Adriatik Llalla, republika bëhet normale. Deri kur?

llalla-adriatik147

 

Mënyra se si Republika u bë me kryeprokuror të ri e bën Republikën të ngjajë normale përtej pritshmërive. Më normale se kontesti i stërzgjatur izgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës; zgjedhja e Presidentit, dhe sigurisht, përplasja për qarkun e Fierit, çështje me të cilën opozita kushtëzon votimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, nga ana e tyre të lidhura me marrjen e statusit kandidat në BE.

Opozita ka vendosur të abstenojë në lidhje me shefin e akuzës, por abstenimi nuk është lajm për një bllok politik që ka kthyer pjesë të mira të aktivitetit të saj politik në stinë të gjata tërheqjeje nga jeta institucionale. Edhe kur është kthyer, duket sikur e ka bërë sa për të lançuar më mirë e më zëshëm abstenimin e radhës.

Presidenti Nishani ndërkohë ka dekretuar Adriatik Llallën në vend të Ina Ramës, në një post të lakmuar por edhe notorious, në një strofull ku mund të hysh e bukur e të dalësh bishë. Ose pasi ke konsumuar një mandat si inspektor i pasurisë së politikanëve, urtë e butë, të konsumosh edhe një tjetër nën moton mirë me të gjithë.

Adriatik Llalla, kreu i Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive, futet në petkun e ri të kryeprokurorit pikërisht nën shenjën, që në kulturën urbane njihet si ‘ai nuk prish qejf’. Deri dje Cerberi i portofoleve dhe llogarive bankare të njerëzve me pushtet në Shqipëri, sot, për t’i ndenjur qëmtimeve mitologjike, në një zonë të mnershme nga ku asnjë prej paraardhësve nuk ka dalë pa mavijosje. Z. Llalla, duke pranuar postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës është futur këmbë e duar në shtratin e Prokrustit. Ky shtrat nuk është domosdoshmërisht etatist, i formatuar sipas nocioneve të shtetit, por i shtyrë nën morsat e dy krahëve politikë që e shohin shtetin si të mundur vetëm nëpërmjet pushtetit të tyre.

Kalimi tranzit nga një post në tjetrin, zotit Llalla duhet t’i ketë ardhur me lehtësinë dhe miklimin e ndërrimit të avionëve në një prej aeroporteve luksoze të Europës qendrore. Por, shpejt do të zbresë në Rinas. Qelqnaja në tepri dhe kubeja e lartë do jenë vetëm iluzioni i parë: shpejt syri do t’i kapë punonjës të aeroportit që demonstrojnë ‘lidhjet’ dhe ‘peshën’ aeroportuale duke futur ‘shoqninë’ pa radhë, sportele ‘të ngrira’ me doganierë që heshtin si robotë, e të tjera realitete të vogla, pa ndonjë qeder. Pra, një shoqëri që ende është në tranzit, bashkë me mekanizmat e saj; në një tranzit askund të ëmbël sa ai i aeroportit europian, eglendisur edhe me një kafe borgjeze nëStarbucks.

Fytyra që na tregon në hyrje z. Llalla, muskuj ku shtrëngohen bashkë edhe kënaqësia e postit të lartë, edhe pompoziteti i kërkuar i zyrtarit shqiptar, nuk do të jetë profili i tij në dalje. Me gjasë do të ketë skërmitje në të, ose një pezm dot të pafshehur, për gjërat që mund të kish bërë, por nuk i bëri. Për këtë apo atë shkak.

Por, Republika është bërë me kryeprokuror të ri. Si asnjëherë më parë. Nuk ka patur aleanca fluide mes kampeve politike; as zell të tepruar në paraqitjen e zyrtarit të sapoemëruar. Siç nuk ka patur ulërima opozitare se mazhoranca po i merr të gjitha. Ka ndodhur gjithçka si në Berlin, a Vjenë. Kryeprokurori i ri mund të jetë mikluar nga ky armëpushim i papritur dhe i çuditshëm mes palëve. Të jetë i gjithi respekt për mua, ka pyetur veten. Por, kujdes: pas çdo fluturimi të atyre që kthehen, dhe të gjithë kthehen një ditë, ka gjithmonë Rinas.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s