Zgjedhjet e qershorit, a ka jetë përtej dyshes Berisha-Rama?

rama-berisha

Pretendimi se me protagonizmin në mediat sociale dy liderët politikë Berisha e Rama do të ‘pushtonin’ edhe Shqipërinë virtuale, është iluziv. Kjo për faktin e thjeshtë se faqet janë me ‘kujdestarë’ të cilët pastrojnë nga ‘kundërvajtjet’ hapësirën e komunikimit me liderët, duke e mbyllur sitën e komenteve në rast kritikash, dhe duke e hapur para çdo shprehjeje përlëvdimi. As Berisha e as Rama nuk do të munden, në parim, ‘të krijojnë’ votues të rinj, duke qenë se profilet e tyre në facebook do të ndiqen nga ithtarët e përhershëm, militantët partiakë ose nga ata që e kanë punë këtë punë…gazetarët.

Kjo është përpjekja e parë e makinës propagandistike të të dy liderëve për të ndërtuar ‘Shqipëritë e tyre virtuale’. Shkon sigurisht në vazhdë, ose më saktë është zgjatim i dy ngrehinave të mëdha, partive politike që ata drejtojnë, të cilat Mark Marku, deputet i PD-së, në një intervistë të para pak ditëve i quante ‘parti të tipit lider’. Përpjekja e dytë për të ndërtuar iluzion, gjithashtu autoritariste dhe pushtuese, ka të bëjë me alternativën, ose më saktë mungesën e saj, që buron prej një qasjeje luigjiane të llojit ‘Alternativa Jam Unë’.

E kësaj fryme është loja e ‘listave të mbyllura’ të deputetëve.

Por duket se ky totalitarizëm partiak e individual, në përpjekje për t’u shndërruar në totalitarizëm demokratik, po rrënohet nën peshën e mekanizmit dhe mendësisë që e krijoi. Kjo, paradoksalisht, falë ndryshimeve kushtetuese të cilat u përgatitën për të siguruar bipolaritetin dhe totalitetin, si të dy partive PD e PS, ashtu dhe të individëve, domethënë kryetarëve të tyre. Efekti i parë bumerang i këtyre ndryshimeve e kësaj shtrëngese, zgjedhjet e përgjithshme të 2009-s, prodhoi LSI-në, e cila, ndoshta edhe kundër pritshmërive të saj, u kthye në kingmaker. Joshja që dy partitë e mëdha, publikisht ose jo, i bëjnë LSI-së është njëherësh paradoks dhe dëshmi alternativash të munguara. LSI, një forcë e tretë sandwich, u prodhua nga trusnia e një sistemi që u bë i pamjaftueshëm për ta përcjellë dhe interpretuar demokracinë. Tash për tash ky sistem i pamjaftueshëmilustrohet nga një mazhorancë në status quo (që kërkon të dalë prej saj me kopje të sloganeve të Obama-s dhe jo rishpikje të vetes) dhe një opozitë që kërkon rilindje (po nga çfarë? prapë nga berishizmi dhe sërish nëpërmjet antiberishizmit?).

Për efektin e dytë duhet të presim qershorin 2013. Një diskurs herë i njëmendtë e herë ‘i paguar’ zhvillohet rreth mundësisë së afirmimit të Frymës së Re të ish-presidentit Topi dhe Aleancës së ish-nënkryetarit të KLD, Kreshnik Spahiu. Të afirmuarit si alternativë duket se i step edhe këto dy formacione të reja për të shpallur aleanca parazgjedhore. Një skenar i mundshëm do të qe bashkimi i tyre për të krijuar një kundërpeshë të djathtë të LSI-së. Gjithsesi, edhe jashtë këtij ekuacioni, totalitarizmi Berisha-Rama mund të çojë në një reagim të elektoratit që e sheh valvulën çliruese te një mozaik ose grup partish të vogla të bëra bashkë si alternativë e qendrës. Këtu mund të futen LSI, FRD, PBDNJ, PDIU a ndonjë tjetër. Një pakt mes tyre do të prodhonte, për herë të parë, një pol të tretë, por kjo do të ishte vetëm një gjysmëlajm i mirë, për vetë statusin dhe stadin e mendimit tonë politik. Do të qe iluzive t’u kërkoje një agjendë kombëtare drejtuesve të këtyre partive, kombëtare në sensin e zhvillimit, jo të bashkimit, duke qenë se fryma e tyre është fragmentare. Jo në kuptimin rajonal të fjalës, por në atë se ato janë ende formacione parapolitike, udhëhequr në të shumtën e rasteve jo nga kredo politike, por nga qëllime që justifikojnë mjete.

Nuk mjafton të thuhet se zgjedhjet e ardhshme janë historike: ato, në fakt, nuk mund të shpjegohen nga historia politike e dekadës së fundit, sa nga aksidente politike të ndërmarra si makiavelizma nga aktorët e dorës së parë. Zgjedhjet e qershorit ose do të çimentojnë natyrën e një gare thuajse presidenciale ndërmjet dy liderëve, duke na mësuar të zgjedhim mes Berishës e Ramës e atyre që do t’i pasojnë; ose do ta hapin spektrin. Në Greqi ka ndodhur kjo e fundit. Ekspertët thonë se edhe Italia është në një shteg të tillë.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s