Shtypi i shkruar, çfarë të ardhmeje

IMG00023-20130215-1143

Ka pothuajse njëfarë ngazëllimi, në qarqe të ndryshme, me prospektin e një fundi të historisë sa i takon shtypit të shkruar dhe formave të tjera të medias tradicionale në përgjithësi. Pritet që mediat sociale, Facebook e të ngjashmit e tij, të bëhen formate sunduese dhe të pranuara si të tilla, domethënë që jo vetëm ta sundojnë spektrin e audiencës, por edhe të kenë skeptrin e referencialitetit. Te kjo e fundit, në fakt fillon edhe gabimi i entuziastëve, sepse ngatërrohet ajo që mund të quhet medium i networkut memediumin mediatik (ndërmjetësues).

Çfarë është një medium i networkut (rrjetit) dhe çfarë është një medium mediatik, të cilët, për lehtësi le t’i quajmë MN dhe MM? MN, prapë Facebook është përfaqësues par excellence, janë faqet e secilit në këtë rrjet social, qofshin këta personazhe të njohur apo krejt anonimë. Ka një element të thjeshtë e lehtësisht të kapshëm që bën një ballafaqim të dy llojeve të medias (tradicionales dhe të resë): statusi i protagonistit. Nuk ka ndonjë rast që personazhe të dalë nga media e re të jenë bërë protagonistë në ato tradicionale. E kundërta është e vërtetë. Për shembull, profesori i nderuar Artan Fuga i ka ndjekësit në Facebook si autori i librave Artan Fuga që intervistohet në gazeta, televizione e radio dhe jo si Artan Fuga me faqe në Facebook. Ka, në tepri, emra të tjerë që mund ta ilustrojnë këtë.

Pra, mediat tradicionale nuk janë në fundin e historisë si të tilla; nuk zhduket misioni dhe as nevoja për to, shndërrohet forma dhe aksesi te to. Gazetat dhe revistat, ndërkohë duhet të nxitojnë për t’u bërë pjesë e këtij shndërrimi, dhe në rastin ekselent për t’i paraprirë atij. Transformimi fillon me dy ndryshime të rëndësishme: ndarjen me gazetarët mediokër dhe skajimin e gjinive jogazetareske. E para do të thotë krijimi i Autorit, i gazetarit që interpreton duke, mundësisht, iu shmangur komentit, dhe e dyta është largimi prej shërbimeve të klasifikuara (listave etj), të cilat në asnjë rast nuk janë gazetari.

Ardhja e autorit në gazetari duhet të ndodhë pasi të jetë kuptuar se për shtypin e shkruarlove affair-i ose marrëdhënia e shenjtëruar me pesë pyetjet klasike (Five W-s) ka marrë fund. Shtypi nuk mund të ketë më parësore Kush?, Çfarë? Ku?, Kur?, Pse? dhe për një arsye shumë të thjeshtë. Televizioni u është përgjigjur një natë më parë këtyre pyetjeve. Shtypit i kanë mbetur Pse-ja dhe një mori interpretimesh të katër pyetjeve të tjera. Por interpretimi është edhe gjëja më e vështirë për shkak se ngjarjet gjithmonë janë pjesë e një konteksti social, politik, kulturor, e të tjera. Që interpretimi të jetë profesional dhe i paparagjykueshëm gazetari (autori) duhet t’i njohë këto kontekste. Pa i njohur nuk mund t’i shpjegojë dhe pa i shpjeguar nuk mund t’i interpretojë.

