Amerika sot voton dy rrugë krejt të ndryshme

Amerika voton

Shumica e njerëzve, anembanë globit, nuk votojnë në zgjedhjet amerikane. Megjithatë janë të interesuar për rezultatin e zgjedhjeve të sotme, që tradicionalisht mbahen të martën e parë të çdo nëntori, një herë në katër vjet. Nuk ka zgjedhje të tjera ndokund në botë që shndërrohen në një bast të madh, në një përballje klasike si të ishte një ndeshje futbolli mes gjigantëve europianë. Amerika e ka këtë pushtet të butë (soft power), por është pushteti i fortë (hard power) më shumë se i buti që i tërheq të vdekshmit e tjerë të botës drejt zgjedhjeve amerikane.

E ndjellë si flutura nga dritat e zgjedhjeve amerikane është edhe Shqipëria. Ekraneve shqiptare nuk u kanë munguar debatet presidenciale Romney-Obama, duke i transmetuar drejtpërdrejt në orare të pazakonta për audiencat e këtushme, kjo për shkak të ndryshimit të orës. Revistat televizive gjithashtu kanë patur kronika të thelluara, në disa raste edhe në lidhje direkte nga Washington-i apo New York-u. Shtypi i shkruar ka qenë më i kursyer, si për natyrën e tij e cila tashmë nuk ‘e lejon’ të konkurrojë më me lajme, për shkak të televizionit dhe internetit, si të mjeteve financiare. Rrjedhimisht është ndalur te komentet ose profilet e kandidatëve.

Gazetat shqiptare ende nuk e kanë traditën e mbështetjes me anë të një editoriali (endorsment) të një kandidati apo partie, siç bëjnë simotrat e tyre amerikane, (në rastin e zgjedhjeve shqiptare bëhet fjalë). Sa i takon zgjedhjes mes dyshes Obama –Romney, peshorja rëndon nga kandidati që përshkruan edhe animet ideologjike të brendshme të gazetave. Gazetat e djathta do të donin që zgjedhjet të fitoheshin nga Mitt Romney, ndërsa të majtat, nga Barack Obama.

Sigurisht, nëse zgjedhjet do të përcaktoheshin jo nga votat popullore, por nga mbështetja e gazetave, Barack Obama lehtësisht do ta rifitonte edhe njëherë postin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gazetat e mëdha dhe me ndikim në Amerikë, si “Washington Post”, “New York Times”, “Boston Globe” apo “Los Anxheles Times” kanë mbështetur atë (gazetat me qarkullimin më të madh “Wall Street Journal” dhe “USA Today” nuk i kanë traditë endorsments). Surpriza e madhe është sigurisht revista britanike “The Economist”, por edhe “Bloomberg News”, të dyja shumë të afërta me biznesin, e megjithatë kanë mbështetur kandidatin që ngjyroset si antibiznes: presidentin aktual Obama.

Amerika gdhihet sot solemne, edhe pse pak ditë pasi brigjet e saj lindore u goditën nga uragani Sandy; me mbi njëqind njerëz në viktima dhe miliarda dollarë në dëme materiale. Presidenti i ri konfirmohet sipas të gjitha gjasave në darkë vonë me orën e Amerikës, edhe pse sondazhet vazhdojnë të tregojnë për një kokë më kokë kryeneçe. Megjithatë, kur sfidanti dhe i sfiduari janë kaq ngushtësisht afër, zgjedhjet përcaktohen nga masa e lëkundur e elektoratit. Të lëkundurit, për traditë, bëhen me sfidantin. Ky është vetëm një interpretim i përballjes. Miliona të tjerë jepen sot nga votuesit amerikanë. “Të gjitha zgjedhjet quhen më të rëndësishmet e dekadës. Por këto me gjithë mend janë të tilla: ofrohen dy rrugë krejt të ndryshme për të ardhmen”, shkruan The Economist. 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s