Pesë personazhet e 2012: Kadare, Berisha, Topi, Ngjela dhe Ora

Ismail Kadare, mosmarrëveshja ose Testamenti i Ri

Momarrëveshja, sprova e gjatë, kundërthënëse dhe e epërme në stil e Ismail Kadaresë, pa botimin e tretë vjeshtën e këtij viti. Meqë edhe numri i botimeve e ripunimeve, (tre, trinia), na e lejon një qasje tekstesh të krishtera, Mosmarrëveshja është Testamenti i Ri i Kadaresë, nëse na lejohet që veprën e tij të derikëtushme në letërsi ta konsiderojmë si Testament të Vjetër. Nuk është vetëm shpeshtësia e botimeve në një hark të shkurtër kohor që e bën këtë tekst eseistik të shkrimtarit të madh njëfarë programi kombëtar që sheh nga europeizmi si prirje, si frymë, por edhe si vetëdije të shqiptarëve. Është edhe angazhimi i shkrimtarit në një gjini prej tij të lëvruar më parë me sukses, eseistika, si te Dantja i pashmangshëm, Eskili ky humbës i madh, e të tjera, por që në këtë rast shkon përtej kulturologjisë e futet në kufij më parë të parrahur. Kadare nuk e bën këtë me skeptrin e ekspertit, por atë të autoritetit: kjo e bën Testament Mosmarrëveshjen. Antropologjia, letërsia, politologjia, filozofia, sociologjia shkruajnë së bashku një tekst që e bëjnë Autorin të duket më shumë si dëftues sesa shkrues i tij. Nënvetëdija e baraslargon autorin nga e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja, sepse teksti merret me konvencionet, shenjat e shpirtit të shqiptarit, simbolikën e tij të jashtme e të brendshme, ravgimet, rrëmbushjet, kontradiktat: mosmarrëveshjet mes gjithë këtyre. Në thelb të gjitha ato janë të pakoha, e në të njëjtën kohë e bartin lëndën e tyre, në këtë rast shqiptarin, drejt amshimit (shpresohet) ose fundit të vet (si-mos-o-Zot). Kapitujt e Mosmarrëveshjes për nga vjegat dhe stili mund të quhen edhe kanconeta, siç emërtohen nga Dante këngët e Komedisë hyjnore. Për të luajtur edhe më pak me elementin e trinisë, kësaj radhe në letërsi, Mosmarrëveshja është kokteji i Ferrit, Purgatorit dhe Parajsës së shqiptarit: aty janë të zezat, pendimet dhe dilemat të zhytura në gri dhe shelbimi i mundshëm në formën e europeizmit.

Sali Berisha, nëntori i një kryeministri

Presidenti amerikan Franklin Ruzvelt ka thënë: U kërkoj të më gjykoni nga armiqtë që kam bërë. Megjithatë, të gjykosh Sali Berishën duke i përdorur si njësi armiqtë, do të thotë ta paragjykosh. Kështuqë rruga më e sigurt mbeten tezat dhe aktet që ia krijojnë këta armiq. Që do të thotë: pavarësisht tezave, a mbeten armiqtë të njëjtët e të pandryshuar? Nëse po, atëherë janë ata, thjesht armiq të Berishës, dhe jo domosdoshmërish Berisha Public Enemy nr.1. (Sepse askush nuk mbetet në politikë, në një sistem pluralist, 20 vjet duke pasur gjithçka gabim, apo jo?) Aksioni mbetet matësi më i mirë i aktit të njeriut politik Sali Berisha. Një i tillë, më i fundit ndër ta, është teza për bashkim kombëtar të shqiptarëve. Duke përdorur qilimin e kuq fluturues të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, Kryeministri ngriti një mizanskenë dhe, si Hudini i të gjitha karizmave, prej nga dikush tjetër mund të kish prodhuar një hutim të përkohshëm, ndërtoi një akt. Akti nuk qëndron vetëm te paraqitja e motiveve të një apo më shumë sloganeve, si për shembull pasaporta për të gjithë shqiptarët në Ballkan, bashkim kombëtar, Shqipëria një nga Preveza në Mitrovicë, e të tjera. Akti, më shumë se nga mjetet, shprehet nga frymëzimi dhe nga gatishmëria e njerëzve për të besuar tek e mundshmja e të pamundurës. Të tjerë para tij, operatorë politikë rishtarë ose jo, edhe pse jo të kalibrit të Berishës, qenë munduar të ngjizin ind kombëtar me pështymë elektorale. Nuk ngjiti, sepse një akt nuk kërkon vetëm aktorë, por edhe faktorë. Sali Berisha është i tillë. Ai i dha trup një maksime të tij gjatë një debati me deputetë të opozitës në Parlament, kur u tha: Unë kam qenë në pushtet edhe kur isha në opozitë. Aktet këto janë: ushtrim superioriteti pavarësisht rrethanave.

