Nacionalizmi ose Berisha 3.0

berisha patriot

Festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë, mbytur në kuqezinë e heraldikës kombëtare, kanë ofruar jo vetëm një peizazh të ethes patriotike, por edhe një profil politik me të cilin mund të identifikohet kjo rilindje panshqiptare. Mbështetësit mund të entuziazmohen, dhe kundërshtarët të zemërohen: ‘maska’ i bën fytyrës politike të kryeministrit Berisha.

Z. Berisha e ka ringritur edhe njëherë nga hiri sfinksin e vet, a suo modo, duke na ofruar atë që opinionbërës të qendrës së djathtë i kanë kërkuar në mënyra të tjera: një rishpikje të aksionit politik, një frymë që do ta çonte te një triumf i herës së tretë në zgjedhjet e 2013-ës. A do të jetë, megjithatë,patriotizmi i rizbuluar gjatë pelegrinazhit të 100-vjetorit të Pavarësisë, formula dhe slogani i zgjedhjeve të verës së ardhshme? Në teori ngjan shpenzim dhe luks, në praktikë mund të përbëjë një platformë eficente elektorale.

Kush i ka kushtuar vëmendje ceremonive të nëntorit ka kuptuar, edhe nëse s’i ka pëlqyer, se portreti i Berishës, karizma e tij janë elementi përndezës në koktejin patriotik. Kur bashkëqytetarët e Ramush Haradinajt festonin në sheshin qendror të Deçanit për pafajësinë e shpallur nga Haga të ish-komandantit të UÇK-së, përmbi dekorin festiv shquhej një banderolë e madhe, ku Haradinaj ndante foton, me kë tjetër…Sali Berishën.

Dy ditë më parë, në Vlorë, një qytet që është futur në perceptim si anti-berishian, kryeministri i vendit thuajse rrëshqiste në lëmimin e kënaqësisë, që i dhuronte turma e madhe brohoritëse në Sheshin e Flamurit.

Mes këtyre momenteve e të tjerave, herë jashtë tij, e herë të shtyra prej tij, kryeministri shtonte dozën e retorikës shqiptarocentrike. Kur një prej rrugëve të Tiranës pagëzohej me emrin e ministrit të Jashtëm austriak, kontit Bertold, shefi i qeverisë kujtonte se Shqipëria e dikurshme përbëhej nga 67 mijë kilometra. Më parë kishshpallur se viset shqiptare shtriheshin deri në Prevezë. Kjo deklaratë, së cilës i hodhi ujë zyra e shtypit të Kryeministrit, detyroi ministrin e Jashtëm grek, Avramopulos që ta anulonte vizitën e planifikuar në Tiranë me rastin e 100-vjetorit. I pyetur në konferencë shtypi, z. Berisha i kërkoi ndihmë frankofilisë së tij duke u shprehur se miqtë shkëlqejnë me mungesën e tyre.

Po, pse kjo kthesë e papritur ngjyrosur me të kuq në një kohë kur çdo veprim i krerëve shqiptarë pritet të jetë në tonin blu të Europës? BE mund të jetë në fakt shtysa e parë. I përmbytur ndoshta nga dallga patriotike e jubileut dhe i shkurajuar nga ngathtësia e Brukselit për të shpërblyer një vend dhe një qeveri proeuropiane deri në ashpërsi, Kryeministri ka vendosur të luajë plangprishësin. Nëse Shqipëria po trajtohet ngathtësisht nga BE, edhe pse ajo shihet si ‘faktor stabiliteti në rajon’, çfarë do të merrte ajo si ‘faktor që kërkon diçka në këmbim të stabilitetit’? Serbiapër shembull, po merr më shumë si dele e zezë ballkanike.

Në planin e brendshëm, Berisha ka përzënë në margjina partitë e vogla që kanë zgjedhur të bëjnë strehë te nacionalizmi e të mbledhin vota mbi platformën e bashkimit të shqiptarëve.

Por, çfarë ka te Berisha dhe verbi i tij, tek i cili tonet patriotike janë në simetri me kompozitën politike? Së pari, fakti se ai është tashmë një lider historik. Së dyti, edhe njëfarë epizmi te personaliteti i tij: shtati, hapi, ndoshta edhe theksi e origjina gege përmbyllin atë që shqiptari konsideron prijës. Së treti, Berisha pranohet apriori nga shqiptarët e jashtë kufijve, duke mbetur ende i vetmi politikan me appeal të fortë në hapësirat mbarëshqiptare.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s