Pse Arben Frroku është shqiptari më i qetë?

Foto

Në përplasjen e madhe politike dhe mediatike që ka pasuar vrasjen e ish-komisarit të policisë Dritan Lamaj, paradoksalisht, njeriu më i kthjellët dhe më i qetë është shfaqur i dyshuari kryesor i policisë së shtetit për krimin në fjalë, Arben Frroku.

Kjo është një shenjë e keqe për median që është shfaqur emocionale dhe pa masën e duhur të distancimit, dhe sidomos për palët politike: për mazhorancën dhe opozitën, të cilat, të dyja bashkë janë munduar ta manipulojnë, në krah të kundërt, dinamikën e dramës, pa marrë përgjegjësi apo barazlargim profesionale. Fjalori shkatërrues ka sunduar në përballjen mes tyre. I tillë edhe më shumë ngjan ky verb po ta krahasosh me intervistën telefonike për ABC News të biznesmenit Arben Frroku. Nëse i vë përballë deklaratat e politikës, përplasjen e zhurmshme dje në parlament dhe dialogun e të dyshuarit për vrasjen e komisarit me gazetarin Vezaj, kupton diçka nga e qeta dhe e paqeta, kalorësi dhe furtuna.

Këtë shenjë mund ta marrësh si të duash: si fund të botës ose politikë si zakonisht. Por dëshmon një gjë mbi të tjerat dhe posaçërisht të pakundërshtueshme: politika dhe biznesi i kanë aq të ndërthurura interesat dhe aksionet; janë aq shumë në nevojë të njëra-tjetrës saqë kufijtë mes të dyjave janë në shuarje e sipër. Nuk duhet shumë argumentim për të pikasur konturet e këtij konstatimi e për ta veshur skeletin e tij me mishin e bollshëm të pasunarit të ri shqiptar (kryesisht parveny) që shtrihet sa andej-këndej spektrit politik. Në i do majtas, mund t’i gjesh me duzina: flokët spic në brilantinë, çantë dore ku gjen më shumë cash se banka e lagjes tënde, Vertu për bizneset e Nokia për dashnitë, të pashmangshmen vetë-rëndësi (self-importance) dhe sigurisht fjalorin e varfër, sikur mbi librin e tyre të ketë kënduar qyqja që në klasë të parë.

Në i do djathtas, mos prit kushedi ç’ndryshim: djathtas nuk do të thotë doemos aristokraci dhe sidomos në rastin shqiptar. Ndoshta janë më diskretë. Ndoshta kanë më pak bark. E ndonjë dallim tjetër jothelbësor.

Ka ndodhur gjithsesi martesa e politikës me biznesin. Nga bota e biznesit i vijnë politikës donacionet më të mëdha: formale ose informale. Biznesi është motori i madh shkarkues i fushatave elektorale. Nuk ka rëndësi si janë partitë: të mëdha a të vogla, fushatat e tyre janë shkëlqimtare e të zhurmshme. Nëse dyshes së mamuthëve PD e PS, nisur të paktën nga numri i anëtarëve, por edhe i interesave dhe ciklimit të tyre në shoqëri dhe anasjelltas, u përligjet shkapërderdhja elektorale, çfarë mund të thuhet, për shembull, për LSI-në e sidomos Aleancën Kuq e Zi? Asnjëra prej tyre nuk drejtohet nga Michael Bloomberg, për t’i zënë pritë ndokujt që do të sjellë miksimin amerikan të politikës me biznesin. Përfundimi atëherë është më i kapshëm nga mendja: më shumë se parti politike ato janë grupime interesash biznesi.

Ja ku e si, të merr me vete logjika, që errësohet, e lidhjeve biznes-politikë. Politika nuk është e qartë për lidhjen e saj me biznesin. Ajo vazhdon të sillet si dashnorja në këtë aferë. Biznesi ndërkohë, nëpërmjet të dyshuarit për vrasjen e policit Dritan Lamaj, kërkon ta legjitimojë këtë lidhje. Dhe mirë bën: Është koha ta kuptojmë se kush i vesh pantallonat në këtë lidhje.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s