Fushë e blertë çorape të bardha

grant-park-soccer-field

Në Amerikën e vitit 1919, ashtu si dhe sot, sporti i preferuar ishte bejsbolli. Mitet bëheshin e zhbëheshin rreth kësaj loje që kulmonte me World Series, finalen që kurorëzonte kampionin e Amerikës. Të fiksoje rezultatin e një ndeshjeje të tillë do të thoshte të cenoje mitin amerikan të konkurrencës dhe të suksesit bazuar mbi talentin dhe garën. Por pakënaqësia e lojtarëve të skuadrës së Chicago-s White Sox ndaj pronarit të tyre që i paguante pak, kombinuar me epshin për fitime dhe sigurisht për të bërë një nga ato gjërat e mëdha të jetës, Arnold Rothstein, një bos i krimit të organizuar, njohur ndryshe si underworld, çoi në atë që njihet si Black Sox Scandal. Tetë lojtarë të skuadrës së Chicago-s e bënë me fjalë që ta humbnin ndeshjen finale ndaj Cincinati Reds. E gjithdo të luhej në baste me mbështetjen financiare të Rothstein aka the Brain (truri).

Në Shqipëri, rreth 100 vjet pas skandalit amerikan të bejsbollit, sportin dhe gjërat në përgjithësi ende i kemi në primitivitet: mitet, konkurueshmërinë, suksesin e ndërtuar mbi talentin e të tjera, vazhdojnë të jenë ëndrra amerikane për ne. As të fortët nuk i kemi underworld. Ata janë bërtitës, të pagdhendur e invazivë derisa udhëtimi nëpër këtë vrazhdësi t’i përplasë me hundleshin e tyre. Ca prej tyre i kemi edhe në politikë; kryetarë komunash, bashkish apo deputetë. Duke qenë se janë tipa lokalë, si në kulturë ashtu dhe në botë mundohen t’i shpëtojnë kësaj duke u lidhur me politikën dhe futbollin. U pëlqen shumë rënia, si dardha nën mollë, direkt ose indirekt, nësindromën Berlusconi, megjithëse janë shumë më të ngjashëm me liderët ose biznesmenët e republikave të vogla kaukaziane të ish-Bashkimit Sovjetik. Si këta të fundit kanë edhe pisqollat që vringëllojnë nëpër stadiume.

Kështu, ata plotësojnë së jashtmi atë që nuk kanë së brendshmi: pushtet, një skuadër lokale futbolli dhe një hekur në brez. Sa më i zymtë mjedisi ku gjallojnë, aq grotesk pluhuri i aksioneve të tyre. E rëndësishme është që ata të fitojnë: gara, një mjet demokratik i shpikur për ta nxjerrë barutin dhe forcën e padrejtësisë nga triumfi dhe suksesi nuk ekziston në formimin e tyre mendor. Nuk janë aq ambiciozë dhe gjenialë që të kërkojnë lavdinë as në truket e mëdha: nuk e kanë grintën amerikane të Arnold Rothstein dhe nuk dinë të jenë underworld. Kështu ata mbeten te grimca e tyre lokale, si  kryetari i Bashkisë së Gramshit që shpërtheu dyert e stadiumit për t’u futur në fushë me makinë; shenjë proteste ndaj gjykimit të ndeshjes. Pa kaluar as 24 orë nga ringjallja e Chuck Norris-it në Gramsh, bubullin ke shkëmbi i Kavajës. Elvis Roshi, kryebashkiaku socialist, të paktën sipas një dëshmie të trajnerit të Tiranës, Nevil Dede, është futur në dhomat e zhveshjes në pushimin e ndeshjes mes Besës dhe Tiranës duke goditur Deden dhe kërcënuar futbollistët e ekipit mik. I arrestuar nga policia, mbështetës të tij kanë protestuar para komisariatit të qytetit.

Ky nishan i fundit prej sejmeni politik, nuk e ka sofistikimin e Black Sox Scandal. Sa shumë Kavajë e sa pak Chicago që është. Është një skandal çorapesh të bardha. Një kronikë e radhës nga mjerimi tjetër i një tjetër njeriu në outpost.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s