Atdheu i humbur i Refik Toptanit

Dorën ta shtrëngon fort. Në këmbë, dara e gishtërinjve dhe sytë që të shikojnë në sy, të krijojnë idenë e një burri që thyhet para asgjëje. Dy minuta më vonë, ato duar si morsa fillojnë e dridhen sikur po ringjallin një parkinson të kahershëm. Në tryezë bën vend një paketë duhani. Shkrepëse nuk ka. Një çakmak i harruar në bazën e ekranit të kompjuterit e kryen adetin, megjithëse asnjëri nesh nuk bën gjestin oriental të vënies së dorës në zemër.

Jam i tkurrur brenda një heshtjeje e padurimi bashkë: gazetat zakonisht shihen si punishte fletërrufesh. Ata që i bien derës apo na nisin emaile, kanë zakonisht halle që janë për dyer të tjera, ose kërkojnë qoka që bëhen duar për të trokitur në dyer që ata duan të hapin. Për njëmijë e një arsyet e tyre.

Po ky zotëri, ç’do të ketë, them me vete, megjithëse ende s’më ka lënë shija e mirë e kontaktit të parë: shtrëngimi i dorës e të pamit sy më sy. Ndez cigaren dhe fillon e thith në të sikur të donte të bënte dritë me xixëllonjën në majë të saj. Jam shqiptar, më thotë, jam Refik Toptani, nipi i Refik bej Toptanit që shpalli pavarësinë në Tiranë më 26 nëntor 1912. Dua të lëshoj një ‘qofsh shëndosh’, por duart që i dridhen si tela në stuhi më stepin. Jetoj në Amerikë, shton, dhe pyetjes ‘në ç’shtet?’ i përgjigjet: Nev Jork. V-ja e përdorur në vend të u-së në fund të emrit, nuk e di pse, më afron me të. Shqiptar nga të kahershmit.

Përmend se jeton atje që prej vitit 1990, ka dy fëmijë, nuk ka punë që të mos e ketë provuar. Fillojnë e i rrjedhin lot. I fshin me shpinë të dorës dhe thotë se nuk ka qarë kurrë në jetë. Një herë kur më pat vdekur nëna, pranon. Tregon më pas mes ngashërimeve, dhe tymit të cigareve që i ndez njëra pas tjetrës, se për 14 vjet nuk ish kthyer në atdhe. Tani vjen tre herë në vit. Fëmijët i ka rregulluar: e bija ka mbaruar universitetin për biznes dhe është martuar në Florida, ndërsa i biri sapo ka zënë një punë të re pas kthimit nga ushtria amerikane. Pat shërbyer si marins në një bazë në Paqësor.

Nuk është Amerika hullia ku do ta fusë bisedën. Shqipëria, thotë, që nuk po bëhet europiane; nuk ka politikan që të fusë në thes 3 milion shqiptarë; do ta firmosja atë peticionin për 3 ligjet; mund të përmend edhe emra fajtorësh të mosintegrimit, se nuk kam frikë. Kjo duket si qëndrim prej opinioni publik, por mund të jetë po aq dhe personal, ia kthej: po sikur, nesër, një tjetër qytetar, me të njëjtin shqetësim, integrimin e penguar, të kërkojë që t’i dëgjohet zëri, por si pengues të ketë identifikuar një individ apo palë tjetër?

Në këtë pothuajse përçartje, ai i shton bisedës edhe një vjershë të Fishtës në gegnisht:

Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis’,
trashigim, që na la i Pari,
trashigim s’ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
flet e t’veten e lèn mbas dore.

Për ta kuptuar jetën e Refik Toptanit, një burrë që i përket një prej dyerve të mëdha të Shqipërisë, e përndjekur pas Lufte nga komunistët, shërben një ngjarje e ndodhur në ambasadën amerikane në Romë. Pas një interviste me një zyrtare të ambasadës, iu dha viza pak pasi deklaroi gjeneralitetet e tij. E shoqja e mori automatikisht. Kur dolën, përkthyesi i tha se gruaja që i kish dhënë viston për në Tokën e Premtuar ishte një Toptan. Vajza e xhaxhait të Refikut, Iljazit. Iljaz Toptani qe vendosur në Marok pas Lufte dhe ishte hedhur si diversant nga anglo-amerikanët për t’u kapur nga komunistët dhe dënuar me burgim të përjetshëm. Pjesë e familjes që kish lënë pas ishte gruaja e ambasadës amerikane që i dha vizën kushëririt pa i dhënë as dhe një shenjë. Nuk u panë më kurrë.

Ky është Refik Toptani, 69 vjeç, shumicën e të cilëve i ka kaluar ose në një Shqipëri që ia bënë të huaj, ose në mërgim. Jeton në Amerikë, por pronat i shtrihen në Bathore ku kanë ngritur Amerikën e tyre shqiptarë të tjerë. Ndihet i huaj në vend të vet. Rrëfen se, si me shaka i thonë: hë mo, se ti emigrant je, ku di ti. Ka humbur atdheun, pikërisht atë që ne, në gulçe rinie apo kotnie, e kujtojmë si komoditet të këmbyeshëm me diçka ose gjithçka. Prandaj ai qan, dhe kërkon te biseda me një gazetar, jo revanshin e kohës së humbur, por atdheun e tij brenda kaosit që i është shfaqur herë pas here si atdhe, por nuk ka qenë gjë tjetër veçse ishull. No man is an island*. Atdheu i Refik Toptanit, po.

*Askush nuk është një ishull.

mapo.al

Një përgjigje ndaj “Atdheu i humbur i Refik Toptanit

  1. Pingback: Duke kërkuar Shqipërinë time |·

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s