Ilirian Celibashi, Formula e Pagëzimit…si Socialist

celibashi rama

Zyra e Ilirian Celibashit është në katin e dytë të një pallati, i cili kryen një hark pa triumf mu në buzë të rrethrrotullimit të “Zogut të Zi”. Dritaret shohin nga perëndimi dhe ai kuadrat i mirëmobiluar dhe i qetë kontraston me përfytyrimin e përgjithshëm të botës jashtë, por edhe atë që ndodh realisht atje, të botës që quhet te Zogu i Zi. Në përfytyrimin e anekdotave urbane se si Zoti e bëri botën, e ndër vendet e saj edhe Shqipërinë, duke hedhur këtej pari, në kalim e sipër, male, gurë e pështjellim, Zogu i Zi, brenda këtij figuracioni të sajuar, duhet të jetë njëfarë purgatori. Një rrëmujë e skëterrshme, një kanal kullues ku gjithçka e gjithkush do të kalojë medoemos, për të shkuar diku, në një destinacion fiks e final: parajsë, a ferr qoftë.

Është pak a shumë si udhëkryqi para juristit Celibashi; një burrë i imët, tek i cili dallohet kujdesi për veshjen, por jo teprimi: xhinset të prezantojnë amerikanin tek ai, ndërsa këmisha me vija nën një pulovër jakë V, në një portokalli të mbyllur, europianin. Udhëkryqi, kaosi i Zogut të Zi, është te përplasja e profesionit të tij aktual, jurisprudencës dhe tjetrit, që vetëm para pak ditësh ka pranuar t’i futet, politikës. Në ç’destinacion do përfundojë kypurgator i ri: në ferr a parajsë? Është i qartë dhe i qetë, ashtu si zyra e tij, kur e pyet për këtë: po e pashë se nuk bën për mua, largohem, thotë duke bërë me pëllëmbë të njërës dorë gjestin e ikjes në punë të vet, njëfarë vai via. Ka gjithmonë vend e punë në botë për avokatë, shton. (Sidomos në një vend purgatorik si Shqipëria).

Por, ai gjesti moskokëçarës i ikjes në punë të tij vjen e ndeshet në kujtesë me një tjetër dorë, më energjike, që bën shenjën e vet, për hesap të vet. Të Sali Berishës, kryeministrit të Shqipërisë që me dorën si simbol i thikës në qafë i kumtoi në parlament deputetit socialist Erion Braçe se ai nuk do të jetë në listën e deputetëve të Ramës. Një vjen e një ikën, apo jo… Një bie, një tjetër ngrihet. Ose, meqë jemi në shtrat të majtë politik: një bie, qindra ngrihen. Ilirian Celibashi është nga ata që hyjnë; nga ata që ngrihen. Vendin e kujt ka zënë? Duket se nuk është shumë i prekur nga debati politik, sepse ai nuk është i huaj për të. (Ka qenë kryetar i KQZ, të kujtohet?) Të paktën në dy raste, sipas tij, kryetari socialist Rama i ka kërkuar të angazhohej. Jo drejtpërdrejt në formën ‘pse nuk vjen në PS, të të bëj këtë e atë, por më shumë si njëfarë thirrjeje civike të llojit ‘pse nuk angazhohesh, vendi ka nevojë për ty’. Ky vendim këtë herë, në këto kohë, një vend i sigurt në listën për deputet të Partisë Socialiste, përkthehet në ‘vendi ka nevojë për PS’. Po, pse ky popull duhet të votojë Partinë Socialiste, çfarë ofron ajo, pse është ndryshe nga tjetra, pse i ka ardhur koha, bëhet pyetja. PS mund të mos i ketë ardhur koha, por një gjë dihet me siguri: PD i ka ikur koha, është përgjigja.

NDOSHTA KESHTU SEPSE edhe refreni është bërë një fjalë e vetme: Rotacion. Por, a do kemi rotacion nëse, le të themi, 20 për qind e pushtetit aktual, d.m.th LSI, kalon në anën tjetër dhe merr 3-4 vende ministrash në një qeveri të majtë? Rotacion ka gjithmonë kur ka një ndryshim, thotë Celibashi. Edhe nëse PD e PS bëjnë koalicion bashkë, prapë kemi rotacion, shton në formë shakaje. (Ja edhe një ide për të qenë.)