Bamir Topi, një parti më vete

I etiketuar si horr bulevardi nga ish-shefi i tij, dikur shok lufte në armatën blu të Partisë Demokratike, dukej se presidentit Bamir Topi nuk i mbetej asnjë alternativë përveç durimit me dhëmbështrënguar, ose një përballjeje të drejtpërdrejtë politike. Kjo e fundit kërkonte një akt dhe akti ishte gjesti i fundit që pritej, sidomos ndër kritikët e tij, por edhe dashamirët skeptikë, që e shihnin Topin si pjesë të psikologjisë ‘mosme- prish-qejf’, që thuhet se karakterizon antropologjikisht banorin e Shqipërisë së Mesme. Aktin e bënin të mundshëm edhe alternativat e zbehta që i mbeteshin Presidentit: kthimi në PD, gjë që parashihej në statutin e partisë, ose një rol në jetën akademike. Kjo e fundit, duke qenë se z.Topi nuk njihej si ligjërues, por as si mbajtës spaletash me prarime academe, i shtonte pikëpyetjet e një rishpikjeje. Ideja e krijimit të një partie të re si alternativë e djathtë e Demokratëve, dekurajohej publikisht e nën zë, për dy arsye: partizat e dala nga PD-ja kishin dështuar me sukses dhe Bamir Topi nuk shihej si operator politik, si kalë fushate, si frymëzues i asaj pjesë të së djathtës që potencialisht ishte ftohur me PD-në pas futjes në llokmën e pushtetit të një partie që deri para zgjedhjeve të shkuara i ofrohej më shumë ekstremit sesa qendrës së majtë, LSI. Topi zgjodhi shtegun më shumë të rrahur: detyrim-përcaktimi i zgjedhjes nuk ia heq vlerën aktit. Në një vit të ngarkuar politik si 2012-a, Bamir Topi e riformatoi veten si lider politik partiak. Ai nuk është më në hijen e të tjerëve, por i duhet të lëshojë hije për ata rreth e rrotull. Basti i tij i madh është përpara dhe i hapur: a do të prodhojë dot frymë, siç edhe siglohet partia e tij, jashtë mushkërive të PD-së?

