Floriana Garo E bukura e dheut…të Akademisë

albavipnews.blogspot.com

albavipnews.blogspot.com

Tek Iliada ka një moment të momenteve, kur prijësit trojanë mblidhen për të vendosur nëse Helena, rrëmbyer nga Paridi, u duhej kthyer akejve apo lufta ia vlente për të. Përplasja vazhdon e rreptë dhe epike, siç vetëm një përballje homerike mund të jetë, derikur motivi i kuvendit, Helena vetë, shfaqet në derë. Burra që ishin përballur me zotat dhe zemërimin e tyre, me kundërshtarë të pamëshirshëm, fate të mnershëm e ogurë të zez, e i kishin kaluar të gjitha duke qenë aty, nuk thanë asgjë para asaj gruaje. E tillë, superbe dhe çmeritëse qe bukuria e saj.

A thua ta ketë pasur përmbytës sensacionin dhe marramendëse trandjen edhe Paridi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Gudar Beqiraj, kur vendosi që, drejtore të marrëdhënieve me jashtë në këtë institucion të pajtojë Floriana Garon?! Zonjusha Garo, për ata që nuk e dinë, për ata që nuk janë qibarë e gudarë (godere-nga italishtja) të bukurisë, është vajza që Motit në ABC News, edhe në ditë terse me shi pafund, i jep prarime dielli që nuk prajnë. Në fund, kur u uron teleshikuesve gudarë tumirëmbetshin e përhershëm, zonjusha kthehet në të djathtë, në një 180 gradësh, poza e të cilit don të thotë: as Toka nuk rrotullohet kaq hirshëm.

Në curriculum vitae-n e Floriana Garos ka edhe më: përveç ‘parashikimit’ të motit ajo ka qenë përfaqësuese e Shqipërisë në MissWorld, së afërmi do të prezantojë festivalin e këngës në RTSh, e ndoca aktivitete të tjera që lidhen me të qenit e bukur. Me akademinë si academe, asgjë, por ende është e re për ta paragjykuar, ende ka kohë për ta shkëlqyer yllin e saj deri aty.

Ajo, afërmendsh, nuk mund të fajësohet pse ka pranuar postin e drejtores së marrëdhënieve me jashtë në Akademinë Shqiptare të Shkencave. Gabon, sigurisht, kur mendon se diploma e saj, edhe pse amerikane, në marrëdhënie ndërkombëtare, e përputh me kriteret e një vendpune të tillë. Marrëdhëniet me jashtë në një institucion që ka shkencën në thelb dhe marrëdhëniet ndërkombëtare (do të thotë: ato mes shteteve të ndryshme) nuk janë e njëjta gjë. Nëse dallimi mes këtyre të dyjave do të kish qenë një pyetje në test, dhe nëse drejtori i marrëdhënieve me jashtë në Akademi do ish zgjedhur me konkurs (siç duhet) zonjusha Garo do shënohej ‘mbetëse’.

Ky profil duhej të ishte dhe mund të ishte për kryetarin e Akademisë që ka zgjedhur, jashtë kritereve, funksionaren e një institucioni, që duhej të përfaqësonte inteligentsian shqiptare. Por, nuk mund të jetë për të, edhe pse ka bërë një gafë: zonjusha Garo ia merr në kthesë (e madhe sa një rrotullim i plotë Toke), sepse aktiviteti i saj në fushën përkatëse, beauty queen e ka më të ngjeshur se ç’ka z. Beqiraj militimin akademik.

E bukur, e pafaj dhe florale, si një qëndismë në murin e Akademisë, por që prapë shkencore nuk mund të jetë, ndoshta Garo do të shërbejë për akademikët tanë si shtysë për një Histori të bukurisë. Por këtu me gjasë fillon kompleksimi: akademikët tanë, ngaqë nuk kanë mundur të jenë eccoianëjanë bërë berlusconianë. Bukurinë mund t’ia përsërisë Helenës, Floriana, por historinë jo: nuk ka pasur heshtim kur ajo, yll bote, është dhënë në derë. Kaherë burrat e Akademisë sonë nuk qesin as pipëtimë.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s