Gafurr Adili, secilit Shqipërinë e tij

gafur adili

Në fytyrn’ e tij është lufta. Jo në kuptimin e vrajeve në nofull a mbi vetull, por si një peng që zhbiron nëpërmjet syve dhe humbet në bosh për t’u bashkuar aty me të gjitha kauzat, për dikë të fituara, e për një tjetër të humbura. Kjo fytyrë e ata sy, portë kryesore për te një burrë shtatmesatar, veshur në ngjyra të errëta, shoqëruar nga katër djem gjithashtu parapëlqyes të së zezës, të kujton Tiranën e mesviteve ’90, nëpër të cilën, mes grisë së përgjithshme, lëviznin edhe veprimtarë e luftëtarë kosovarë në gjysmë ilegalitet.

Pak a shumë si Gafurr Adili sot, ish-zëdhënësi i Armatës Kombëtare Shqiptare, një organizate politiko-ushtarake, pjesë e zinxhirit të përpjekjeve të popullatave shqiptare në Ballkan për të drejta, liri dhe vetëvendosje. Gafurri ka fatin e atij që ka mbetur këtej: nuk ka mundur ta kalojë sitën e legjitimimit siç ndodhi me kryengritësit e tjerë. Hashim Thaçin, Ramush Hardinajn, apo Ali Ahmetin, për shembull. Zëri i dikurshëm i AKSh e vazhdon ‘ilegalitetin’: atij nuk i lejohet hyrja as në Kosovë, as në Maqedoni; për të mos përmendur vendet e tjera të rajonit, ku amortizatori i shqiptarëve është edhe më i vogël. BE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë gjithashtu në listën e zezë.

Por ky është fati i Gafurr Adilit, dhe ai është mësuar të mësohet me fatin e tij. Ky pengim, kjo vurratë e këtij persona non grata, është ndoshta edhe legjitimimi personal i tij. Shqipëria e ka pranuar. Shqipëria është hajmalia e fundit përballë syrit të keq të jetës. Në njëfarë mënyre ai e ka marrë atë që ka dashur: prej idealizimit të tepër të Shqipërisë ka lindur Shqipëria. Prej leskrave të iluzioneve ka mbijetuar vetëm Shqipëria.

Në këtë miks të të padëshiruarit me të dëshiruarën e tij, jeton të përditshmen. E mban veten me shpresën e një pasaporte të Republikës së Shqipërisë dhe me atë pak aktivitet që del nga takimet apo kontaktet me shokët e vjetër të kauzave, një grusht burrash që me sa duket janë grumbulluar rreth një ‘iluzioni’ të ri, Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar. Thotë se FDBK ka degë në Kosovë e Maqedoni. Kauza kombëtare shqiptare, me sa duket, nuk ka vdekur, pavarësisht zhvillimeve, pavarësisht se lojtarë të tjerë më të mëdhenj e kanë marrë në dorë marsejezën e luftës kundër albanofobisë. Nuk e shqetëson kjo.

Thotë se Sali Berisha nuk e shfrytëzon diskurin e rigjetur nacionalist për fushatë elektorale, siç mendojnë të tjerë. “Edhe sikur ta shfrytëzojë për këtë, rëndësi ka që është hapur debati.” Arsyeton se Sali Berisha, si politikan i sprovuar që është, pa një ide të mishëruar te shqiptarët me rastin e festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë dhe po e kapitalizon.

Lapidari i dëshmorëve të UÇPMB-së, i hequr nga policia serbe në Preshevë, duket se nuk e ka trandur siç ka ndodhur me ‘patriotë’ të tjerë, këndej e andej kufirit. Lapidari është vënë duke menduar apo ditur se do të hiqej; është organizuar kështu; i ka interesuar dikujt që thjesht të jetë ai lapidar dhe të ndodhë heqja e tij, thotë Gafurr Adili. Shton se në këtë logjikë shkon heqja e përmendores pikërisht në prag të rinisjes së bisedimeve Prishtinë-Beograd. Lugina e Preshevës do të ndërrohet me veriun e Mitrovicës dhe kjo, sipas tij, është një këmbim që u volit shqiptarëve.

Kjo duket se e lë pa luftë ‘njeriun e luftës’ Gafurr Adili. I lindur në Maqedoni, rritur e shkolluar në Kosovë, emigrant politik në Zvicër, ai që luftoi për Shqipërinë etnike e gjen veten, dekada më vonë, të çojë jetën në Shqipërinë londineze. As mirë, as keq. Është ajo që është. Secilit Shqipërinë e tij.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s