Fushata bëhet majtas; fiton Rama, Berisha apo centristët?

http://www.lajmishqip.com/?p=16807

lajmishqip.com

Nëse konventa e Partisë Socialiste ka qenë një triumf i formës mbi përmbajtjen, reagimi mbi të ka qenë gjithashtu më shumë formë sesa përmbajtje. Ajo që në fakt e bën të veçantë konventën socialiste nuk është dhe aq platforma e shpalosur sesa ‘guximi për të shpresuar’ te suksesi i një eventi të madh për të paraqitur jo programin, por një draft të draftit të tij. Program nuk ka ende dhe ndërkohë që opinioni publik pret një alternativë të formuluar qartë qeverisjeje, duhet thënë se edhe me gjithë këtë ‘formë’ opozita e Edi Ramës ka arritur ta fusë veten në axhendën politike të kundërshtarit, në ditarin politik të ditës.

Kjo shihet jo vetëm te forma (reagimi) në një forum a një tjetër ndaj asaj se ç’thotë e ç’bën kryetari socialist e shqytarët e tij, por edhe te përmbajtja (formulimi i alternativës) që duket se po shkon gjithnjë e më majtas. Me përjashtim të ndarjes së fortë te lloji i taksës: progresive për Socialistët dhe e sheshtë për Demokratët, pjesa tjetër e ofertës politike për këto zgjedhje duket se po fundoset në rërën e butë të populizmit.

Ky majtizëm, sigurisht shpjegohet edhe nga kush i këshillon ata; kush ua modelon sjelljen elektorale për këto zgjedhje. Si në verb ashtu dhe në akt janë lehtësisht të lexueshme kopja Laburiste e fushatave të Tony Blair-it te Socialistët e Ramës dhe kalku i Demokratëve amerikanë të Obamas te fushata e Demokratëve të Berishës.

New Labour (Laburistja e Re-Rilindur), e fabrikuar nga spin doctor-i i Tony Blair, Alaistar Campbell, si slogan i Laburistëve britanikë duket se është shndërruar në Rilindjen Shqiptare të Edi Ramës dhe socialistëve të tij. Forward-i i fushatës për mandatin e dytë të presidentit Barack Obama është bërë Përpara e makinës elektorale të kryeministrit Berisha, në përpjekjet e tij titanike për të kapur një mandat të tretë.

Brenda këtij peizazhi, të majtë lëvizin format elektorale të dy partive të mëdha, gjë që mund t’u japë shans partive të tjera më të vogla që synojnë rolin e Hirushes, të tretën e artë, që mund të përcaktojë qeverinë dhe koalicionin e ardhshëm. Ilir Meta dhe formacioni i tij LSI, e cila në zgjedhjet e fundit u fut si parti e ekstremit të majtë, e kuqe përballë rozës së PS, ka dhënë shenja pragmatizmi duke e moderuar si verbin ashtu edhe aktin politik.

Moderacioni, jo shumë kohë më parë i huaj për z.Meta, është bërë kryefjala e aksionit të tij politik. Integrimi, stabiliteti, fryma pajtuese, Poli i Moderacionit, kombinimi i bisedave të shtruara në grupe të vogla me mitingjet entuziaste, por edhe njëfarë qetësie në zë e figurë e bëjnë Metën një ‘kafshë politike’ kurioze. Bamir Topi dhe partia e tij FRD kanë preferuar gjithashtu qendrën si alternativë, mbërthyer te një frazë e gjetur e ish-presidentit ‘Berisha ka frikë se e humb pushtetin, ndërsa Rama, se nuk e merr atë’.

Megjithë drojën e zakonshme se konteksti e as votuesi shqiptar nuk i bën asnjë teksti politik që mund të ketë funksionuar diku tjetër, logjika e kërkon që kur dy forca të mëdha zhvendosen majtas ose djathtas, kjo u hap fushë loje forcave të treta. Nëse ato dinë t’i ofrohen qendrës si alternativë mund të jenë gjithashtu përcaktuese në koalicionet e së nesërmes.

Pyetja mbetet: kush përfiton nga zhvendosja majtas e PS dhe PD? Me literaturë politike i intereson forcës së majtë. Në Shqipëri, sigurisht, lojën e fiton ai që di të luajë më mirë majtas. Të luajë duhet marrë si fjala kyç.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s