Meqë jemi përballë një juristi politikan, pse jo edhe një ngacmim që vjen si xixë e përplasjes së individit me kultin e individit. Si do ia bëjë një jurist profesionist, një individ si Ilirian Celibashi me kultin e individit tashmë statik në të dyja partitë e mëdha PD e PS, mishëruar në emrat dhe personat e Ramës dhe Berishës? Nuk i bën dredha argumentit duke u munduar ta hollojë tretësirën dramatike të vertikalitetit në dy kampet kryesore. Pranon pa stërhollime se është e vërtetë që me sistemin e ri votohen siglat dhe kryetarët duke u zbehur kandidatët, individët, personalitetet në politikë. Por një përpjekje për zhdramatizim nga ana e tij, shton se edhe më parë ka qenë kështu: kryetarët kishin peshë. Në fakt, jo: më parë, pavarësisht karizmave dinosaurike të Berishës e Nanos, kishte edhe horizontalitet, edhe ekip. Qoftë edhe në përplasje e skizma. Fizarmonika politike hapej anë më anë.

Një rrugëdalje nga sheshimi i personaliteteve për hir të gungës së madhe të kultit të individit, të njëshit, në kurrizin e politikës shqiptare mund të gjendet ndoshta pikërisht te sistemi elektoral. Celibashi thotë se preferon mazhoritarin dhe se në qershor sistemi aktual, ose e tregon veten të vetëmjaftueshëm, ose do të bëjë zë për ndryshim. Domethënë do të jetë një sistem elektoral, megjithëse u kërkua në mbarë Europën për t’u gjetur më në fund në Spanjë, që bie nën peshën e rrënimit të vet. Nëse më 24 qershor kemi sërish një ngërç, nëse nuk prodhohet një shumicë e qartë, ky sistem, pjesë e ndryshimeve kushtetuese për të shmangur, ndër të tjera, krizën e zgjedhjes së Presidentit, rezulton përfundimisht i dështuar.

PAS SHPINES SE TIJ rrinë në shtiza, të tendosur e brenda heshtjes së atllasit dhe simbolikës së rëndë, dy flamuj. I pari, shqiptari me shkabën dykrenëshe dhe një tjetër, ku dallohen shkronja të bardha që harkohen rreth një koke apollonike; një imazh i ngrirë në shtampën e rimarrë të një motivi në mermer. Shqiptari do të jetë në zyrën politike të Ilirian Celibashit, tashmë kandidat për deputet i PS, dhe vendin e tjetrit do e marrë sipas gjithë gjasash flamuri rozë me lulëkuqen e partisë së majtë. Është flamuri i shoqatës ‘Pal Engjëlli’, sqaron Celibashi, ambasadorit special të Skënderbeut, kardinalit katolik shqiptar dhe autorit të së parës fjali të njohur në shqip Formulës së Pagëzimit. Një grup gjyqtarësh, avokatësh e profesionistësh të tjerë, me paratë tona, kemi ngritur këtë shoqatë kulturore dhe kemi financuar një bust të Engjëllit dhe një të Skënderbeut të vendosur në Kalabri, në qytete të banuara nga arbëreshë. Ja një burrë, Pal Engjëlli, si model për juristin Celibashi. Përmend edhe një tjetër, Fan Nolin, një figurë sipas tij, gjeniale që bashkonte aq shumë talente te një njeri i vetëm sa të duket e pamundur ekzistenca e tij. Edhe politikisht i talentuar. Hm! Revolucioni i qershorit, lidhja me qeverinë bolshevike që trembi Europën, reforma utopike të premtuara….?

Biseda, shtyrë nga prania në të e shenjtërive të tyre Engëllit e Nolit mbërrin te: A beson në Zot? Jo, jam ateist. Një jurist shqiptar, ish-kryetar i Komisionit të Zgjedhjeve, një institucion që bëhet target i preferuar i politikës në çdo fushatë, kandidat për deputet i një force të majtë, që kryeson një shoqatë kulturore jo përfituese e pagëzuar sipas kardinalit katolik Pal Engjëlli, ateist që ka model një arqipeshkv ortodoks, të përndriturin Fan Noli, nga Fieri, një bastion i majtë, sikur komunizmi të mos kish rënë kurrë. Në këtë qytet në fletëvotimin e zgjedhjeve të 23 qershorit do ta keni nën një numër e nën një sigël, por edhe nën hijen e gjatë të Edi Ramës. Atë që numër nuk do të jetë, sigël s’ka se si, por nuk preferon as hijen. Por ky njeri, brenda e jashtë kundërthënieve të tij, brenda e jashtë kundërthënieve dhe politikës së Tiranës, si rasti e Zogut të Zi ku ai ka zyrën për shembull, rrethrrotullim apo mbikalim, është Ilirian Celibashi. Pal Engjëlli, për ta shpëtuar, edhe ngaateizmi edhe nga purgatori që është Zogu i Zi, e Shqipëria me gjithsej ndoshta, do të ndjente nevojën t’i pëshpëriste në një shqipe të vjetër: Un’te paghesont’ pr’emenit t’Atit e t’Birit e t’Spirit Senit.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s