Amik Kasoruho, a man of letters and a gentleman*

Amik Kasoruho

Amik Kasoruho, edhe në telefon, edhe kur e takon personalisht, të ngjan me një prej atyre personazheve të librave të shekullit të nëntëmbëdhjetë, prej të cilëve edhe, mjeshtërisht, ka përkthyer disa. Ndoshta nga Lartësitë e stuhishme, ndoshta ngaMosha e pafajësisë. Pa e lidhur drejtpërdrejt me ndonjë personazh, por verbi dhe bartja e vetes i japin aurën e diçkaje dhe dikujt të ndodhur kohë më parë, përcjellë te ne nga dëshira e njerëzimit për të pasur një lidhje me nobilitetin e së shkuarës. Amik Kasoruho, në këtë dekadë të dytë të mijëvjeçarit të tretë, mbushur me shenja të reja e kaotike të komunikimit të njerëzimit, është ndër të rrallët që e meriton dhe e bart emrin zotni.

Përzihen tek ai, si kolonja mbi një fytyrë të saporruar, hija e errët e burrave të nëntëqindtës dhe kadenca e portretit të skocezit të njëmijë-e-nëntëqind-e-nëtëdhjetës, Sean Connery. Jo mplakje gjen në portrete të tilla, por burra që të shtyjnë të mendosh për kohën kur kanë qenë djelmosha.

Bën mirë të mos e ëndërrosh kohën dhe fatin e kohës kur Amik Kasoruho ka qenë djalosh. Në vitin e shtatëmbëdhjetë të jetës e arrestuan, në vitin e tretë të shkollës së mesme, bash në atë kohë kur në gjakun dhe ndijimet e djelmoshave mëshojnë dëshirat dhe mësyjnë qiejt e pakufi të së nesërmes. Të atit i numëruan plumbin e nxehtë dhe birit i hodhën çelikun e ftohtë të prangave. Pas shtatë viteve burg, pjesa tjetër e jetës, 27 mote, u mbyt në getot e reja, të Shqipërisë së diktaturës së proletariatit, luftës së klasave dhe ‘barazisë’ së kujtdo tepronte. Emrat e atyre vendeve ku u mbollën këto geto, pa burgjet, kampet e punës, barakat e internimi, do të mbeteshin përjetë në gjeografi. Por, pikërisht për shkak të zisë dhe të tmerrit që bartnin, hynë në histori. I njohim të gjithë, i madh e i vogël, zgafellat ku ‘riedukoheshin’ kundërshtarët.

Si mundet pra, që nuk e ka lënë hijeshia, as e jashtme dhe as e brendshme, Amik Kasoruhon, që u lind në vitin 1932, u burgos kur ishte 17 vjeç, në vitin 1949, për të dalë prej andej 7 vjet më vonë në moshën 24-vjeçare, në vitin 1956, e për ta kaluar pjesën tjetër të jetës, deri në vitin 1990, i internuar? Po të pyesësh Amikun, nuk besoj se do mundet, ose do të jetë shumë modest për të prodhuar një përgjigje. Por, ajo gjendet diku te librat e tij: tekstet origjinale apo shqipërime autorësh të huaj. Një duzinë mbajnë firmën e tij. Më i fundit, një përmbledhje historiko-eseistike nën titullin Shqipëria, ankthi dhe ëndrra flet pikërisht për projeksionin tek ai të komunizmit dhe të kohës së tij. Ky është ankthi gjysmëshekullor. Ëndrra fillon me hapjen e Shqipërisë, rënien e komunizmit botëror, 1990-ën që i dha fund internim-burgut të tij disadekadash.

Amik Kasoruho, ashtu si i dalë nga romanet që vetë ka përkthyer, të shtyn të pyesësh mbi mundësitë e situatave të përmbysura. Çdo kish qenë vetë dhe çdo kishim qenë ne, sikur ai dhe lloji i tij të mos kishin qenë të përmbysurit? Sikur ata, në fakt, të drejtonin vendin dhe punët e tij. Gjasat janë, ato emrat e vendeve që dolën nga gjeografia e hynë në histori të kishin mbetur aty. I tillë: me dhimbjen, por i papërkulur; me moshën, por i paplakur, Amik Kasoruho, na dëshmon me anë letrash dhe gjestesh se ai është a man of letters and a gentleman.

*Njeri i letrave dhe burrë zotni.

Një përgjigje ndaj “Amik Kasoruho, a man of letters and a gentleman*

  1. Pingback: Duke kërkuar Shqipërinë time |·

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s