Kush e fitoi përballjen tek Opinioni: Fevziu apo Rama? Teatraliteti

Opinion, TV Klan

Opinion, TV Klan

HARDtalk nuk është arenë e kujt bërtet më shumë, apo kush bën pikë më shumë. Ka të bëjë me pyetje inteligjente që audienca do të bënte nëse ata kishin rastin të uleshin në karrigen e HARDtalk.

Stephen Sackur, gazetar i HARDtalk

 

Bruno Vespa është Dhoma e tretë e Parlamentit italian.

-Shprehja i atribuohet kryeministrit italian Giulio Andreotti dhe shpreh rëndësinë e gazetarit dhe emisionit të tij.

 

Emisioni yt është organizata më e suksesshme e Partisë Demokratike.

-Batutë e shefit të opozitës, Edi Rama, në emisionin Opinion.  

 

Intervistat hard talk, duke marrë si model emisionin homonim të BBC-së britanike, janë gjë e rrallë në hapësirën mediatike shqiptare. Një radhë gazetarësh të shtypit të shkruar, të pyetur për këtë artikull, pranojnë, pa përjashtim, se reagimi i parë që marrin kur u kërkojnë politikanëve intervistë është: m’i nis pyetjet me email. Kolegët e tyre, por edhe lexues janë stërvitur tashmë me shtypin dhe prodhimet e tij sa për të kapur se kur  pyetje-përgjigjet e një interviste janë realizuar via email. Një lexues besnik i shtypit të shkruar thotë se ‘kaq flagrantë janë, si gazetari ashtu dhe i intervistuari në shkujdesjen e tyre ndaj publikut, sa shpesh nëpër gazeta sheh ‘përplasje’ të llojit: më duket se kësaj pyetjeje iu përgjigja pak më lart, megjithatë…’ Kjo dëshmon se i intervistuari nuk është lodhur as sa të lexojë paraprakisht pyetësorin e dërguar me email, dhe intervistuesi nuk është ulur për ta redaktuar intervistën, për t’i siguruar asaj një harmoni, sado të lodhur, mes pjesëve.

Një skedë paraprake pyetjesh e kërkojnë edhe të ftuarit e emisioneve politike në televizione, pranon kryeredaktorja e një talk-show shumë të njohur. Kjo ‘e than’ intervistën dhe e bën të parashikueshëm dialogun. Më shumë të tillë kur gazetari dhe politikani i përkasin të njëjtës frymë ideologjike. Në raste të tilla nuk mund të pritet hard talk, por më shumë pirueta të të dyja palëve. Dy emisionet më të rëndësishme politike në vend, Opinioni i Blendi Fevziut dhe Top Story i Sokol Ballës, te të cilat shpresohej, intervista të llojit hard talk kanë qenë sa të cunguara, aq dhe të paragjykuara në realizmin e kësaj ‘aspirate’ të shikuesit, sidomos të atyre që mund të konsiderohen political junkies. Kryeministri Berisha nuk shkonte dhe vazhdon të mos shkojë në televizionin oponent Top Channel dhe të njëjtën gjë bënte deri vonë edhe lideri i opozitës me opozitën e tij Klan-in. Kështuqë takimet Fevziu-Berisha dhe Balla-Rama për shumë prej të anketuarve të MAPO-s ishin më shumë tentativa për intervista hulumtuese sesa hard talk. Më shumë se interesi i publikut, në këto përballje realizohej interesi i gazetarit për prime time të fortë dhe ai i politikanit për një dritare për të dhënë mesazhe elektorale.

Diçka u prit të ndryshonte në parimin e këtij dialogu me shumë monolog pas vendimit të kryetarit të opozitës për ta thyer bllokadën ndaj grupit mediatik Klan. Rama u shfaq në një intervistë të shkurtër për lajmet qendrore të Klanit, në një tjetër më pas për ABC News, për ta kurorëzuar me një përballje të shumëdiskutuar me Blendi Fevziun e Opinionit më 10 maj të vitit të shkuar. Aq e fortë ishte vala e kthimit të Ramës në Klan sa shefi i opozitës dha i ‘shpjegime’ habisë që zgjoi vendimi i tij nëpërmjet një editoriali, një komunikim që e pat kthyer në modë të tij asokohe. Për të ardhur tek e enjtja e 28 shkurtit, kur ai si pjesë edhe e një operacioni të gjerë të pajtimit me aktorët dhe faktorët mediatikë, u ul sërish përballë Blendi Fevziut.

