Tirona lale, Tirana si ‘zemër’ dhe Tirana e Bashës

Jacques Attali, ekonomist dhe ekzekutiv i njohur ka, në fushë të prodhimit intelektual, edhe një libër të titulluar Një histori e shkurtër e së ardhmes. Në të artikulohen një radhë tezash ‘për 50 vitet e ardhshme të planetit’, të cilat shtresëzohen kryesisht mbi përvojën e qytetërimit perëndimor ose më saktë të qyteteve, të cilat, siç i etiketon Attali, janë shndërruar dhe kanë shërbyer si ‘zemra të botës’. Ata janë Bryzhi, Anversa, Venediku, Antverpi, Gjenova, Amsterdami, Londra Bostoni, New York-u dhe Los Angelesi, që është edhe ‘zemra’ e tashme.

Teksti i Attali-së është një nga ato leximet që të sfidon, si me analizën ashtu dhe me spekulimin. Mund t’i marrësh ose t’i lësh që të dyja, por meqë flitet për qytetet, nuk mund të rrish pa e zbritur krahasimin në rrafsh shqiptar: të mendosh globalisht e të shikosh lokalisht domethënë. Nëse Los Angeles-i është ‘zemra e nëntë e botës’, Tirana është zemra e n-të e Shqipërisë. Përciptazi e tërthorazi, Shqipëria mund të njohë si zemra pararendëse të Tiranës, Durrësin (Dyrrahium), Shkodrën (Scutari), Krujën (e kohës së Skënderbeut) dhe Korçën. Në grupin e qyteteve-zemra, Tirana ngjan vetëm me Krujën: të dyja u zhvendosën nga gjeografia në histori, jo për shkak të kulturës së epërme, por si konvencione dhe konvenienca gjeo-politike. Kruja ishte qendra politiko-ushtarake e Gjergj Kastriotit, ndërsa Tirana e Ahmet Zogut. Fati i këtyre dy qendrave u shkrua mbi një tabula rasa kulturore.

Kaq në teori, për të ardhur në aktualitet te Tirana e sotme si ‘zemër’ dhe si ‘qytet’. Më saktë çfarë i duhet Tiranës, cilat shenja dhe akte, që ajo, në një botë që lëviz, të mbetet të dyja. Shenjës së parë, qerpiçit, caracit dhe pusit, nuk i ka mbetur asnjë shenjë: më shumë se toskët e ‘44-ës dhe gegët e ‘92-it, duhet parë si ‘fajtor’ ruspa e zhvillimit dhe babëzisë universale dhe mobiliteti. Pavarësisht se tingëllon idilike dhe e butë si vjershë divani, shenja ishte një banalitet. Shenja tjetër e Tiranës janë Bulevardi dhe ndërtesat e ministrive. Si sasi dhe cilësi ato janë përpjekja e parë e Tiranës për të dalë nga çitjanet e rurales e për të veshur Chanel-in qytetar. Komunizmi ngriti mbi dy shtresat e para, otomanen dhe romanen, një banalitet tjetër: aestetetikën uniforme. Nuk e bën më pak të tillë zëvendësimi i saj me një banalitet tjetër: ndërtesa të reja të tranzicionit që i rrinë trupit të qytetit si këpusha qelbi të stresit të shtuar urban. Shqiptari i tranzicionit, ai politik e civil, ndërtoi mbi tri shenjat e para të katërtën: një koktej shpërthyes, disharmonia pushtuese e të cilit, më shumë se qytet apo ‘zemër’, ngjan me një ngatërrim zorrësh.

Si mund të hyhet atëherë në rropullitë e këtij barku për të mbajtur në jetë një ‘zemër’? Kjo dilemë dhe sfidë duket se i ka ra për hise guvernatorit të Tiranës, Lulzim Basha. Atij i duhet jo vetëm të japë shenja, por edhe të ndërtojë shenjën e pestë të Tiranës: ta kthejë atë në qytet e ta mbajë ‘zemër’ njëkohësisht. Nëse paraardhësi i tij i hoqi vetullat dhe i leu buzët; përkatësisht dekolonizimin e anëLanës dhe parkut Rinia nga kioskat dhe ojnabojnat e pallateve, duke mos frenuar, në mos kontribuar në getoizimin e qytetit përmes ndërtimtarisë vandale, Bashës i duhet të realizojë premtimin e madh e të pambajtur të z.Rama: Tiranën multicentrike.

Kur mandati si kryebashkiak po i afrohet gjysmës, z.Basha ka paraqitur një radhë projektesh: zgjerimi i Bulevardit të madh në drejtim të lumit të Tiranës, stacioni multimodal, si edhe një linjë trami Kinostudio-Kombinat, janë më të zëshmit dhe më tërheqësit ndër ta. Pyetja është e thjeshtë: a do mundet që një prej projekteve të jetë sendërtuar, për t’u bërë akti i tij i parë i madh në krye të Bashkisë, në prag të betejës për një mandat tjetër? Kanë mbetur pak më shumë se dy vjet deri atëherë. Nëpër këtë kohë që ikën nuk mund të ketë vetëm projekte që vijnë. Kantieret do të ishin një shenjë se z.Basha është gati për të lënë shenjën e tij të mandatit të parë. Nën këtë shenjë, dhe vetëm nën të, mund të kërkohet një mundësi tjetër në krye të Bashkisë. Me projekte konkurrohet herën e parë, jo të dytën.

Tirana nuk kërcënohet nga ndonjë qytet tjetër për vendin e ‘zemrës’ së n-të të Shqipërisë, por kaq nuk del. Kaq mjafton vetëm për ndonjë banalitet të llojit ku ka si Tirona lale, ku ka si Tirona.

mapo.al

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s