Besnik Hoxha, Gjykatësi i 21 janarit, i (pa)penduari i drejtësisë

Besnik-Hoxha-21-janar

E nesërmja ishte ditë pune si zakonisht për Besnik Hoxhën. Megjithëse vendimi, në përfundim të procesit për 21 janarin, dukej se e kishte ndarë botën më dysh, ai nuk kishte asnjë mëdyshje rreth verdiktit të tij dhe kolegëve. Bëri për nga makina, por pa se ishte e bllokuar nga një makinë tjetër e parkuardysh, një praktikë e kthyer në rregull në rrugët e Tiranës. (A thua, makina e bllokuar, të ketë qenë Porsche Cayene me targat e Massachusetts-it, siç raportoi një pjesë e medias?)

Por, ja ku, me makinë të bllokuar, begenis një tjetër shumë më të lirë, një nga ata Mercedesët e verdhë prodhuar në mesvitet ’90, që popullojnë rrugët e Tiranës duke ofruar shërbimin Taksi. Te Gjykata, i thotë shoferit. Pas pak minutash në heshtje, taksisti e pyet se si iu duk vendimi i djeshëm për 21 janarin. Nuk mund të mendoj keq për vendimet që kam dhënë vetë, erdhi përgjigjja. Shoferi rregulloi pasqyrën për të kapur sediljen e pasme dhe u mbulua nga një buzëqeshje. Edhe mua ashtu m’u duk, ia priti. Jam Demokrat.

Nuk ishte një vendim për Demokratët, rrëfen Hoxha fillin e bisedës. Sipas kësaj logjike, nëse ti do të ishe Socialist, do më zbrisje nga taksia.

Bota me sak ishte ndarë më dysh nga ai vendimi. Të tjerët që nuk mendonin si taksisti Demokrat për verdiktin e atij procesi, fare mirë mund të përfaqësohen, një shkallë më lart, a një shkallë më ulët, nga një titull dhe kopertinë e së përditshmes elektorale me anim të fortë majtas, DITA. PËSHTYJENI, shkruhej me font bërtitës mbi një foto të Besnik Hoxhës mbuluar nga zhguni i gjyqtarit.

Si u ndje pas reagimit të shtypit të angazhuar. Reagim banal, thotë, nuk lë mundësi për pse dhe as të kuptohet roli i gjyqtarit, apo si erdhi ai te një vendim i tillë. Shton se në qëndrime të tilla PSE-ja nuk ekziston, ajo zhduket si një pyetje e panevojshme e bezdisëse. Kjo, sipas Hoxhës, bëhet jo vetëm për qëllime politike, për të ngritur një të vërtetë paralele që kërkon të bëhet dominante, por ka edhe një anë tjetër: është biznes me shqetësimin tim; disa kopje të shitura më shumë.

Por PSE-të na interesojnë. Na duhen sepse pas tyre fshihen SEPSE-të. Të vendimit për 21 janarin, kama e mprehtë e të cilit ra mbi shumë koka me forcën e dy fjalëve Të pafajshëm.

Ata të anës tjetër, në një botë të ndarë më dysh, duhet të kenë pyetur: si të pafajshëm, kur katër burra u vranë mbrëmjen e 21 janarit 2011? Çfarë shpagimi për gjakun e tyre dhe dhimbjen e familjeve?

Nuk ka pasur dashje, thotë Besnik Hoxha. Neni 76 që e parashikon këtë rast artikulon vrasjen me paramendim dhe format e fajit: dashje direkte dhe dashje indirekte. Gjyqtari i 21 janarit zgjatet tek interpretimi i të dyjave, duke theksuar se nuk mund të provohej mbi të dhënat e grumbulluara nga organi i hetimit, se kishte dashje direkte ose indirekte në aksionet e gardistëve që çuan te katër viktimat e demonstratës së opozitës. Edhe më ‘të lehtë’ vendimi i gjykatës u bë nga Prokuroria, e cila e kanalizoi hetimin vetëm te vrasja me dashje, duke ngritur edhe pretencën mbi këtë akuzë. Gjykata nuk del dot jashtë rrethit të hetimeve, thotë Hoxha, d.m.th. treshja e gjyqtarëve nuk mund të jepte vendim për një akuzë që nuk ishte ngritur, por as nuk mund të shpallte fajtorë dy gardistët me atë akuzë të paraqitur nga prokurorët. Sepse, thekson ai, gjykata nuk heton apo gjen vrasje.

Për t’i mëshuar linjës së tij të dashjes që nuk mund të provohet në rastin e 21 janarit, thotë se po të kish pasur dashje, atë ditë do të ishin vrarë më shumë njerëz.

