Ekstravaganca është mëkati ynë i preferuar

mekati i preferuar

 

 

Do të ishim egoistë po të kërkonim që në ditën kur bota e krishterë feston lindjen në një grazhd të Krishtit, të ndalej në vend grazhdi politik që prodhon tagjinë mediatike për nofullat e Shqipërisë së përditshme. Secilit, në fund të fundit, mjerimin e vet.

Meqë bota dhe asgjë nuk ndalet, Saramago e qorton diku në shkrimet e tij njerëzimin postmodern që nuk e s’di të ndalet, nuk mund të mrizojnë as mënyrat me të cilat ne shohim botën. Për Krishtlindje sidomos, dëshira për të parë botë dhe për ta parë botën është edhe më ngucëse, por edhe më e mundshme. E mundshme sepse kontrasti është më i fortë: sidomos kontrasti mesUrdhëresave pas të cilave shpallim se jetojmë dhe shkeljeve që u bëjmë, aty-për-aty, këtyre porosive sublime.

E çfarë do të ishim ne në fund të fundit, pa shkeljet, pa teprimet tona. Vetëm me anë të teprimeve e kuptojmë se kush jemi, e kuptojmë se kush janë. Nëse do t’i futeshim për të bërë një Top 10 Extravaganza (le ta teprojmë e të përdorim eufemizmin ekstravagancë për teprimet) të gjithë do të shpallnim listën tonë. E para ndër to mund të ishte fjala Krishtlindjet në vend të Krishtlindje. Nuk janë e njëjta, por cila është e sakta? Trajta në njëjës, sepse ka patur një lindje të Krishtit, dmth një Krishtlindje. Televizionet dhe gazetat, megjithatë vazhdojnë ta përcjellin teprimin si Krishtlindjet. Në radhë, jo për nga rëndësia, por për nga vjega ala alfred hitchcock vjen tymuesja eKryeministrit Berisha, ose ideja për të sjellë në Shqipëri kokën e Ali pashë Tepelenës. Shumë gjëra do të bien me ardhjen e luanit të Janinës në Shqipëri. Sidomos, do na dhembë rënia e epikës kadareane, tashmë s’di pse edhe këngë e motiv dasmash, kokën në Stamboll more/ trupin në Janinë/ të shtrinë Ali pasha/ o pasha të shtrinë. Por, mund të ngrihet besimi se kredoja kombëtare ndërtohet me gjëra të së shkuarës e jo të së ardhmes.

E treta, jo e vërteta, por as e shenjta, siç mund ta sugjerojë triniteti i numrit, është déjà vu-ja e kronikave televizive me rastin e festave fetare: janë të njëjtat mesazhe për harmoninë, paqen, përunjësinë. I njëjti tekst, të njëjtat portrete, e përhershmja mërzi që duket se i ka kërrusur të gjithë si mullarë nën shi. Nuk është tepri e klerikëve dhe politikanëve kjo, është e medias: lindja e Krishtit nuk është më lajm. Tashmë ajo përbën ceremoni dhe ceremonitë si lajm i parë, thonë diçka për redaktorët.

Për të mos lënë në shmang një informacion të brendshëm që nuk i intereson publikut, por mjedisit mediatik: koktejet e festave që politikanët organizojnë për gazetarët. Këtu raca e gazetarëve fyhet paq sepse ata nuk shihen si grup interesi, as si entitet, por si turmë. Për shembull, as shefi i ekzekutivit dhe as kryetari i opozitës nuk organizojnë, në traditën e White House Correspondent Dinner, një darkë me gazetarët që mbulojnë respektivisht qeverinë dhe Partinë Socialiste. Një koktej me gazetarët trajtohet si një miting me militantët partiakë. Sigurisht, teprimi i dy big-ëve të politikës nuk përbën ekstravagancë krahasuar me atë të kryeparlamentares Topalli, e cila i kujton festat e institucionit dasma në fis: fton begenisësit.

Për të mos harruar teprimin e teprimeve: kokteji dantesk i fishekzjarrëve me shashkat. Për këtë secili ka një histori më vete dhe historia e shkruar do të ishte teprim para të jetuarës. Sa u bënë, pesë? Por jo dhjetë, siç u pretendua në fillim, çka pohon se edhe ky shkrim e teproi dhe u kthye vetë në teprim.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s