Genc Pollo, 99-a totalitare dhe hienat përmbi 14

genc-pollo1

Fotografi, nga greqishtja, do të thotë të shkruash me dritë. Të fotografosh është një përpjekje për të hedhur dritë mbi, ose dritë në, një moment, ngjarje ose fenomen. Censusi i fundit për shembull mund të konsiderohet njëfarë fotografimi i gjendjes dhe statusit demografik të Republikës së Shqipërisë. Censusi ‘ka shkruar’ mbi këtë peizazh, por jo ‘me dritë’: duket se errësira dhe konfuzioni janë shtuar. Numrat e fotografuar nga censusi kanë qenë bizarë deri diku, por edhe më të tillë i kanë bërë interpretimet. Fotografisë mediatike të pascensusit megjithatë i është hequr portreti i Genc Pollos, ministrit të Teknologjisë dhe Inovacionit, emri i të cilit para se numërimi të fillonte ‘nxinte’ për sa e sa arsye e mosarsye nga anatema lokale që mundohej të paraqitej si e përgjithshme.

Por, censusi, imperfekt siç është, ka hedhur dritë edhe mbi anatemën dhe anatemuesit. I ka nxjerrë ata, si të thuash në një dritë të re. Ngakundërshtarë të paepur të censusit janë shndërruar në mjelës të tij. Numrat e kanë këtë: ata janë tekanjozë dhe gjithmonë thonë diçka, edhe kur shpërfillen si thjesht konvencione. Refuzimi i procesit të ndërtimit të numrave, i fotografimit, të shkruarit me dritë, është zëvendësuar me fabrikimin e një enumeracioni që prodhon miklim dhe vetësugjestionim. E gjithë kjo është përqendruar te një 14 përqindësh neutral. Për motive politike ky 14 përqindësh po lexohet, sigurisht nga formacione që ende janë në terr sa i takon mbështetjes popullore, duke qenë se nuk kanë marrë pjesë në asnjë garë, përveç kontestit me veten në pasqyrë, si ‘elektorati ynë ’. Anketimet dhe ligjëratën politike i ka shqetësuar shumë, sidomos përgjatë postmodernizmit, elektorati gri, ajo pjesë e luhatur votuesish, që në momentin e fundit ose abstenojnë, ose zgjedhin njërën apo tjetrën forcë politike. Ky lloj votuesi nuk është fanatik, nuk është ideologjik, dhe aq më pak është ai i lexueshëm.

Pse atëherë kërkojnë ta lexojnë, të shkruajnë pikërisht mbi atë pjesë që fotografimi ka lënë në terr? Në radhë të parë është një fyerje për inteligjencën e atij 14 përqindëshi inteligjent. Abstenimi i tyre ka qenë pikërisht ky: mosdëshirë për të përkitur, për t’u grupuar, për t’u emërtuar, për t’u përdorur. E vetmja markë së cilës nuk kanë dashur t’i ikin ka qenë gjuha: ata kanë deklaruar shqipen si gjuhë amtare. Elementë të tjerë që mund të bëhen shteg politizimi, kanë parapëlqyer t’i lënë ‘pa zbardhur’: fenë dhe etninë. Kjo lidhet me njëfarë aversioni që homo albanicus mund të ketë krijuar kundrejt homo politicus. Në të njëjtën kohë, kjo ka shërbyer edhe atë se çfarë, antropologjikisht, është një shqiptar: gjuha e tij.

Por, çfarë ka atëherë kaq jokomode te kjo masë 99 për qind shqipfolëse, që bash me gjuhën dhe me asgjë më shumë, identifikohet, që i shtyn ata që deri dje ishin kundër censusit ta kërkojnë cicën e tij? Është kompleksi, në fakt, gjendja natyrale e hienës që i sillet një gjirafe me shpresën se do të dalë një llokmë, pasi ta ketë rrëzuar, përmbi madhështinë e saj, ndonjë luan gjithashtu madhështor.

Por, 99 për qind që kanë zgjedhur shqipen si kartë identifikimi ia kanë bërë edhe më të lartë, edhe më të bukur qafën gjirafës. Censusi, pavarësisht të metave, e solli këtë të mirë. Ministri i shumësulmuar Pollo, që u identifikua si ‘frankenshtajni i censusit’ mund ta ketë buzëqeshjen e fundit. Censusi i tij ka fotografuar, shkruar me dritë, një numër totalitar, por të bukur: 99.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s