PO NËSE APELI E RRËZON VENDIMIN E GJYKATËS SË TIRANËS, dhe nëse këtë nuk e bën as kjo shkallë e gjyqësorit shqiptar, një gjykatë europiane, e paanashme, edhe si perceptim i opinionit publik, por edhe e baraslarguar nga emocionet dhe politizimi i këtushëm, e ndryshon vendimin dhe gjen faj apo dashje te gardistët? Kjo nuk ndryshon asgjë. Jurisprudenca nuk është shkencë ekzakte, thotë duke përmendur një rast ilustrues në Francë, të parashikuar në tekste si double jeopardy, por që i ndau juristët francezë dhe opinionin publik. Ka me qindra raste të tilla kundërthënëse në botën e jurisprudencës, nëse gjendet dashje në shkallët e tjera, kjo vjen në sajë të një interpretimi të ndryshëm, ngulmon Hoxha.

Kundërthënës, duhet thënë, qe edhe reagimi i ambasadës amerikane, e cila me anë të një deklarate vetëm pak orë pas vendimit shpalli ‘verdiktin’ e saj mbi procesin e 21 janarit dhe përmbylljen e tij, duke e cilësuar tronditës. Gjykatësi flet me vendimin e tij, apo jo? Të tjerët heshtin kur flet gjykata, dhe kështu duhet të bëjë edhe ajo? Por gjykata e Tiranës reagoi duke e cilësuar ndërhyrje deklaratën e Ambasadës amerikane. Hoxha thotë se vendimi për reagimin ishte kolegjial dhe u mor në unison nga Gjykata e shkallës së parë. U ndërmor ky hap i paprecedent pikërisht për faktin se reagimi i përfaqësisë diplomatike në Tiranë mund të krijonte një precedent. Precedenti kalon përmes aparatit të perceptimit të opinionit publik: e tha ambasada, e kundërshtoi Ambasada amerikane.

Por e gjitha jep e merr nën këtë aparat perceptimi: e paçliruar nga hija që politika hedh mbi gjakun, duke e mpiksur atë gati për revolucion. Kësaj pllane të errët nuk i shpëton dot as ndërgjegjja as qyteti. Por, i ka shpëtuar ky gjykatës që quhet Besnik Hoxha, një shkodran që ende i ruan ‘a’-të e zgjatura të së folmes së vendlindjes. Duket sikur 21 janari ka qenë edhe i tillë: një përplasje e fortë mes ‘a’-ve dhe ‘ë’-ve. Apo, jo?

Jo, është diçka tjetër, mëton Hoxha. Thotë se i kujtohet shtatori i ‘98-ës, sulmi ndaj Kryeministrisë dhe sesi, edhe atëherë, ai kish dashur që selia e qeverisë të mos binte, Garda të mos jepej, shefi i qeverisë të mos arratisej. Sepse, thotë ai, gjithçka ka të bëjë me atdheun. Dhe fillon të shpjegojë konceptin e tij për dheun e të atit. Shtëpia ime, thotë, është rrethi i parë. E dua shtëpinë time dhe kur jam larg filloj e konturoj në mendje dhomat, mjediset, madje edhe mobiliet. Pastaj është lagjja ku jetoj, qyteti, krahina dhe vendi im që është rrethi përmbyllës. Ai vendim ka qenë për këta rrathë, sa fizikë aq edhe kujtese. Sepse, e vazhdon arsyetimin, në rrathë do të ishin përkeqësuar gjërat edhe sikur të kishte rënë Kryeministria më 21 janar 2011. Pas saj, sulmi do të zhvendosej te dyqanet e rrugës “Myslym Shyri”: vjedhje, djegie, bastisje, të plagosur e ndoshta edhe të vrarë. Vendimi im nuk i kthente dot në jetë viktimat e 21 janarit, por krijonte precedentin që institucionet të mos sulmoheshin më.

Është një mbrëmje e lagësht e gjithë shi, a thua bota është kthyer përmbys e zhytur në basenin me ujë të qiellit. 21 shkurt 2013. Një gazetar e një gjykatës shtrëngojnë duart duke thënë të zakonshmen: gëzohem që u takuam. Sikur të ishin ndërruar rolet e gjykatësi të shkruante diçka për këtë takim, çfarë do të thoshte kronika? Cilat do të kishin qenë përshtypjet? Po gazetarit ç’i ka bërë përshtypje përtej kronikës së zezë, që është 21 janari e gjithë ç’lidhet me të? Një unazë floriri me një kokë si vulë të një konti të Mesjetës në gishtin e mesit të dorës së gjyqtarit. Dhe një nga ato orët e çuditshme, fusha e të cilave ngjan me skicën e rropullive të trupit të njeriut në tekstet e biologjisë në gjimnaz. Të jetë Panerai?

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s