Absurdi i Korçës dhe harmonia e të pafeve

Teatri-i-Korçës-300x189

Në deklaratën e Mitropolisë së Korçës nuk kish si të mos i vinte radha edhe klishesë: cenon harmoninë dhe bashkëjetesën fetare në vend, thuhej ndër rreshta. Dinggg. Po me bashkëjetesën e të tjerëve(afetarëve) kush merret; kush e ruan atë? Harmoninë e pjesëve, kur ato janë të ndara: Kisha e Shteti, për shembull. Apo harmoninë e atyre ‘dishepujve’, jo të Krishtit por të Teatrit, që shkojnë të ndjekin një dramë apo komedi, këto të fundit ndërkohë shumë të pakta në Shqipëri, kush i siguron?

Kundërthënia që ka çuar në këtë deklaratë të përfaqësuesve të Kishës ortodokse lindi pas vënies në skenë të dramës ‘Shën Maria e Beratit’, me autor politikanin Namik Dokle. Në shfaqjen e pestë të saj, pjesa është gjykuar fyese dhe blasfemike nga një grup besimtarësh ortodoksë, të cilët kanë braktisur sallën në shenjë proteste. Saora ka ardhur reagimi i autoriteteve të Kishës. Të shkosh në shtëpinë e artit, në teatër në këtë rast, dhe të pretendosh se në x pjesë po luhet një ‘komplot’ kundër Kishës dhe shenjtorëve të saj; është, pak a shumë, si të shkosh në kishë e të shpallësh se y psalm fyen jobesimtarët. Ose, sikur Shoqata e Artistëve Korçarë të protestonte për rekuizitën, jo dhe aq artistike, sipas saj, të shpurës priftërore në një parakalim religjoz nëpër rrugët e qytetit.

Të gjitha këto të shkojnë në mendje, por jo çdo gjë që na shkon në mendje është e lejueshme. Disa prej nesh kanë Zotin që t’i kontrollojë, disa të tjerë Ligjin e ndonjë tjetër thjesht cipën e vet. Pse, atëherë, qëndrimi fondamentalist i prelatëve lokalë të Kishës ortodokse? Mbarsja e këtij kundërshtimi mund ta ketë fillesën tjetërkund, e veç sa ka qit krye te kjo drama e Dokles. Një farë dyshimi të lind që nga shkelja në ‘territor ortodoks’ d.m.th. në Korçë, e një dramaturgu me emrin Namik. Mund të jetë edhe emri i dramës ‘Shën Maria e Beratit’, që evokon një Shën Mari shqiptare, një Shën Mari që fiton autoqefalinë (mëvetësinë) prej grekes, bizantines, judaikes. Rrënjët e këtij reagimi mund të shihen gjithashtu te censusi i fundit, ku ortodoksët regjistruan diçka më pak se 7 për qind të popullatës, gjë që nxiti Kishën të shpallte një census të sajin, pikërisht në datën e lindjes së Krishtit. Zemëratën me pjesën teatrale të Dokles mund ta ketë shkaktuar edhe fakti se autori qëllon të jetë një ish-komunist dhe këta, si gjithë të majtët, vijnë me ngarkesat negative të ateizmit, të cilat shkarkojnë kur hasin në elemente fetare.

Të gjitha motivet (të hamendësuara) mund të kenë arsyet e veta dhe, sigurisht, mund të përligjen nga autorët e tyre. Por jo në çdo përballje mes motiveve të tyre dhe të të tjerëve mund të thirret në skenë ‘harmonia ndërfetare’ dhe të kërkohet shenjtërimi i saj. Sepse, sikur edhe një prej hamendësimeve të mësipërm të jetë i vërtetë, mëtuesi i harmonisë e ka shpërbërë vetë i pari këtë ‘parajsë të kërkuar’. Veç kësaj, harmonia ekziston atëherë kur ka pjesë në qarkullim. Nëse mozaikut social e kulturor ia heq motivet njëri pas tjetrit, harmonia vdes dhe lind totalitarizmi. Dhe totalitarizmat të cilitdo lloj qofshin, fetare, shtetërore, artistike, seksuale, janë të dëmshme e të mërzitshme.

Mitropolia e Korçës, me anë të reagimit të saj, në hosh e sipër, ka bërë edhe një gabim taktik. Duke u përpjekur të minimizojë ndikimin dhe mesazhin e dramës së Dokles, i ka dhënë krahë asaj: duke nxitur më të vjetrin dhe më të pazbërthyeshmin e impulseve njerëzore, që nga Kopshti i Edenit e këtej: kureshtjen. Më shumë vetë do ta kërkojnë ndërkohë librin e Namik Dokles ‘Shën Maria e Beratit’; më shumë të tillë do lypin një biletë për të parë inskenimin e saj. Mitropolia e Korçës dhe ata ortodoksë të zemëruar të shfaqjes së pestë, u bënë një disfavor besimtarëve dhe sqimatarëve. Duke hedhur dritë të gabuar mbi një pjesë e cila, estetikisht, mund të jetë e dobët. Po sikur, pasi të shohin pjesën, të zemërohen mbrojtësit e kanoneve estetike e të kërkojnë edhe ata ndalimin e saj? Ata kush i mban?!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s