Barack Obama, presidenti ka ndryshuar; Washington-i, jo

 

Photo: Reuters

Photo: Reuters

Gjatë një takimi me asokohe presidentin rus Dmitri Medvedev, presidenti amerikan Barack Obama, pa dashje dhe në informalitet, u kap, me zë e pamje, duke i thënë shefit të Kremlinit se ai do të ishte më elastik sa i takon programit të mbrojtjes raketore, në rast të një fitoreje të mandatit të dytë në nëntor. 

Kandidati republikan për President, Mitt Romeny, u kap gjithashtu, me zë e pamje, duke u thënë donatorëve të tij të pasur se 47 për qind e amerikanëve luajnë rolin e viktimës dhe nuk u pëlqen të paguajnë taksa. Këto dy grimca të komportimit të tyre impersonal thonë për dy rivalët e të martës së 6 nëntorit aq saç do të thoshin për çdo politikan tjetër zhveshur prej kujdesit të audiencave të gjera. Gafa më e kushtueshme, megjithatë, ishte e Romney-t. Ishte pikërisht ky ‘47 për qindësh përtac’ që do të zgjidhte mes tij dhe kandidatit tjetër. Ata zgjodhën Barack Obama-n.

Obama, pas një mandati të parë të fituar mbi devizën e shpresës dhe ndryshimit, stuhive që do përfshinin establishmentin në Washington, për të rikonceptuar e rithemeluar thelbin e politikës, u kërkoi amerikanëve një shans të dytë. Më i përunjur kësaj here, më modest në retorikë, ai duhet ta ketë pasur të vështirë shpikjen e një slogani për fushatën e tij. Njerëzit e Pr-it të tij zgjodhën Forward (Përpara), duke luajtur me idenë e vazhdimësisë së një pune të nisur, e cila nuk duhej lënë përgjysmë. (Mit Romney, duke u kërkuar amerikanëve që të mos votonin për Obamën, gjeti rastin ta qesëndiste moton e fushatës së rivalit: Ju have been Forewarned. [Ju ka paralajmëruar.]

Paralajmërimi qëndronte, sipas Romney-t, por edhe kundërshtarëve apo ekspertëve të paanshëm, te katër vitet e mandatit të parë presidencial të Barack Obama-s. Deficiti nuk ishte ulur, por rritur. Papunësia as nuk iu afrua numrit të premtuar nga kandidati Obama i herës së parë. Washington-i nuk kishte ndryshuar, por bllokuar si kurrë më parë në një ngërç politik të padepërtueshëm. Amerika nuk ishte më e bashkuar pas katër viteve të Barack Obamas – sesa ishte pas tetë viteve të George Bush-it. Një votë popullore, e ndarë thuajse më dysh, e provoi këtë.

Amerika, megjithatë, votoi për të. Këtë zgjedhje nuk mund ta konceptualizojë më mirë se ekstrakti i ideve se pse revista britanike ‘The Economist’ kishte zgjedhur të mbështeste pikërisht Barack Obama-n si kandidat më të mirë për president. Sipas ‘The Economist’: zgjedhim të rrimë me djallin që njohim.

Edhe amerikanët. Alastair Campbell, mjeshtër i manipulimit, drejtor komunikimi i fushatës së liderit laburist, më pas kryeministrit britanik Tony Blair, i pat këshilluar në një rast këtij të fundit: mos u mundo të jesh gjithçka për të gjithë. Mitt Romney, kandidati republikan, u vetësakrifikua në përpjekje për të qenë shumë gjëra për shumë njerëz. Ai lëvizi nga pozicioni i tij i natyrshëm, qendra, drejt ekstremit të djathtë, për të tërhequr të djathtën e krishterë dhe ndjekësit e Tea Party. Ata qëlluan të jenë më pak se 47-përqindëshi i amerikanëve ‘përtacë dhe taksashmangës’.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s