ETHET E SË ENJTES MBRËMA. Koha për të kuptuar shtrirjen dhe ndikimin e një ngjarjeje apo fenomeni, në këtë rast një interviste televizive, është shkurtuar, në atë që rëndom real time (kohë reale ose ndërsa ndodh). Do të thotë: nuk ke nevojë të presësh të nesërmen apo më shumë ditë për të konsideruar dhe marrë një shije të asaj se cili është reagimi apo mendimi i përgjithshëm lidhur me x gjë. Në këtë rast me Opinionin e së enjtes së 28 shkurtit ose përballjen Fevziu-Rama. Facebook bëhet, si zakonisht, përçuesi i parë i reagimit, dhe publiku, gjithnjë e më i madh, njëkohësisht sheh diçka në televizion dhe kërkon t’i japë ose imponojë publikut tjetër një mendim të tijin/sajën në lidhje me atë që sheh. Kjo ndodh që e mbyt ose e prodhon mesazhin qendror. Në rastin e intervistës Fevziu-Rama mesazhi qendror u kanalizua në “kush po fiton, Rama apo Fevziu?” Statuset në Facebook ishin në real time dhe kryesisht merreshin me batutat. Kush po bënte të forta, kush po ia ‘fuste’ tjetrit dhe deri në ç’gradë…Parë në këtë rrafsh, i fituari është gjithmonë: njeriu i medias. Reagimet, pozitive apo negative, janë shkallë matëse e audiencës. Fevziu, si banori një bote që e mat hijen dhe rëndësinë e vet me audiencën, e kish marrë fitoren e tij.

Por, të enjten mbrëma dhe të nesërmen aktorë të tjerë jashtë faktorit publik mendonin ndryshe. Respublica.al, sajti i Mustafa Nanos ku mblidhet çdo dromcë e qëndrimit të majtë, një blog i orës 10.25 ndërkohë që Opinioni ishte në kulm ‘raportonte’ një shkëmbim batutash mes Fevziut e Ramës, ku politikani e akuzonte gazetarin për Doktorin (Berishën). Këtij highlight-i i qëndroi edhe  Tema.al, një sajt edhe më radikal, ku Fevziu etiketohej si ‘Berisha qeros’, duke i mëshuar një linje që e identifikon gazetarin e njohur si eminencë mediatike të Kryeministrit. Ndër njerëzit zyrtarisht në listën e pasuesve të Kryeministrit u bë e gjallë deputetja Rajmonda Bulku, e cila në një analizë, sipas saj leksikore, e qortoi intervistën e Ramës në Opinion, se më shumë merrej me Laura Vorpsin, zëdhënësen e PD-së, se me shefin e mazhorancës. Sipas saj, Rama e përmendi Vorpsin 437 herë, ndërsa Berishën 141 herë.

KUSH E FITOI ATËHERË DUELIN? Nëse e marrim si të vërtetë atë se Fevziu ishte pushka e porositur e Berishës në përballjen me Ramën; nuk mund të mohojmë se gazetari ka edhe agjendën e vet; që është kapja e pikut të audiencës. Në anën tjetër, nëse e pranojmë si të vërtetë hamendësimin se Rama iu shmang qëllimisht pyetjeve të Fevziut, nuk mund të mohohet gjithashtu se dalja tek Opinioni i shton pikë kryesocialistit në raportin e ri që ka filluar të ndërtojë me spektrin mediatik. Një mea culpa për arrogancën e dikurshme në raport me gazetarët, Rama e ka bërë ndërkohë, duke futur në listën e deputetëve Alfred Pezën, i cili publikoi një kundërvajtje të kryetarit të opozitës në kohën kur ai drejtonte emisionin Debat tek Ora News. Edhe në darkën e shtruar me rastin e zgjedhjes si zv.president i Internacionales Socialiste, sipas të pranishmëve, Rama gjeti rastin të përsëriste këtë tërheqje në arrogancë. Por, për ata që më shumë se fjalëve u besojnë shenjave ose gjuhës së trupit, përballja e së enjtes së shkuar, mes atij që garon për t’u bërë kryeministër i Shqipërisë dhe atij që drejton një emision popullor dhe që në rolin e vet si gazetar duhet të jetë edhe watch dog i pushtetit (aktual apo të ardhshëm), ishte një teatër. Më shumë se gazetari përballë politikanit, dyshja Fevziu-Rama u ngjanin dy çunave të një klase; më shumë se një ndeshjeje boksi debati, qe një wrestling me lëvizje të simuluara. Më shumë se llogari-kërkim apo llogari-dhënie, dukej si ajo që amerikanët quajnë settling a score (shpagim për një inat). Për interesin publik, atë lloj interesi që shkon përtej kush ia ‘futi’ kujt, kush dha batutat më të kripura etj., ndeshja qe një barazim në teatralitet. E ilustruar sidomos te nënqeshjet e këmbyera të të dy protagonistëve. Të një lloj flirti me sy që nuk ishte dashuri burrash. Sepse nuk ishte serioze, dhe dashuria, edhe mes burrash, është gjë serioze.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s