Në Shqipëri ende nuk mund të festohet me gjëra të buta

torta-e-pavaresise

Dje në shesh, përveç të përkorëve e të fismëve, kanë zbritur edhe të leshtët, edhe të varfrit, edhe të padalët, edhe të palarët. Ata kanë qenë edhe më aktivët në ‘ndarjen’ e tortës së Pavarësisë. Fotot e tyre në babëzi e sipër i kanë mbushur ndërkohë sajtet, kronikat televizive, rrjetet sociale, por një gjë është e sigurt: Shqiptarët festonin dje 100-vjetorin e pavarësisë gjeografike e politike, dhe jo pavarësinë nga veset dhe mizerja e natyrës njerëzore. Asnjë shtet dhe asnjë komb nuk është ndarë e as do të ndahet me to.

Kjo nuk do të thotë, megjithatë, se ideja për një tortë gjigante të përbashkët në një vend ku të varfrit përbëjnë një racion të konsiderueshëm të popullatës, ishte për t’u lavdëruar. Në Shqipëri ende nuk mund të festohet me gjëra të buta. Edhe më i ububushëm do të kishte qenë skenari fillestar me mishin e 2 mijë deshve.

Në një lëvizje inteligjente, ideja e një zijafeti të madh me mish të pjekur për të gjithë ‘pelegrinët’ e 100-vjetorit u kthye në mish falas për familjet në nevojë. Nëse e njëjta strategji do të ish ndjekur edhe me tortën, do kishim shpëtuar nga një sikletosje e përgjithshme dhe e panevojshme.

Kur boritë dhe nguti i festimeve të jenë fashitur, kur bashkia ta ketë pastruar qytetin, kur jarga e babëzisë së përgjithshme të ketë shkuar mbrapsht te mijëra strofullat e babëzive personale, një kujtim apo disa, do t’i kemi megjithatë nga ky 100-vjetor. Lindjen e shqiptarit të ri me kredon e shqiptarisë moderne më së pari. Nuk mund të mos i kesh ca mornica për atë valë kuq-e-zi që përfshiu Ballkanin dhe Diasporën. Nuk mund të shmangej ideja dhe realiteti i një kombi të rilindur, vitaliteti i të cilit është pikasur pa shumë zor nga çdo udhëtar i huaj që ka vizituar këto anë. Mirë se vini teHomo Albanicus i mijëvjeçarit të ri.

Së dyti, monumentet. Pavarësisht asaj se ato janë, pashmangshëm, një tjetërsim në bronz e hekur i kultit të individit, Tirana ua kishte nevojën. Jo vetëm pranisë së tyre fizike si shenjë e kombëtares, individuales dhe kujtesës së përbashkët, por një rihistorizimi të historisë. Anë-e-mbanë qytetit nga veriu në jug e nga lindja në perëndim do të gjeni tashmë ata që ishin kundërshtarë për vdekje, por që në mënyrën e tyre e deshën këtë vend. Bënë ç’mundën, por Shqipëria, qoftë edhe nga alkimia e përplasjeve të tyre, u bë.

Së treti, viti i njëqindtë i Pavarësisë, për shkak të numrit të madhe të librave, konferencave shkencore e aktiviteteve të tjera, na bëri të mundur konceptimin e historisë si perpetum mobile. Një revolucion beninj kulturor u bëri vend në histori figurave padrejtësisht të përjashtuara, zhbëri koncepte forcërisht të ngulitura. Njëra anë e historisë u takua me anën tjetër. U mbetet brezave të gjykojnë mbi anën e mirë e të keqe, por të paktën profilet historike janë aty.

Kështu pra, shqiptarisht, 100 vjet pasi Ismail Qemal Vlora me 40 shenjtorë firmosën Aktin e Pavarësisë, dje u duk se bota merrte e jepte nën shenjën kuq e zi. Në ndërkohë ndodhën edhe capak gjëra të pahijshme. Pati babëzi dhe akulturë para tortës te këmbët e Pallatit të Kulturës, dhe në kufirin mes dy Shqipërive u shfaq me tejqyrën rilindëse mesia qesharak dhe i vetëshpallur i shqiptarisë. Sa për të prishur syrin e keq.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s