Kosta Barjaba Njeriu i ri i Tranzicionit

kosta barjaba

Kosta Barjaba është takuar me vetminë e tij, në rrethana fatkeqe, në qytetin e vogël universitar të Palo Alto-s në California. Njerëzit bëjnë çmos t’ilargohen vetmisë, sepse nuk duan të njihen me veten: nuk duan të pranojnë çfarë janë, dhe të qenit pjesë e komunitetit, të vepruarit sipas rregullave komunalë, ua mundëson këtë ‘mosnjohje të vetes’. Kosta Barjaba e ka të dyfishtë këtë peshë: ai ka njohur veten, por edhe raportin e tij me shoqërinë, ose më saktë me ata që formësojnë opinionin publik. Ka pyetur ndoshta se si u bë shënjestra e parapëlqyer e të gjitha palëve,një mari magdalenë për të cilën asnjë zot apo mëtonjës nuk sfidon: kush e mendon veten të pamëkat të hedhë gurin e parë. Aq gurë janë hedhur mbi të, i tillë ka qenë linçimi, sa të kujton ekzekutimet me gurë në vendet islamike.

Po pse u kthye Kosta Barjaba, një akademik i formuar në radhët e inteligentsias komuniste të viteve ’80 në poster boy-n e të gjitha kundërvajtjeve të shoqërisë shqiptare të 20 viteve tranzicion?
E para arsye ka të bëjë me makinacionet politike që rrjedhin prej përkatësisë ideologjike dhe partiake të z. Barjaba. Eksponent i Partisë Socialiste, një prej hartuesve të programit të çështjeve sociale, njëfarë ministri Pune në hije, ai mori mbi vete helmin dhe shigjetat e kundërshtarëve politikë më shumë si kolateral politik sesa individual. E kompleksuar dhe e paqartë, edhe PS i ra mohit në përpjekje për t’u distancuar me sa më pak dëme nga nderi i humbur i shokut të armëve.

Motivi i dytë ka të bëjë me një hakmarrje banale që ka në thelb smirën e njeriut për njeriun: ja ku është Kosta Barjaba, dekan i një universiteti, person publik, me fëmijën në Stanford që shkon për pushime në Kaliforni e bën shopping në Nordstrom. Krahasoje këtë me pazarin te tregu çam, gjelin e përhershëm në tryezën familjare; të gjitha një aferë lokale dhe e mërzitshme.

E treta dhe e fundit, por në fakt më përcaktuesja, është përleshja me të ngjashmin. Kosta Barjaba i përket një brezi të rritur dhe edukuar në komunizëm, brez i cili në shumicë sundon sot skenën politike e sociale dhe përcakton edhe baticë-zbaticat që formësojnë të menduarit e publikut. Kjo gjeneratë i përket frymës mbi të cilën u formësua njeriu i ri komunist(ilustruar mjeshtërisht në librin e studiuesit Albert Nikolla), që më pas u shndërruar në njeri të ri të tranzicionit. Kosta Barjaba i ka tradhtuar të ngjashmit e tij: sipas rastit, ose ideologë ose prerje në seri të ideologjisë së majtë: ai u kap, sipas raporteve të policisë amerikane, në një vjedhje të vogël. Ata, por edhe shoqëria, do ia kishin falur një vjedhje spektakolare, një grabitje ose mashtrim, le të themi ala Bernie Madoff, por jo një çantë dore e një kostum burrash. (Sa ironi ka te e gjitha kjo: si ndodhi që burrat e dikurshëm të komunizmit me kostume teritali u kthyen në dashnorë kostumesh të mira dhe çantash dore ku ngjeshin gjithë rëndësinë e tyre sociale: dy-tre celularë, cash, blloqe llogarish, e të tjera?!).

Pyetje kjo që na çon te një tjetër: si ka mundësi që shoqëria shqiptare, po t’i referohemi maksimës së Eco-s, latine më shumë se atlantike, u bë papritur puritane dhe amerikane? Pse nuk qe po aq purtitane edhe në rastin e fotografive të Ramës dhe skandalit Meta-Prifti? Kosta Barjaba nuk ishte aq i rëndësishëm sa të mbrohej: ai u braktis nga të gjithë dhe të gjithë iu kundërvunë. Askush nuk priti as që verdikti të mbërrinte nga Amerika, vendi që e ka të shenjtë parimin: innocent until proven guilty (i pafajshëm deri kur të provohet e kundërta).

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s