Një recetë shqiptare për Fulen: patate të paziera

patate

Kur Komisioneri i BE për Zgjerimin, Stefan Fule, lajmëron një vizitë të radhës në Tiranë, klasa politike shqiptare fillon e ha patate të paziera. Receta‘patate të paziera’ është një hile e përdorur nga të burgosurit, ose nga ata që duan t’i shpëtojnë shërbimit ushtarak, për të ngritur artificialisht temperaturën. Temperaturë artificiale duket se provokon çdo vizitë e Fules. Deklaratat fillojnë e bëhen më të forta, sikur të ishin pjesë e një përbetimi të shenjtë; gjestet fitojnë një fosforeshencë, e cila e bën europeizmin dhe përkushtimin e politikanit shqiptar ndaj tij, të llamburisë edhe më shumë se Las Vegasi.

Edhe këtë herë, gjasat janë, nuk do mund të shpëtojmë nga përsëritja e kësaj skene. Fule do të vijë, do të takojë kryeministrin Berisha, më pas kryesocialistin Rama dhe, në fund, do të dalë para gazetarëve për një konferencë shtypi. Do të riciklohen tekste të vjetra me shumë pak nëntekst: të gjitha veshur me ‘nuk ua solla, por merreni, aty e keni’.

Kjo sa për atmosferë. E cila, megjithatë, nuk e cenon rëndësinë e vizitës së Komisionerit Fule. Sipas tij, Shqipëria e ka edhe një shans në prill dhe klasa politike ka në dorë të kthejë një “yes”, në përpjekjen e saj të tretë, pas dy “no”-ve të para. Si përherë kushti është aty: miratimi i tri ligjeve që lypin shumicë të cilësuar: përkatësisht rregullores së Kuvendit, ligjit për Gjykatën e Lartë dhe atij të nëpunësit civil.

Kushti i BE-së nuk është i vetmi. Në këtë lojë tërhiq-e-mos-këput, një tjetër aktor ka vendosur kushtin e vet: Partia Socialiste. Të majtët kanë hedhur në tavolinë Fierin, ose më saktë përplasjet për kryetarin e Këshillit të Qarkut. Një taktikë jo fort e moralshme e mazhorancës ka bërë që një qark i majtë të kalojë nën komandën e përfaqësuesve të saj. Opozita zgjodhi të njëjtën kartë, një përgjigje jo fort morale, duke kushtëzuar votimin e tri ligjeve me “kthema Fierin”. Mazhorancën, me sa duket, nuk e ka shqetësuar shumë kjo, dhe për një fakt të thjeshtë: propaganda mund të ngrihet shumë më lehtë dhe më dëmtuese mbi faktin se opozita po bllokon integrimin europian të Shqipërisë për…kryetarin e Këshillit të Qarkut Fier.

Të hënën, opozitës i duhet t’i bëjë për herë të fundit llogaritë, para se Fule të largohet për në Rinas. A do të ketë ai ndonjë lajm për shqiptarët, apo grushtin e zakonshëm të mizave. Ramës i intereson të lëshojë dhe të kreditohet për këtë. Përligjia e lëshimit është e thjeshtë: për taktikë politike kushtëzuam kalimin e tri ligjeve me Fierin, por asnjëherë nuk kemi menduar të barazojmë integrimin e vendit në BE me një ngërç në pushtetin vendor.

Në asnjë rast opozita nuk do mundet t’i japë peshë të njëjtë një momenti kombëtar siç është integrimi europian dhe një momenti lokal, siç është rasti i Fierit. Përpjekja e spin doctor-ëve të opozitës për ta veshur Fierin si moment demokratik (i funksionimit të demokracisë) nuk ngre peshë as në elektorat dhe as në sytë e ndërkombëtarëve. Këta të fundit, të dhënë siç janë pas parlamentarizmit, shohin si mishërim të demokratikes pikërisht Parlamentin e Shqipërisë, funksionalitetin dhe kompromiset e atyshme.

Përveçse si njerëz të politikës, z. Fule dhe z. Rama takohen edhe si parapëlqyes të Twitter-it. Pikërisht në këtë rrjet social Komisioneri i BE-së ka përmendur kulturën e munguar të kompromisit te klasa politike shqiptare.Imazh, një pjesë të të cilit, Rama mund ta zhbëjë të hënën. Duke marrë kreditet përkatëse e duke konsumuar si sukses njërin nga dy dështimet e pritshme. Duke zgjedhur ‘Brukselin para Fierit’ në vend të ‘as Brukselin dhe as Fierin’. Sa u takon skifterëve në kampin opozitar që i kërkojnë të mos lëshojë pe: pse, çfarë do të bëjnë ata, do votojnë Berishën?! Ata të linjës së ashpër do i ketë me vete gjithsesi. Një kompromis për integrimin mund t’i japë një pjesë nga elektorati i lëkundur.

Në vend të kësaj, skena mund të përsëritet: do të konsumohen patate të paziera për të ngritur artificialisht temperaturën politike.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s