar Kapexhiu

image: Bujar Kapexhiu

Fillimi i fushatës së zgjedhjeve më gjeti në këndin e mënjanuar të meditimeve dhe dëshpërimit. Kështu shkruan Preç Zogaj në një prej librave me ese politike botuar para 10 vjetësh, por duket sikur kjo fjali përshkruan të sotmen e tij. Meditimi më shumë se dëshpërimi duket se banojnë në mendimet e Preç Zogajt, në kokën e tij ku grija është ulur mbi flokë duke i dhënë hijen e një patrici, një shenjë e historisë së stuhishme të poetit-politikan. Është më vete tani. Para pak ditësh ka hedhur mbi letër ndarjen nga Opozita e bashkuar, pas vendimit të liderit të saj Edi Rama për të ftuar në koalicion parazgjedhor një prej partive qeveritare, Lëvizjen Socialiste për Integrim. “Intelektualisht e politikisht jam kandiduar kundër kësaj aleance, kundër marrëveshjes e koalicionit opozitar aktual”, kumton Zogaj. Në një kafene të Tiranës, pak metra larg studios së tij, ku ngjiz libra dhe bën kalkulime politike, ai herë pas here ngre kokën nga televizori në mur ku shfaqet figura pa zë e me titra e kryesocialistit Rama. Të duket disi e çuditshme që Rama ka braktisur një orator e një shkrimtar si Zogaj për Ilir Metën, i cili kur e pyetën për Kurbanin tha: “Ilirin e besoj se nuk e ka lexuar. Iliri nuk lexon libra.” Pse, atëherë? Pragmatizëm po e quajnë këto kohë.

A e shqetëson Zogajn kjo përpjekje nonchalante për të demistifikuar moralin e mistifikuar pragmatizmin politik, për të kaluar si të ishte një vesë shi një salto mortale nën shkujdesjen e frazës ‘oh, është politikë’? “Ky është një pragmatizëm që shkon përtej termit, për kohën dhe mënyrën me të cilën u krye. Një pragmatizëm që likuidon çdo rregull, një pragmatizëm që shkon përtej edhe vetë makiavelizmit”, përgjigjet Zogaj. Shton se pasojat e kësaj janë antiedukative, sepse shkojnë në kah të kundërt me shkollën politike perëndimore që jemi munduar të imitojmë e të fusim në Shqipëri. Është, vijon ai, shthurja e një investimi të gjatë për një kulturë politike normale.

Çfarë tjetër shkon përtej normales në këtë pakt të ri PS-LSI? Koalicioni i ri prish skemën mazhorancë-opozitë, bie kuptimi i garës, përgjigjet Zogaj, duke shtuar se kjo e privon publikun nga gjykimi më vete i një partie qeverisëse. Por, politikani që jo vetëm e jeton dhe studion, por edhe shkruan për politikën, siç dëshmojnë 5 librat me ese që përbëjnë një bazë të antropologjisë politike shqiptare të tranzicionit demokratik, sheh edhe shenja të tjera te kjo lëvizje. “Nuk është thjesht koalicion, është diçka më shumë, është një shkrirje e PS me LSI”, vëren ai. Arsyetimi i kësaj ka të bëjë me atë se PS po fut në listat e saj kandidatë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. “Është si një kthim në fis”, ngulmon Zogaj, që vazhdon të shpërqendrohet nga televizori. Ai është mes bisedës me mua dhe sinjalit televiziv, siç ka qenë dy-tri javët e fundit mes Ramës dhe largimit prej tij. Kokën diku, e zemrën tutje. Historinë në PD, e aktualitetin në kampin kundërshtar.

BISEDA RROTULLOHET TEK ATO DY JAVË të turbullta mes tij dhe Ramës. Një ecejake komunikimesh e sqarimesh që u pasqyrua në shtyp njëanshëm: Zogaj që fliste e Rama që s’pipëtinte. Zogaj thotë se ishte një përpjekje e tij për të vendosur kontakte, për ta parë në sy, për t’i lexuar heshtjen, gjestet. “Jam i vjetër në politikë”, sqaron butë, sikur të thoshte se po i pëlqente kjo kafe. Shton se në komunikim e sipër po kërkonte një arsye të cilën pranon se e gjente tek ajo që po ndodhte, por nuk i besohej. Ndodhesha, dhe citon Migjenin, përballë një mali që s’bëzan. Derikur një ditë, në mes të komunikimit që më shumë në fakt ishte ‘lexim’ që Zogaj i bënte Ramës, hyri një fjali që i shkundi të gjithë; malin e heshtur, Zogajn që qiste fallin e tij politik mbi letrat e Ramës, por edhe raportin mes tyre. Po pres LSI, i tha.

Jo se nuk e pat ditur. E pat lexuar te gjestet, shenjat, heshtja e Ramës. Siç thotë duke nxjerrë prej sëndukut erëmirë të metaforave një maksimë ala Zogaj: Arsyetimi është më lajm se lajmi; shkon tek e vërteta më shpejt se lajmi.

Komunikimi, megjithatë vazhdoi. Një lojtar i vjetër i politikës nuk e ka të drejtën të trembet para tundjes së parë të këmbëve. “Doja t’i transmetoja përtej fjalëve të folura, një gabim me G të madhe që po dukej në horizontin e aksionit tonë politik. Sigurisht me aq sa më kishte hije dhe me sa forcë kishte argumenti im politik.” Pika G e gabimit ishte LSI. Më shumë se kaq, ishte edhe diçka e panatyrshme, që nxirrte edhe një mungesë transparence. Një Pazar mes dy njerëzve. Një after the fact për të tjerët. “Ai i dha Ilir Metës, një partie të mazhorancës, atë që opozitarët ia kërkuan e nuk e morën; vende në listat e PS.”