Teoria e gazetarisë interpretative që zëvendëson gazetarinë e Five W-s është e britanikut James Stayner, dhe mund të ketë aplikim edhe në TV, por është sidomos e domosdoshme për shtypin e shkruar. Kjo teori përplaset direkt me të ashtuquajturën gazetari e qytetarëve sepse një amator mund t’u përgjigjet ndoshta pyetjeve Ku? dhe Kur? dhe kaq. Vetëm ndonjë rastësi fatlume do na jepte një qytetar që edhe e interpreton ngjarjen për një audiencë të gjerë. Për të mos harruar një përmasë tjetër të gazetarisë profesioniste që është vijimësia (follow up). Interesi i qytetarit për një ngjarje zgjat zakonisht sa ç’është edhe tronditja apo befasia e tij: ai/ajo mund ta filmojë apo jetë dëshmitar, le të themi i një shpërthimi, dhe më vonë ndoshta të protestojë kundër autoriteteve për moszbulimin e autorëve ose gjetjen e shkaqeve, por vetëm kaq. Gazetari profesionit është gjithçka tjetër.

Kjo zhvendosje në teori dhe në logjistikë, kjo vdekje e gazetarit dhe lindje e autorit thërret për krijimin e SuperGazetës. Lexuesi do të kërkojë një medium që peshon; autoritet aty ku gjithçka është bërë e lehtë dhe e shpërfillshme; referencialitet aty ku gjithçka është bërë konvencionalitet; komentariat aty ku gjithçka është bërë thashethem. Kjo SuperGazetë përputhet me natyrën e vet nëpërmjet një mecenati të iluminuar me burime të mjaftueshme financiare, me qëllim themelimin e një forumi të cilin nuk mund ta shmangësh, por as mund t’i shmangesh.

Ideja e një SuperGazete në një vend si Shqipëria ku nuk ka patur kurrë forma të një të tille, ngjan një utopi. Dhe e tillë është. Por realiteti është edhe më i rrëshqitshëm se utopia. Gazetat shqiptare janë pjesë e një krize të përgjithshme. Në shkelje të hapur të natyrës dhe misionit të tyre, ato duket se kanë ngecur e po merren teposhtë nga gropa thithëse e inercisë. Kjo gropë figurative përkthehet si krizë identiteti: pronarët, menaxherët, stafet duhet ta ndajnë mendjen se çfarë janë dhe çfarë i duan gazetat e tyre të jenë: tabloide, serioze, buletin klasifikimesh (classified).

Emergjenca bëhet më e thekshme po të kujtosh se lexuesi nuk është si gjarpri që e ndërron lëkurën kur ndërron moti: lexuesi i vjetër po vdes dhe i riu ka lindur ndërkohë. Investimi i ri, nëse do të ketë të tillë, duhet të shkojë për lexuesin e ri (18-45 vjeçar). Po shuhet gjenerata që ishte në të tridhjetat e dyzetat në fillim të viteve ’90, dhe që përcaktoi kursin e asaj që shkruhej e lexohej. Pensionistët nuk janë më lexues si të tillë: ata kërkojnë kryesisht lista pensionesh dhe informacione që kanë të bëjnë me shëndetin. Në redaksitë e gazetave qarkullon shakaja se lexuesit tanë janë kapterë e pensionistë; megjithatë nuk bëhet asgjë për t’u shkëputur prej tyre; megjithatë, shërbimi (trajtimi i lajmit dhe paketimi i tij) u shkon pikërisht atyre.

Shndërrimi, sigurisht është cilësor, dhe bëhet me njerëz dhe mjete cilësore. Kërkohen mecenatë, menaxherë dhe stafe sipërmarrëse. Kërkohet gazetari i ri interpretativ (autori), kërkohet blogu në gazetë, kërkohet gazeta në sajt. Të gjitha brenda një interaktiviteti kreativ. Mbi të gjitha për gazetën nuk ka më, e nuk mund të ketë breaking news; jemi në kohën e breaking views, interpretimeve dhe pikëpamjeve, pse jo edhe komenteve mbi atë që ka ndodhur, pse ka ndodhur, pse tani, cilat janë implikimet, ç’e ka prodhuar, çfarë do të prodhojë, si reflektohet kjo te koha dhe njerëzit.

Nuk është e lehtë, por as e pamundur nuk është.

*Artikulli është botuar fillimisht në faqen online të Institutit Shqiptar të Medias (institutemedia.org) si pjesë e debatit Media për median: një ftesë për debat.

mapo.al

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s