Geraldine Apponyi, pakti ynë i parë euro-atlantik

King Zog and Queen Geraldine of Albania in Sweden

Geraldine Apponyi ishte shqiptare me zgjedhje, dhe jo rastësisht. Martesa e mbretit Zog me të ishte më shumë se ceremoniali pompoz i trashëgimtarit të një klani bejlerësh nga Veriu me konteshën me nënë amerikane, bijë e një familjeje aristokrate hungareze ‘të rënë nga vakti’: Tek ai akt shtrihet ‘martesa’ e Shqipërisë me Europën, pakti ynë i parë euro-atlantik. Më shumë se lidhje apo ndryshim i gjendjes civile, te bashkimi i një burri të pashëm në të dyzetat dhe një vajze bukuroshe në të njëzetat, ndodh triumfi i ekzigjencës estetike të shqiptarit. Një estetikë që ndiqet nga politika dhe historia. Geraldina, mund të thuhet, ka qenë akti më mbretëror i Ahmet Zogut. Historia i dha të drejtë politikanit pragmatist. Geraldina ia ka dhënë ndërkohë përmasën e smeraldtë familjes mbretërore shqiptare, e ka monarkëzuar në fakt përpjekjen e një klani, në një vend ku klanet vazhdojnë të jenë, por pa Geraldinë për t’i legjitimuar. Pas vdekjes së Zogut I, në një spital të Francës, nën lëngatën e një sëmundjeje të pashërueshme, por edhe të Shqipërisë, së humbur për të, Mbretëresha, me lehtësi mund ta shmangte ‘gabimin’ e vajzërisë dhe të jetonte si e veja e një Mbreti. Përkundrazi, zgjodhi t’i rrinte gjer në fund fatit të saj, Shqipërisë, deri kur u kthye për të vdekur në atdheun e saj të adoptuar, i cili, më shumë se gëzim, i kishte dhënë brenga. Ajo na zgjodhi më shumë se e zgjodhëm. Një pjesë e mirë e atyre që i përlartësojmë janë, pothuajse, banorë të një bote tjetër që i themi Diasporë. Veprimtaria e tyre ishte një përpjekje për të mbushur pusin e ndjenjës së fajit për largësinë fizike me atdheun, brengë që e kanë të gjitha Diasporat. Lidhja e tyre me Shqipërinë ishte si një hobby, një lloj pasioni, siç mund të jetë koleksionimi i fluturave, peshkimi, pullat postare e të tjera. Shqipërinë këta njerëz mund ta kenë dashur, por nga larg. Janë shumë të tillë, burra e gra, dhe, sigurisht, kjo nuk i heq valë sizmisë së zemrës patriotike. Të falenderuar janë edhe për aq. Geraldina, ndërkohë, Mbretëresha jonë, u kthye të vdiste këtu, në vendin tek i cili erdhi vajzë dhe prej të cilit u largua lehonë. Ky libër, që vjen në shqip në 100-vjetorin e shtetit shqiptar, dokumenton rrugëtimin e Geraldine Apponyi, të rrëfyer po prej saj. Shpesh vrunduj romanticizmi e përshkojnë tekstin; por, si ndryshe, pa këtë melankoli, do t’i mbijetonte gruaja e bukur kujtimit të dy zgjedhjeve të saj të mëdha: mbretit Zog dhe Shqipërisë? Përmes këtij ngashnjimi, ‘trëndafili i bardhë i Budapestit’ na zbulon raportin e saj intim me të shoqin, të kunatat, oborrtarët e personazhe të tjerë, të njohur e të panjohur. Është një prej atyre librave që lexohen me një frymë. Mbi jetën e një gruaje, bukuria dhe nobiliteti i së cilës ta marrin frymën.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s