Tri orët e Clinton-it në Tiranë, dhe pse asnjëra nuk do t’i vidhet

hillary clinton

 

Hilary Clinton, Sekretarja Amerikane e Shtetit, vjen nesër në Tiranë në kuadër të një turi rajonal që ia heq eksluzivitetin vizitës së saj, por që mbetet gjithsesi e posaçme, sepse i tillë është konteksti në Shqipëri: shteti shqiptar feston përvjetorin e 100-të. Edhe më e veçantë vizita e zonjës Clinton bëhet për shkak të historisë, jo vetëm shtetërore, por edhe personale që bart personi i saj: te amerikanët dhe Clinton-ët ndërthuren dy akte, sa shpirtërore aq dhe fizike: integriteti kombëtar dhe ai shtetëror. Sa i takon integritetit shtetëror, një burrë shteti amerikan, presidenti Woodrow Wilson, në dekadën e dytë të shekullit të kaluar, parashtroi dhe ‘detyroi’ devizën e vetëvendosjes duke mbrojtur në këtë rast kombet e vegjël si Skocinë e prejardhjes së tij, dhe Shqipërinë në cepin tjetër të Europës, e cila ende vazhdon t’i jetë mirënjohëse. Në plan kombëtar, një tjetër president amerikan, Bill Clinton, bashkëshorti i zonjës që viziton nesër Tiranën si Sekretare Shteti, në dekadën e fundit të shekullit të kaluar ‘firmosi’, në emër të të drejtave të njeriut, shpëtimin e barkushes së majtë të zemrës së kombit shqiptar, Kosovës.

Sot dhe nesër, zonja Clinton viziton dy shtete shqiptare në Ballkan: Shqipërinë dhe Kosovën. Vizita e saj vjen në një moment historik, që, megjithëse ndodh në liri, barabitet me atë të një tjetër sekretari amerikan, James Baker-it. Nëse atëherë simbolika lidhej me rënien e Murit të Berlinit, që ua hapte pamjen edhe shqiptarëve, tashmë metafora është edhe më triumfante: 20 vjet më vonë një zyrtare e lartë amerikane vjen pas një tjetër rënieje, asaj të Murit shqiptar.

Vizita, megjithatë, jep shenja që shkojnë përtej këtij ngashnjimi akut panshqiptar. Liria, edhe pse e mbërritur, edhe pse e shumëpritur, ka, natyrisht, shenjat dhe problemet e saj. Pyetja mund të bëhet, a ka problematikë jashtë simbolikës së 100-vjetorit të shtetit dhe marrëdhënieve shqiptaro-amerikane? Mendimet këtu ndahen. Mazhoranca, me të drejtë i mëshon simbolikës dhe sintonisë shqiptaro-amerikane, duke u bërë bartëse edhe e një pranimi shpirtëror të amerikanes në Shqipëri. Të djathtët, sigurisht, mund edhe të krenohen se në orën e tyre e kanë prekur Shqipërinë James Baker-i, George Bush-i, dhe Hilary Clinton-i. Të majtët kësaj radhe nuk kanë pse të kontrollojnë kyçin e zonjës amerikane, sepse në orën e saj nuk ka minutazh për Fushë-Krujën, por për Edi Ramën. Kësaj radhe, mesa duket, nobody’s watch will disappear because everybody will be happy with the hour they will get*.

Për të vazhduar me piperin e kuq e djegës të politikës së brendshme, mazhoranca e opozita do t’i amplifikojnë vizitës së zonjës Clinton mesazhet që përçojnë më mirë axhendat e tyre politike. Opozita do të qëmtojë e zhbirilojë mesazhet që kanë të bëjnë me shëndetin e institucioneve demokratike, duke qenë se vizita e Sekretares së Shtetit përkon edhe me debatin ndërkohë të hapur për mandatin në përfundim të Prokurores së Përgjithshme të Republikës. Apo edhe qarkun e Fierit.

Axhenda zyrtare e zonjës Clinton nuk zbulon asgjë përveç takimeve me dy krerë të shtetit dhe kryetarin e opozitës, dhe një fjalimi në Parlament. Gjasat janë që edhe në përfundim të vizitës, gjithçka të jetë e mbyllur në guaskën e zakonshme të deklaratave zyrtare që flasin për panoramën, e kurrë për detajet. Por në tri orë vizitë, mendja ta do se shinat e bisedës do jenë diç më të gjera se Ina Rama apo Fieri. Do t’i mëshohet një ‘kujdestarie europiane’ për Shqipërinë dhe stuhitë e saj të brendshme e të përhershme të politikës, dhe partneritetit strategjik që nënkupton edhe frymën e bashkëpunimit rajonal.

*Nuk do të zhduket ora e askujt, sepse të gjithë do të gëzohen me orën e takimit (me Clinton-in).

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s