Spartak Ngjela, legacy-a e një libri

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve At Zef Pllumi, ku libri i tij Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare u zgjodh si teksti më i mirë në memuaristikë, Spartak Ngjela u ndal te një moment burgu me atin françeskan, autor edhe ai i një libri të rrallë me kujtime, Rrno për me tregue. Kujton Avokati: Zef Pllumi më tha se çdo ditë do të më mësonte një nga parabolat e Krishtit dhe kështu bënte. Vite më vonë, ndërkohë që bënim fushatë për PD-në në një qytet të Shqipërisë, u mblodhëm për të hartuar strategjinë e fitores: sloganet, fjalimet e të tjera. Bashkëpunëtorëve të shqetësuar për gjasat e fitores, duke kujtuar parabolat e Krishtit të mësuara prej At Zefit, u thashë: Po ç’keni more; po me 5 parabola është ndërtuar një qytetërim (perëndimori) e nuk po u merrka një qytet me 10 fjalime! Ky shembull ilustron çka është Spartak Ngjela, ky njeri me quick witt. Por, përtej parabolave të Krishtit e eufemizmave të Ngjelës, pra atyre akteve të vogla të përditshme, Avokati iu afrua 2012-ës me librin e dytë të triptikut të kujtime/ refleksioneve Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare. Libri, në mungesë të kritikës, ka marrë vëmendjen e nëndheshme, por në shtyp është folur sporadikisht për të. Kësaj i ka ndihmuar edhe njëfarë shkapërderdhje e autorit të Përkuljes…: libri zgjatet, nganjëherë panevojshëm, në refleksione të cilat, ndërkohë që potencojnë thellësinë e mendimit të Ngjelës, zbehin përmasën e kujtimeve çka pritet të jetë shtrati kryesor i librit. Megjithatë, Përkulja… mbetet një tejqyrë e gjatë brenda mekanizmave të komunizmit shqiptar, një fakt publicistik dhe një akt i kujtesës. Një redaktim skrupuloz dhe një ribotim në hardcover do t’i sillte një viti tjetër një triptik edhe më të thukët, por 2012- ta e ka marrë ndërkohë librin e vet.

Rita Ora ,kozmopolitania nga Prishtina

Shqiptarë që mundohen t’u injektojnë teksteve dhe performancave të tyre zhargon dhe lëvizje të muzikës moderne, hi-hop dhe R&B, janë me qindra. Ata ndahen te shtigjet që marrin për të arritur te fama, por bashkohen në krye të rrugës, te dështimi. Shumë gjëra mund ta shpjegojnë këtë: regjistrat e shqipes, anglishtja e pakultivuar, kur ata këndojnë në këtë gjuhë, shqipja si gjuhë me qarkullim lokal e të tjera. Ky dështim i brendshëm shpresohet dhe pritet të mbushet nga shqiptarë të talentuar që jetojnë në Perëndim ose nga ata që shpërngulen. Prej këtyre të fundit nuk kemi asnjë shembull shkëlqimi, pavarësisht mundimeve vetëpromovuese të tyre ndihmuar edhe nga gazetaret e Tiranës që shkrimtari Agron Tufa i quan ‘skupicat e faqeve të kulturës’. Rita Ora, ndërkohë, pa ndihmën e skupicave, me talentin e saj dhe yllin e fatit, ka arritur të shkëlqejë në rang ndërkombëtar. Akti i saj dhe reflektimi në pasqyrat e mëdha të 2012-ës nuk qëndron dhe aq te fama, sa te fakti se një shqiptare i rri mirë gjerdanit të kulturës së re kozmopolite. Është në njëfarë mënyre shkëlqimi ynë nga jashtë dhe jo nga brenda. Sigurisht, nuk është kulturë e lartë, është pop kulturë, por është rruga më e efektshme e brand-ingut të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ndonjë shqetësimi se Rita Ora nuk është dhe aq shqiptare, vajza iu ‘përgjigj’ me koncertin në Tiranë më 28 Nëntor, ditën e përvjetorit të 100-të të shtetit shqiptar. Ata mijëra vetë që rezistuan në shi, janë dëshmi edhe e një fijeje patriotizmi që i lidhte me prishtinalien e përshtatur si londineze. Për të mos harruar se kosovarët e famshëm tak-fak i shpallim e i pranojmë si shqiptarë. Problemin e kemi me të zakonshmit: dhe kjo na bën ne të zakonshëm.

mapo.al

Një përgjigje ndaj “Pesë personazhet e 2012: Kadare, Berisha, Topi, Ngjela dhe Ora

  1. Pingback: Pesë personazhet e 2012: Kadare, Berisha, Topi, Ngjela dhe Ora | Alfred Lela·

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s