Lacat e Shqipërisë që po bëhen seks i zgjedhur

Demografia e përcakton historinë, e cila m’anë tjetër përcaktohet nga tradita. Në traditë, shqiptari për fjalën ther djalin, që do të thotë gjënë më tështrenjtë. Për vajzën, dhe për raportin e saj me nderin dhe familjen, e shumta ruhet një fishek në pajë. Ky është një interpretim antropologjik i një tradite që ka prodhuar shifrat e një studimi të bërë publik para dy ditësh. Fokusi i studimit ishin raportet demografike, ose ndryshe raporti në disekuilibër midis sekseve në lindje në Shqipëri. Shqetësimi i studimit janë shifrat e pabarabarta në lindje mes foshnjave të dy gjinive, me meshkuj që i tejkalojnë femrat në një raport 11 me 0. Për 100 femra të lindura ka 111 meshkuj korrespondues, zbulon studimi, ‘vërtetësia’ e të cilit fortifikohet nga Ministria e Shëndetësisë, UNFPA dhe World Vision.

Ky raport në disekuilibër mes vajzave dhe djemve në Shqipëri ka hasur në shqetësimin edhe të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, institucion që vjet ka kaluar rezolutën ‘Përzgjedhja prenatale e gjinisë’. Pse kjo disbalancë, dhe pse konsiderohet shqetësues një fakt që mund të jetë edhe seleksion natyror. Sipas studimit, meshkujt po bëhen mazhorancë si pasojë e ndërhyrjeve selektive të prindërve, të cilët ‘fabrikojnë demografi’ duke e përzgjedhur gjininë e foshnjeve. Edhe pse ligji shqiptar e ndalon abortin pas tre muajve të parë të shtatzënisë, duket se dëshira për ta ‘nderuar’ emrin e familjes me pasardhës të gjinisë mashkullore, del edhe para rreziqeve mbi shëndetin apo jetën.

Sipas demografëve, nëse vazhdohet me këtë ritëm, brenda 20 vitesh në Shqipëri do të ketë 11 për qind më shumë meshkuj se femra. Kjo, përveçse mashkullorizon një shoqëri e cila nuk është se e ka ndërkohë të ulët zemërimin e testosteronit të pakontrolluar ballkanik, ‘tkurr edhe tregun e martesave’.

Ndërsa tradita, patriarkaliteti, machoizmi, arrijnë të fabrikojnë numra dhe gjini, duke prodhuar një ‘treg fëmijësh’, nuk mund ta shmangësh zinë e kësaj ‘përzgjedhjeje jonatyrore’. Ka një element hitlerian, një ‘solution’ një ‘Herrenvolk -master race’ që bëhet ‘master sex’, që fabrikon sundimin e njërës gjini mbi tjetrën, të mashkullores në këtë rast, në një shoqëri që nuk ka qenë dhe as është aq e lumtur me hegjemoninë e ‘burrërisë’.

Nëse, me raste, shqiptarisht, e kemi zhvlerësuar ‘seksin tjetër’ duke nxjerrëvirgjëresha nga gratë, e nga këto të fundit burrnesha, tani thuajse kemi një program gjinor që fikson sundimin e një seksi kundër tjetrit, duke ndërhyrë sa herë Zoti apo natyra përzgjedh ndryshe nga shijet tona.

Është një moment kombëtar i ulët dhe i rrezikshëm dhe, ashtu siç ndodh me një planifikim, le të themi antropologjik, duhet ndalur me planifikim shtetëror. Në këtë rast,  as liberalizimi që i mëshon lirisë së zgjedhjes, dhe as ideja e djathtë e shtetit të vogël që nuk shkon përtej policisë, ushtrisë, gjykatave, bien.

Ministria e Shëndetësisë shpall se do të ngrejë një “task force” që do të monitorojë klinikat e aborteve. Këtë ta bëjë, të paktën. Nëse nëpër Shqipëri ka prindër dhe mjekë që duan të luajnë variantin shqiptar të Dr. Mengeles, duhen ndaluar. Urgjentisht.

Shoqëria shqiptare do të ndryshojë për mirë kur zgjedhjet, mundësitë e zgjedhjeve, t’i kenë femrat, dhe jo e kundërta. Lacat, dhe jo vajzat, duhen rralluar.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s