Arvizunë e kemi mik; pas 21 janarit dhe pas vendimit për 21 janarin

arvizu

Vendimi i Gjykatës së Tiranës për ngjarjet e 21 janarit është kthyer, siç edhe mund të pritej, në një stress test për të gjithë. I tillë sepse të gjithë faktorët kanë preferuar të luajnë në ekstrem: Prokuroria ka kërkuar dënimin maksimal të gardistëve, duke ‘u hedhur me kokë’ te ‘vrasja me dashje’, Gjykata është kundërpërgjigjur duke i shpallur të pafajshëm. Vendimi e ka ndarë opinionin dhe ka maksimalizuar kundërvëniet, duke e kthyer edhe njëherë orën mbrapsht në 21 janarin e vitit 2011. Në retorikë, sigurisht. Kur flet gjykata të tjerët heshtin, thonë. Në rastin e Shqipërisë, për sa kohë sistemi i drejtësisë, në rastin më të mirë vazhdon të mbetet i dyshimtë, opinioni ka kërkuar gjithmonë një shteg. Kjo rrugëdalje është gjetur te një faktor i tretë me shpresën e një baraslargësie nga palët. Kjo e shpjegon edhe prominencën e aktorëve ndërkombëtarë shprehur nëpërmjet dërgatave apo të emëruarve diplomatikë në Tiranë. Volfart, Sekui dhe Arvizu, sidomos ky i fundit, kanë qenë gjithmonë valvula e shkarkimit kur shqiptarët nuk janë mjaftuar me përgjigjet ose opsionet e brendshme. Dyshimtarë të përjetshëm, shqiptarët u kanë dhënë, me ose pa të drejtë, vendin e gjykatësve supremë. Këta gjykatës kanë lëvizur gjithmonë në mes të palëve duke iu baraslarguar atyre; shpesh duke ngjallur skepticizëm në fragmente të publikut, medias apo shoqërisë civile. Nuk ka qenë kështu për ambasadorin amerikan Alexander Arvizu. I dërguari i Washington-it e ka pranuar pa bezdi, pa hipokrizi dhe pa prepotencë rolin e ofruar. Shtyrë sigurisht nga një proamerikanizëm lehtësisht i lexueshëm i shqiptarëve, nga raportet e ngushta ndërshtetërore mes dy vendeve, por edhe nga njëfarë sensi misionar që burrave shpesh ua zbulon te vetja rrethanat. Prej këtyre shtysave ka ardhur edhe reagimi i fortë dhe i menjëhershëm pak pasi Gjykata e Tiranës shpalli vendimin e pafajësisë për tre gardistët. “Jemi të tronditur”, kumtonte deklarata e ambasadës. Sizmika e deklaratës lëvizi shpejt e me zhurmë nëpër media e në qarqet politike të Tiranës, duke përmbysur aty për aty raportet e deridjeshme të palëve me ambasadorin. Ndjekësit e së majtës që kishin njëfarë padurimi permanent me Arvizu-në, sidomos pas deklaratës së tij ‘Berish, burrë shteti’ dhe prononcimit se e ‘kishte parë kush kishte ushtruar dhunë i pari më 21 janar’, apo shkëputja një moment e tij për të shtrënguar duart me një kordon policësh jo shumë pas demonstratave të dhunshme, u bënë papritur arvizuistë. Djathtas u hesht atë ditë. Reagimi i parë, të nesërmen, erdhi pikërisht nga gjykata, institucioni që e detyron heshtjen me vendimet e saj dhe po me anë të këtyre vendimeve flet. Me anë të një deklarate, gjë e rrallë, në mos e pahasur, për një institucion të llojit, e quajti ‘ndërhyrje’ deklaratën e ambasadës amerikane. Të paktën një gjest i hapur hipokrizie ky. Drejtësia shqiptare, në të gjitha hallkat e saj, i detyrohet shumë ‘ndërhyrjeve’ amerikane: si në ekspertizë ashtu dhe në burime financiare. Trajnimet, bursat, grantet dhe asistenca disaplanëshe amerikane nuk ka arritur t’i heqë damkën e korrupsionit drejtësisë shqiptare, por e ka larguar atë, me sa ka mundur, nga sindromi i ‘gjyqtarëve të shkollës së Plepave”. E djathta ndërkohë, qoftë ajo politike apo mediatike, nuk duhet të shembet në gropën që zakonisht hap e majta në raport me ambasadorët amerikanë: ata i kemi partnerë e dashamirë edhe kur na thonë diçka që s’na pëlqen. Sidomos atëherë.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s