Tristan Halilaj, Një film dhe saga e gegnishtes

Kanë qenë të vetmet fjalë të filmit bazuar në ngjarje, gjeografi e gjuhë gege që kanë ardhur në toskërisht. Ishte një thyerje e epikës së deriatëhershme të filmit; një humbje në përkthim, një panevojë. Ishte sikur një pasazh nga “Lahuta e Malcis” të përkthehej në shqipen standarde, apo sikur, zi e ma zi, “Iliada” e Gjon Shllakut të mos vinte në shqip përmes epizmit të gegnishtes, por të të të-ve të standardit. Sa për të cituar Martin Camajn.

Megjithatë, “Falja e gjakut” është një film i mirë dhe është i tillë falë takimit të talenteve (është fat i madh kur të talentuarit bëhen bashkë!). Ata janë takuar në formën e regjisorit amerikan Joshua Marston (“Maria full of grace” është një film tjetër “etnik” dhe i suksesshëm i tij); tekstit të Andamion Muratajt dhe, sigurisht, lojës së aktorëve shqiptarë. Mjeshtëria e regjisorit qëndron në atë se ka arritur t’i ruajë ngjyrimet lokale duke futur në punë elementet lokale. (Imagjinoni ç’tmerr nëse Marston do të kishte rënë pre e qarqeve kinseelitare të kinematografisë shqiptare; një përzierje e metodës së Stanislavskit dhe zhdanovizmave të ish-Kinostudios). Për këtë, regjisorit i është dashur, sidomos, të ruajë gjuhën si interpretuesen më të drejtë të etno-psikës dhe për këtë, gjuhë e parë e filmit ka qenë gegnishtja.

Nëse ngjyrat e forta të gegnishtes i kanë shërbyer autenticitetit të veprës artistike, në këtë rast filmit, ato nuk i kanë shërbyer dhe aq Tiranës kulturore. Tirana kulturore, për ata që nuk e dinë, ashtu si dhe Tirana mediatike, apo politike, nuk e kalon rrethin e ngushtë e të keqkuptuar të Unazës së vogël. Kjo Tiranë është zemëruar me gegnishten e “Faljes së gjakut”. (Sallat e kinemave në Tiranë janë braktisur për shkak të gjuhës së pakuptueshme!) Është paradoksale, sigurisht, por edhe e fajësueshme nuk është: totemi kinematografik i Tiranës kulturore është motivi i Tomkës me shokë. Përpjekja për të ngritur në art një barbarizëm si gjakmarrja dhe për të mos konsideruar toskërishten e standardizuar si gjuhë ndërmjetësimi, nuk është pritur mirë brenda Unazës së vogël.

Por ka edhe një aktor në këtë film. Një djalë prej Shkodret, siç mund të thuhet në qytetin e tij verior. Ai quhet Tristan Halilaj. Në film ka edhe ai Izoldën e tij, së cilës i pëshpërit fjalë të drojtura dashurie në gegnisht. (E ç’gjuhë tjetër do t’u shkonte epeve e sagave përveç gegnishtes?!) Në jetën e vërtetë Tristan Halilaj, interpretimi i të cilit ishte i shkëlqyer, ka konkurruar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, por nuk ka fituar. Nuk e ka bindur me sa duket Tiranën kulturore. Duhet të ketë qenë e folmja e tij. Po ç’rëndsi ka, në fund të fundit. “Falja e gjakut” në janar do të jetë në kinematë amerikane. Atë që ka humbur në përkthim në Tiranën tonë kulturore, me siguri, do t’ia kthejë anglishtja e titrave amerikane.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s