Spitali fushor (falas) i Ramës dhe Berishës

mjeksia-nuk-e-sheroi..por-u-sherua

Kryetari i opozitës Edi Rama ka kthyer në lajtmotiv të turit të radhës, nën siglën tashmë fikse Rilindje, shëndetësinë. Gjatë këtij posht-e-larti elektoral z. Rama, ironikisht i është dashur të ndeshet me atë se ç’është e ç’nuk është sistemi shëndetësor në Shqipëri. Gjatë një takimi në Burrel kryetari i opozitës ka patur luhatje tensioni dhe i është dashur të mjekohet e të marrë serum në spitalin e qytetit prej të cilit, siç ka thënë vetë në një takim me temë po shëndetësinë në Elbasan, “u largua me një të ftohtë”. Z. Rama ka rrëfyer ftohmën, por jo nëse e ka futur dorën në xhep për të paguar për shërbimet e marra në spitalin e Burrelit. A ka qenë ai pra në sistemin e tij shëndetësor (falas për të gjithë) apo në atë të tmerrshmin e të shëmtuarin, sipas tij, të kryeministrit Berisha, i cili, si të mos, e ka shfrytëzuar ftohjen e supozuar të kundërshtarit politik në spitalet e tij, edhe për anekdotën e radhës. (Darkën e gabuar e ka pasuar ftohma e gabuar.)

Kryeministri, përballë grupit parlamentar demokrat, ka garantuar se sistemi shëndetësor në Shqipëri është falas, dhe për ilustrim ka renditur shërbime e shuma financiare në shumëfishat e miliona eurove. Kjo përplasje për sistemin shëndetësor të Ramës që duhet të jetë falas dhe atë të Berishës që është falas, nuk i ndryshon asgjë faktit se të dy e kanë gabim. Se sistemi shëndetësor nuk duhet asesi të jetë falas për të gjithë, në të gjitha kohët.

Madje, fakti se sistemi shëndetësor është falas, edhe pa qenë i tillë, është thembra e Akilit e këtij sektori. Sigurisht, e ka një kontradiktë te pohimi ‘është falas pa qenë i tillë’ dhe kjo nuk është vetëm konceptuale.

Së pari, psikoza e bartur nga raporti mjekësi-të drejtat e shtetasit në komunizëm vazhdon të jetë sundues: situata aktuale është veç një zgjatim i mendësisë së para ‘90-ës. Dhuratat për mjekun që bënte vizitën apo kryente operacionin qofshin këto në mish, vezë apo para, vazhdojnë të shërbejnë si mjet këmbimi mes palëve, me të vetmin ndryshim se janë shumëfishuar në përpjesëtim me inflacionin. Puna e pak apo keqpaguar si zëvendësim i taksimit të drejtpërdrejtë, aktualisht është zëvendësuar nga taksat dhe kontributi i qytetarëve në sigurime. Mjekët, duhet pranuar, janë përfshirë nga babëzia e përgjithshme e shoqërisë dhe nuk janë legjenda urbane rrëfimet për pashpirtësi të tyre deri aty sa nuk i trajtojnë të sëmurët pa u akaparuar shuma apo vendosur kontaktet solide me një person të familjes si garant të pagesës. Pra jemi në socializëm kokëposhtë, që shitet për kapitalizëm.

Së dyti, sistemi shëndetësor, siç e sugjeron emri, është sistemik; do të thotë se nuk ndryshon me makiazh, por kërkon ndërhyrje të themelta. Shëndetësisë nuk mund t’i gjenden zgjedhje ala elektorale, por kërkon platforma afatgjata sistemike, të përgjithshme e kombëtare. Të cilat duhet të përjashtojnë zgjidhjet socialiste ku banon diskursi i të dyve: Berishës e Ramës. Plani Universal i Obamës (ide e Romney-t kur ishte guvernator i Massachusetts-it, në fakt) që do të thotë, gjithkush është i detyruar të blejë siguracion shëndetësor, qoftë nëpërmjet punës, privatisht apo në rastin e shtresave të pamundura nën subvencion shtetëror, ta zëmë se i bie për shtat Shqipërisë. Por Shqipëria nuk plotëson një prej kushteve madhore ’amerikane’: mjekët dhe infermierët nuk kanë rroga të respektueshme. Pa u zgjidhur edhe kjo hallkë, sistemi do vazhdojë të jetë ‘falas”. Ky lloj sistemi (i yni aktualisht) është më i keqi i mundshëm: iluzioni është se shëndetësia është falas, ndërkohë që një pjesë paguajnë sigurime shëndetësore pasuar edhe me ‘nën dorën” e famshme.

Sigurimet shëndetësore janë si një kartë krediti e parapaguar, të cilën ti e përdor kur ke nevojë. Liderët Rama e Berisha, a na sigurojnë se kur ta nxjerrim kartën ku janë paratë tona, mjekët të mos na shohin shtrembër dhe shteti të mos tallet kur t’u thotë edhe atyre që paguajnë se shëndetësia është falas. Jo, është me shpenzimet e tyre.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s