Për kë kthehet Eduard Selami?

eduard selami

Do të ishte kjo një pyetje, përgjigja e parë e së cilës, pa shumë mundim do të qe: për veten. Individi, në fund të fundit, llogaritë i bën me vete e për veten; sigurisht brenda një konteksti apo disa rrethanash, nën shtysat e këtij apo atij zhvillimi e fenomeni, të shkuare a të tashmeje, për një të ardhme që ai e mendon si të tijën. Në momentin që ai, medemek,  fillon e luan altruistin, lë në breg egoizmin e futet në lumin e jetës cullak me ‘të mirën e të tjerëve në sy e zemër’ duke u plotësuar si njeri, e kemi humbur atë njeri dhe kemi fituar një iluzion. Ayn Rand që e pat provuar masakrën e interesit kolektiv ndaj atij personal pat thënë: Nëse një qytetërim do të mbijetojë, duhet të refuzojë të parin  moralitetin e altruizmit.

Pra, Eduard Selamit, në përpjekjen për t’u kthyer në vendin e vet, të të parëve të vet, në partinë e dikurshme, në vokacionin e rinisë, nuk mund t’i kërkohet të mos e bëjë këtë për hir të të tjerëve. Çfarë kanë bërë të tjerët për Eduard Selamin që ai duhet ta bëjë këtë për ata? Ose, ç’kanë bërë të tjerët për Shqipërinë që i kërkojnë Eduard Selamit të bëjë dika për Shqipërinë?  

Mes nevojës së Selamit për t’u kthyer, filozofisë altruiste të Rand dhe altruizmit me ‘shpenzimet e tjetrit’ të atyre, këtu në Tiranë e rrethe, fshatra e Prishtinë, Tetovë e Diasporë, nevojës që ai të bëhet burri që ata e duan të jetë, e të mos kthehet te Sali Berisha, duhet të zgjedhim dy të parat. Nuk ka më të poshtër se mjerimi i të jetuarit për të tjerët. Ai akt që në Lindjen komuniste ngrihej lart duke u quajtur vetëmohim.

Të tjerët, përgjithësisht, por sidomos në rastin e Selamit, janë ata që e brohorisnin Eduardin e ri kur ai ngriti krye në Partinë Demokratike. E duartrokisnin si shpresën e madhe të Partisë së parë antikomuniste në Shqipëri. Pas largimit të tij, sërish e përdorën për modelin e tyre anti-Berishë: shembulli se ’u ndodh rebelëve rreth e nën Berishën, dhe sa të pafajshme e të mira janë të gjitha kauzat që i ndihmojnë axhendës së tyre, kur ato shkojnë kundër kundërshtarit politik.

Kur Selami u doli prej kallëpit që të tjerët e përdornin si pykë për të carë murin politik të kundërshtarit, magjia u prish. Pasqyra me imazhin e Selamit të ri, që ndoshta mes veti ata e quanin edhe Eduardo për të theksuar latinicitetin e portretit të zeshkët e gjakut të nxehtë që vlon kundër Berishës, u bë copë e grimë. Me gastaret e pasqyrës së thyer në dorë përlëvduesit e dikurshëm të Eduardit i janë turrur Selamit të mplakur e të dorëzuar që po vjen te Doktori sikur kalendari të mos shënonte shkurt 2013, por dhjetor 1990.

Logjika është e thjeshtë: në të dy rastet, edhe më 1995 edhe më 2013, të tjerët projektojnë Sali Berishën te Eduard Selami. Në të dyja rastet ai nuk i shërben moralit si të tillë, por nevojës së tyre për ta patur në rekuizitën e akteve që bëjnë sjelljen antidemokratike të kundërshtarit. Për kë kthehet Eduard Selami? Për veten. Por, të tjerët janë mërzitur se ai kthehet ngapak edhe për dikë tjetër: Sali Berishën. Selami ua rrëzon kështu të dy modelet: të tijin si ‘shpresë’ e PD-së, dhe të Berishës si varrmihës të saj dhedemokratikes.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s