RRESHTON EDHE TË TJERA MINUSE të kalimit të LSI me Opozitën dhe njëra prej tyre është shmangia e ligjësive: cila është arsyeja e ikjes së Metës nga qeveria? LSI iku në nxitim të madh, sipas Zogajt, sepse ata nuhatën se Edi Rama nuk e kupton forcën e vet, nuk e kupton forcën e opozitës. Ndërkohë që LSI, sipas tij, nuk ishte dhe aq e bindur te forca e saj. “Rezultati i 8 majit ka qenë i fabrikuar: LSI nuk ka marrë realisht aq vota dhe ata vetë nuk e besonin se do merrnin aq edhe këtë herë, dhe prandaj ikën te PS”. Por, a ka pasur diçka pozitive te kjo aleancë ‘e pashenjtë’ mes dy forcave të majta? Zogaj e fillon me rreshtimin ideologjik: tani secili është në shtëpinë e vet; të majtët përballë të djathtëve. “Ky ideologjizim i garës i ka bërë mirë edhe PD: është një kushtrim për të djathtën e cila është zgjuar.”

E djathta që është zgjuar, a është e zgjuar, a e ka shqisën për Preçin një penë inteligjente dhe një ideolog, apo edhe brenda saj ndodhet një ilirmetëqë e vret papushim hijen e preçzogajt, kujtimin e tij, bashkë me mundësinë e rikthimit në PD? Shfletimi mbrapsht i historisë së tij me Demokratiken është një rilexim i Preçit nëpërmjet librave të tij. Ai e ka dokumentuar në stil të hijshëm projeksionin e vet mbi skenën politike shqiptare të këtyre 20 e ca viteve, por edhe pluhurin e kësaj skene në jetën dhe aksionin e tij. Kur flet për ndarjen me PD, një divorc të palumtur të kthyer në libër, ai e kujton si një incident që lidhej me respektin. “Partneriteti ekziston kur mbështetet te respekti; nuk ka qenë një vendim emocional, sepse, thonë shpesh ‘ai është poet, merr vendime emocionale. Unë mund të jem emocional në poezi, por jo në politikë, aty jam shumë i ftohtë.” I tillë, i ftohtë e pa pasion, duket se ka qenë vendimi i tij për të mos e pranuar propozimin e Berishës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009: i shtati në listën e Shkodrës. Një pozicion që në fakt do i kish siguruar katër vite si deputet i mazhorancës. Katër vjet më vonë, kur sapo ka kryer aktin e fundit të largimit nga një tjetër bllok politik, Zogaj thotë se lëvizjet e tij nuk kanë qenë zgjedhje. “Më shumë kanë qenë ikje nga një ngjarje, kanë ndodhur për të manifestuar identitet.”

Identiteti i tij sigurisht shtrihet edhe te zhvendosjet: themeluesi i Partisë Demokratike, pak pas ardhjes në pushtet të saj, u bë një prej ikanakëve gjatë skizmës së parë të Demokratëve prej nga doli PAD. Kur Demokratët humbin në zgjedhjet e vështira e të pabarabarta të ‘97-ës, Zogaj bëhet këshilltar i presidentit Mejdani e më vonë ministër në qeverinë socialiste. Pas një bashkëjetese të vështirë me të majtët, më 2005 kur Sali Berisha bën Hapjen e Madhe ai kthehet në PD bashkë me shumicën e ikanakëve të tjerë. Katër vjet më vonë, nuk e pranon vendin e 7-të në listën e PD në Shkodër. I bashkohet aksionit të opozitës së bashkuar, ku përveç tij militonin edhe ‘renegatë’ të tjerë të djathtë: Ngjela, Ndoka e Kurt Kola i të Përndjekurve. Ikën dy muaj para zgjedhjeve, kur Edi Rama bën pakt me Ilir Metën.

Nga hiri titullohet një prej librave të Preç Zogajt, ku interpretohet ringritja si e sfinksit e Partisë Demokratike të shtyrë në margjina në zgjedhjet e vitit 1997. I tregoj dy tre fragmente të nënvizuara në libër. I lexon. “Po të kisha lexuar librin tim ndoshta nuk do isha bërë pjesë e kampit opozitar”, thotë duke qeshur. Ndoshta shakatohet, ndoshta jo. Një ndoshta e madhe është edhe e nesërmja politike e Preç Zogajt. Por, ai ka jetën e tij paralele. Qorron sytë para kompjuterit duke bërë shkrime për gazetat për të mbajtur familjen, siç ka shkruar vetë në një koment të para do kohëve. Ndërkohë ka në dorëshkrim Plazmimin, një tekst që pret të bëhet libër dhe që flet për ngjarjet e vitit 1991 dhe si ato formësuan historinë politike të njëzet viteve të mëpasme. “Ndoshta ky është një tekst që më pengon për t’u bashkuar me PD-në’, thotë sërish me të qeshur. Ka çuar në shtypshkronjë edhe bocat e librit të fundit me poezi që del së shpejti. Në të ka një poezi për të atin, të cilit i thërriste nga oborri, sipas zakonit të vjetër: o, Gjon Zogaj! Jo nga oborri, por nga telefoni, ai ndoshta pret, nga ora në orë, një zë të vjetër që ta thërrasë për diku: o Preç Zogaj!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s